/2L ONLINE/ – Në Galerinë e Arteve në Gjilan është hapur ekspozita e arteve pamore “Peneli i Flakës”, si njëra ndër katër shtyllat themelore të manifestimit “Flaka e Janarit”, ku janë ekspozuar punime të krijuesve të ndryshëm, në pikturë, sculpture dhe grafikë, ndërsa është ndarë edhe çmimi blerës i galerisë që është tashmë tradicional.
Tematikat e punimeve trajtonin tema të ndryshme me dominimin të elementeve të fuqishme kombëtare shqiptare.
Me këtë rast kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në hapjen e kësaj ekspozite ka thënë se Gjilani dhe artistët e kësaj ane, sot, kanë nderin që në qytetin e kulturës të presin kolegët e tyre nga të gjitha trojet shqiptare.
“Gjilani ka traditë në organizimin e “Penelit të Flakës”, respektivisht ekspozitat e mëdha dhe me përmbajtje në nderim të të rënëve për lirinë e vendit. Kjo praktikë e mirë kulturore do të vazhdoj edhe më tutje me kultivimin e mirëfillt dhe original të artit pamor. Kjo shtyllë e ka ruajtur origjinalitetin e saj që nga themelimi i flakës para 25 vjetëve. Është një rrugë e gjatë dhe shumë e vështirë që është kaluar për këto 25 vjetë të “Flakës…”, e posaqërisht shumë e rëndë është periudha e organizimit të saj gjatë viteve të ’90-ta. Komuna e Gjilanit do të jetë edhe në të ardhmen një mbështetje e fuqishme e artistëve të kësaj fushe në përgjithësi, sepse arti i bashkon të gjithë përmes vlerave të mëdha që ka”, ka thënë ndër të tjerash në fjalën e tij kryetari I Gjilanit Lutfi Haziri.
Ndërsa, përgjegjësi i Njësisë për Kulturë, Kujtim Shahiqi, ka falënderuar kryetarin e Komunës së Gjilanit për mbështetjen e këtij organizimi në kuadër të “Flakës…”, duke potencuar se sot në Gjilan, janë vepra të ndryshme të autorëve gjithkombëtar, duke qenë pjesë e ekspozitës punime të ndryshme nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës etj, gjë që e ka bërë edhe më madhështore këtë organizim.
Përgjegjësi për artin pamor, në kuadër të “Flakës së Janarit 2016”, skulptori Avni Behluli, tha se qëllimi i manifestimit padyshim është që ekspozita ta përfitojë karakterin gjithëkombëtar dhe të bëhet njëra nga shtyllat kryesore të tërë këtij spektri kulturor të emërtuar me emrin “Flaka e Janarit”. Gjithashtu ai ka thënë se interesimi i artistëve të rinjë është shumë i madh dhe i mirëseardhur për vlerat e artit në përgjithësi, duke e zbukuruar këtë manifestim edhe më shumë.
Ndryshe çmimi blerës i galërisë i është dhënë piktorit, Rasim Vllasaliu, ndërsa tri çmime të tjera janë ndarë për Agim Bujupit, Eshtref Berisha dhe Mervan Mustafa në pikturë.
Manifestimi kulturor tradicional “Flaka e Janarit 2016”, përveç pjesës së artit pamor, mbështetet edhe në shtyllat tjera themelore siç është, arti letrar, arti skenik dhe arti muzikor. /2L ONLINE/