Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore iu nda aktorit Sabedin Shahiqi

Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore iu nda aktorit Sabedin Shahiqi

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në një ceremoni solemne në kabinetin e tij, ka bërë ndarjen çmimeve për teatër për vitin 2018. Çmimet e ndara u shoqëruan me certifikata dhe me shpërblime në vlera monetare ku përveç Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore që u shpërblye me shumën prej 5 mijë eurosh, çmimeve të tjera iu ndanë nga 2 mijë e 5oo euro.

Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore, iu nda aktorit Sabedin Shahiqi. Aktori Shahiqi ka kontribuar në zhvillimin e teatrit në Kosovë, nga viti 1971 e deri më sot, ka luajtur në role në teatër, film e televizion dhe shumica prej tyre ishin role bartëse.

Ndërkaq, Çmimi Vjetor për Shfaqjen më të Mirë, iu nda Teatrit Kombëtar të Kosovës, për shfaqjen “Arturo Ui”. Kjo shfaqje është një vepër e jashtëzakonshme që korrespondon me realitetin në të cilin kalon Kosova. Shfaqja kalon finesë thellësi, guxim dhe art të nivelit të lartë.

Çmimi Vjetor për Regjinë më të Mirë, iu nda regjisorit Bekim Lumi – Post Mortum, për regjinë e shfaqjes “Arturo Ui” –Teatri Kombëtar i Kosovës. Suksesi i kësaj shfaqjeje është arritur kryekëput në saje të regjisë së nivelit të lartë, ku regjisori Lumi ka dëshmuar profesionalizëm dhe inovacionin e sjellë në skenë në mënyrë mjeshtërore.

Çmimi Vjetor për aktorin më të Mirë, iu nda aktorit Mentor Zymberaj për rolin e “Hamleti” në shfaqjen ”Ëndërrta e Hamletit. Mentor Zymberaj në rolin e Halmetit u vlerësua, u nderua dhe u shpërblye për lojën e tij brilante.

Për Çmimin Vjetor për Prezantim të Suksesshëm Ndërkombëtar, për vitin 2018, kishte vetëm një nominim dhe ky çmim iu nda Shtëpisë Teatrore Filmike – AKT. AKT realizoi 8 prezantime ndërkombëtare në festivale prestigjioze.

Pas ndarjes së këtyre çmimeve, ministri Gashi u prononcua medie ku ndarjen e këtyre çmimeve e vlerësoi si një lloj respekti dhe mirënjohjeje nga ana e institucioneve për angazhimin dhe punën kreative të artistëve.

Ai i inkurajoi artistët që të vazhdojnë edhe më tutje me punë dhe angazhim.

“ Ne si ministri po mundohemi që t’i ndajmë çmimet për çdo fushë që ka të bëjë me kulturë me qëllim që të ju mbështesim dhe inkurajomë që me punë dhe angazhim ta mbani gjallë kulturën e vendit tone. Ne si shtet jemi me fat që kemi shumë krijues dhe artist të cilët me punën e tyre po na promovojnë shtetin dhe në të njëjtën kohë po na bëjnë krenar”.

Ndërkaq, fituesit e këtyre çmimeve falënderuan ministrin Gashi për përkrahjen e vazhdueshme dhe marrjen e çmimeve edhe ata e vlerësuan si një mirënjohje institucionale dhe një inkurajim për të punuar edhe më shumë në krijimtarinë e tyre artistike.

KOMENTE