Zejnullah Jakupi,Berlin
(2L ONLINE) – Në shtetin e Kosovës(NEW BORN) strategjia e marketingu për mbijetesë është aftësia për të bërë sa më shumë para ose për ti huazuar, si të mundesh! Huazimi i parave (sipas Andreas Popp, një ekonomisti radikal gjerman), në të vërtet të varfëron e të bënë
danistakrat. Zbërthimi i këtij nocioni është i thjeshtë. Danistakrat, do të thotë borxhli, kur je borxhli, je gjithmonë i varur! Kuptimi i nocionit të danistakratit mund të jetë më shumë një dogmatizëm se sa një përshkrim real i gjendjes. A mund të jetë i gjithë populli danistakrat, (edhe shteti) mbase të gjithë jetojmë në fajde e në borxhe dhe të irrituar ngelim gjithashtu?!!Ky supozim, shpresoj të jetë irritim.
Irritimi
Irritimi është baza e përshkrimit të gjendjes. Edhe analistët, politikanët e parashikuesit e motit, shpesh bazohen në irritacione. Çdo sistem, bazohet në irritacione. Arritja në pikën e irritacionit mundësohet nga mospasja e informacioneve të duhura, pra irritacioni lind atëherë kur mendojmë se nuk dimë çdo gjë, kur nuk jemi mirë të informuar.
Nga irritacioni nuk vjen absolutja, por vetëm nga zhgënjimi (Irritimi shkakton edhe gastritin si pasojë e abuzimit me alkoolin, të vjellat kronike, stresi!).Zhgënjimi kësaj radhe erdhi, nga gjithë nga pak. Nga partia numër një që i ka fituar zgjedhjet, para disa muajve dhe, në irritim e sipër, nuk ka mundur ta formoj qeverinë.
Nga “Blloku” që nuk e lënë ta formoj qeverinë, as me 61 vota. Zhgënjimi erdhi edhe nga EULEX-i, i cili ka mision për ta luftuar korrupsionin e për ta forcuar drejtësinë, ani pse akoma irritohet dhe, si pahir, zhytet në afera korruptive. Indokrimini fillon që këtej.
Beteja për ta dobësuar shtetin
Çka është gjithë kjo rrëmujë për ta zbehur shtetin i cili akoma nuk është forcuar! Politika e tillë kundër forcimit të shtetit, ka për qëllim ta bëjnë të mos ekzistoj ose të ekzistoj sa më pak që është e mundur! Ky indokriminim është irritues. Kërkohet të ketë sa më pak shtet në politikë, në arsim, në shëndetësi në art etj (shteti “duhet” ta humb kuptimin e tij klasik!!!).
Shteti paska faj edhe për vakumin institucional! Shteti na qenka fajtor për krizën, papunësinë, varfërinë, korrupsionin dhe devijimet tjera! Madje, shteti në këtë pozitë neutrale sikur nuk e përmbushka më funksionin e tij universal!
A nuk i luftojmë gjithë ata që e duan shtetin? A nuk jemi bërë më pak shtetëror dhe më shumë të lirë e pa status të qartë me fusnotë, me rezolutë 1244. Në sistemin e tillë dogmatik krijohet “kosovari” uniformal i cili sillet si pjesëtar i një shteti pa status dhe pa të ardhme evropiane, pa lëvizje të lirë, pa punë dhe pa kohezion shoqëror!!!
Shteti edhe pse i irrituar, megjithatë, po e mban veten me vështirësi e në gjendje të mjerueshme. Shteti po e mban balancimin edhe pa kuvend dhe qeveri. Kujt po i konvenon që shteti të mos ketë ardhme dhe të mos e ketë të definuar statusin, të mos jetë i fort dhe vital? Çfarë është kjo propagandë luftënxitëse kundër shtetit?
Çfarë është kjo reklamë lobimi bajate e irracionale kundër shtetit! Madje a mund ta përsërisim pyetjen mimetike: Si mundet të ekzistoj vallë shtetit pa status? I fundosur në borxhe dhe varfëri e korrupsion. A është gjithçka zi? Ky shtet i ri ka edhe ëndrra, dhe ato janë fitimi i pavarësisë së “plotë”, anëtarësimi në OKB, në BE dhe në NATO. A mund të bëhet realitet kjo shpresë? Kur do të vije ajo dita e shumëpritur?
Votuesit dhe elitat politike
Në shtetin me status neutral e të bllokuar, edhe elitat janë me defekte, ato indoktrinojnë elektoratin e vet. Ato janë iluzore dhe irritohen. U mungon vetëdija e veprimit racional. U mungon guximi dhe përgjegjësia për të udhëhequr në politikë me pragmatizëm. Rrugëdalja nuk duhet të jetë gjithsesi pastrimi total i tyre nga skena politike (më shumë duhet tu heqim pakëz balt nga supet)!
Votuesi është bërë pishman pse i ka votuar, është më se i irrituar! Në kurriz të tij “të përzgjedhurit” bëjnë karrierë politike. Votuesi nuk ka as kushte minimale për jetë. Votuesi joshet me premtime, reklama televizive boshe. Nëse nuk ndryshon do të ndryshojnë! Votues i nderuar; Hapi sytë se do të tregojnë tutje përralla e lajme bajate!
Gjendja sociale e “popullit”
Populli, (kush është populli???). Sipas Andreas Popp nuk ka popull, as nuk ka “demokraci” e “qytetarë” të cilit marrin vendime për vete, por ka vetëm “të nënshtruar” dhe “nënshtrues”. Nëse e përkthejmë këtë në realitetin kosovar, kjo i bie: “Nënshtruesit” vendosin nëse të “nënshtruarit” do ngopen me bukë e djathë, a do pinë qaj të zi “rusi” ose do ushqehen me hamburger dhe produkte të importuara?
Të “nënshtruarit” po hanë shumë “fast food”! Po shikojnë shumë televizion, seriale, filma dhe plotë lajme e bërllok nga industria mediale. Janë bërë pasiv e nuk po lëvizin. Pak po lexojnë e nuk po ankohen! Po dirigjohen në mënyrë centraliste. Deri sa këta futen akoma në borxhe dhe varfëri, “nënshtruesit” po u vjedhin e po u zaptojnë statuse e pasuri publike pa fund.
Mu kujtua edhe një parullë e kohëve të fundit: Ishte një rekomandim që ju drejtohej të “nënshtruarve”; mos pini shumë duhan se është dëm, po hani molla e bëni sport, mos hani pa kontroll e bëni diete?! Mos dilni në rrugë, as në protesta, mos u ankoni në zyra të punësimit.-Dilni në ajër të pastër e pastroni pakëz trurin e bëni analiza politike..! /2L ONLINE/