DYLON

Cubat ballkanas dhe interesat gjeostrategjike

Avatar photo Redaksia

Shkruan: Shemsi SYLA

/2L ONLINE/ – Ata që thyen embargon ndërkombëtare kundër shfarosësit të popujve të vegjël ballkanik, kryekasapit Sllobodan Millosheviq, duke tregtuar për nevojat e tij dhe të tyre në mënyrë të paligjshme naftë, duhan, narkotikë, armatim, njerëz, dhe gjithçka që atij i duhej për të prerë dhe vrarë ata që nuk mendonin si ai, ata që nuk i luteshin zotit si ai, ata që nuk vepronin siç u thoshte ai, këta princa fisesh primitive, provincial dhe injorant që lirisht mund ti quajmë cuba ballkanas, që nga vitet 90 e deri edhe sot, shërbejnë si trampolinë për të vendosur rend të ri, dhe ndarje të reja në sferat e interesit global.

EkoHigjiena

Andaj si të tillë dhe si cuba veçanërisht, ata përveç se u pasuruan në mënyrë marramendëse, me ndihmën dhe mbështetjen e vendimmarrësve botëror, paralizuan, duke defunksionalizuar, dhe personalizuar shtetet e tyre edhe ashtu të dobëta dhe të varfra.

Ishte Malazezi Milo Gjukanoviq ai i cili më së shumti kishte sfiduar botën ndërkombëtare duke e furnizuar me karburante ish ushtrinë jugosllave gjatë kohës kur bota i kishte vënë embargo për shkak të luftërave shfarosëse të Millosheviqit në Ballkan.

Ishte po ky cub ballkanas i cili po ashtu sfidoi gjyqësinë Italiane duke e përqeshur nën sy për akuzat që Italia i kishte ngritur kundër tij për trafik të paligjshëm duhani, trafik më të cilin ai kishte tronditur jo vetëm tregun e lirë Italian por edhe atë Evropian. Ishte Malazezi Milo Gjukanoviq, krye cubi ballkanas i cili u qortua lehtë nga ish presidenti Bill Klinton i cili e kishte këshilluar që të kthehej në vendin e tij guror dhe të ndërronte jo vetëm stilin e veshjes ….

Dikush mund te pyes pse gjithë kjo tolerancë për Milon dhe për të gjithë cubat tjerë ballkanas nga vendimmarrësit e mëdhenj? Pse gjithë kjo tolerancë për disa hajdutë ballkanas të cilët bashkëpunuan me Millosheviqin duke tallur bashkësinë ndërkombëtare, në të njëjtën kohë po këta dhe disa të tjerë, varfëruan dhe poshtëruan deri në skajshmëri qytetarët dhe vendet e tyre, duke vjedhur, duke u korruptuar, duke shitur gjithçka që është e tundshme dhe patundshme duke i zhvatur deri në shkërmoqje vendet e tyre? Natyrisht, përgjigja është shumë e thjeshtë! Superfuqitë dhe aleancat e mëdha kanë edhe interesa te mëdha dhe globale, siç është ndarja e zonave dhe sferave të interesit dhe pozicionimet e ardhshme afatgjata gjeostrategjike.

Për këto interesa ku vendosen fatet e kombeve dhe kontinenteve në periudha afatgjata, sjelljet dhe veprimet e cubave ballkanas janë një çështje e vogël dhe e parëndësishme, gjersa në të njëjtën kohë këta princa fisesh plebeu kanë shërbyer dhe po u shërbejnë si mashë dhe mjet i përshtatshëm që qojnë drejt realizimit të interesave gjeopolitike dhe gjeostrategjike të vendimmarrësve botëror. Imazhi, perceptimi dhe bindja e këtyre cubave ose së paku tendenca e tyre për të na bindur se ata janë pjesë reale dhe e fuqishme e vendimmarrjeve të mëdha, janë lajthitje tyre që në vendet fisnore ballkanike dikush edhe mund tu besojë, por veprimet dhe qëllimi i tyre është shumë i thjeshtë i dukshëm dhe i prekshëm, këta cuba janë të interesuar vetëm se si ta mbushin hambarin në fshatin e tyre.

Andaj, bashkëpunimi ose përdorimi i këtyre cubave për interesa gjeopolitike dhe gjeostrategjike në Ballkani ka dy anë. Anën e mirë dhe anën e keqe. E mira është se Ballkani si një arenë luftërash dhe konfliktesh shekullore mund të futet nën një ombrellë mbrojtëse të fuqishme dhe afatgjate. Dhe ana e keqe e kësaj meseleje është se vendimmarrësit botëror duke toleruar dhe mbështetur këta cuba, në emër të sovranitetit, integritetit dhe lirisë, po dëmtojnë rëndë vendet edhe ashtu të brishta ballkanike duke defunksionalizuar këto shtete përmes qeverisjes alla hajdutçe, rurale dhe primitive në kurriz të qytetarëve të frustruar, të frikësuar dhe të rraskapitur deri në ambis. /2L ONLINE/