“Dancing House” shkëlqen edhe në hapjen madhështore të sezonit në Shëngjin
“Më 24 maj, grupi ynë “Dancing House” pati kënaqësinë dhe nderin të jetë pjesë e spektaklit të hapjes së sezonit veror në Shëngjin, një event që bashkoi shkolla baleti dhe kërcimi nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Ky organizim i mrekullueshëm solli në skenë energji, pasion dhe talent të jashtëzakonshëm nga të rinjtë e rajonit”, ka thënë drejtoresha dhe koreografja Naski Ahmeti.
Ajo shtoi se vajzat tona dhuruan një performancë të paharrueshme, duke shkëlqyer në çdo hap me profesionalizëm dhe elegancë. Ato u pritën me duartrokitje nga publiku, dhe ishin një ndër momentet më të veçanta të mbrëmjes.
Pas paraqitjeve të shkollave pjesëmarrëse, spektakli vazhdoi me performancat e artistëve të njohur si Luiz Ejlli, Teuta Selimi dhe shumë të tjerë, duke e kthyer mbrëmjen në një festë të vërtetë artistike.
“Pjesëmarrja në këtë event për ne ishte një përvojë frymëzuese dhe motivuese. Jemi krenarë për çdo hap të hedhur nga vajzat tona dhe mezi presim aventurat e radhës artistike”, thotë Naski Ahmeti, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Ndersa më 25 maj 2025, në Lezhë vazhdoi festivali “Shtojzovallet Fest”, ku grupi “Dancing House” nga Gjilani performoi dhe morën certifikata dhe një trofe në shenjë mirënjohje për arritjet e tyre.
Ky aktivitet artistik mblodhi grupe të ndryshme vallëzimi nga mbarë trojet shqiptare, duke promovuar kulturën, traditën dhe talentin e të rinjve.
Performanca e grupit “Dancing House” u vlerësua lart, duke i dhënë atyre kupën e festivalit. /2LONLINE/
