Një e mail zyrtar që i është adresuar sekretarit të përhershëm të Ministrisë së Shëndetësisë nga Doina Bologa, udhëheqëse e Fondit për Popullsi i Kombeve të Bashkuara (UNFPA) për Kosovën, flet për keqpërdorim të donacioneve që ky fond i kishte dhuruar Ministrisë së Shëndetësisë. E-maili ndër të tjera i është bashkëngjitur edhe ministrit Ferid Agani.
Në e mailin e saj, Bologa shkruan se është e shqetësuar se ka keqpërdorime të rënda të barnave esenciale të dhuruara nga UNFPA e që kanë qenë të destinuara për të shpëtuar jetët grave. Sipas e mailit, bëhet fjalë për keqpërdorime të kontraceptivëve, shkruan Tribuna.
Bologa shkruan se disa nga artikujt e dhënë donacion kanë humbur nga rezervat e regjistruara si dhe nuk ka dokumentim për shpërndarjen e tyre. Ajo po ashtu e ka përkujtuar Shabanin se disa artikuj janë gjetur edhe nëpër barnatore ku ishin nxjerrë në shitje.