DYLON

Çmimet për letërsi, vlerësim dhe nxitje për krijimtari

Çmimet për letërsi, vlerësim dhe nxitje për krijimtari
Avatar photo Redaksia

Në kuadër të aktiviteteve të organizuara për nder të 12-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka ndarë Çmimin Kombëtar Letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli” dhe çmimet vjetore për letërsi.

Juria profesionale për vlerësimin e çmimeve në përbërje të prof. dr. Hysen Matoshi – kryetar, Adem Zejnullahu, Faik Shkodra, Emin Emini dhe Riza Haziri –anëtarë, kanë vendosur që çmimet të dhurohen për: Çmimi Kombëtar Letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli” t’i jepet Sabile Keçmezi – Basha; Çmimi për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku” t’i jepet Rrahman Paçarizi për veprën “Shtatë udhë” dhe Albina Idrizi për veprën “Përsëri mars”; Çmimi për veprën më të mirë në poezi “Ali Podrimja” t’iu jepet Xhevdet Bajraj për vëllimin “Kur qajnë hardhitë” dhe Nexhat Rexha për vëllimin “Duke kërkuar hijen tënde”; Çmimi për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova” t’i jipet Berat Dakaj (Armagedoni) për studimin “Dramat e Qosjes”; Çmimi për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe anasjelltas “Pjetër Bogdani” t’i jepet Isa Memishi për përkthimin e romanit “Guaska” të Mustafa Halifas; dhe Çmimi për veprën më të mirë për fëmijë e të rinj “Vehbi Kikaj” t’i ipet Januz Fetahaj për veprën “Libri i përrallave të gjyshit”.

Me këtë rast, në një ceremoni të organizuar në kabinetin e Ministres Vlora Dumoshi, e para e MKRS-së u uroi mirëseardhje laureatëve dhe anëtarëve të jurisë.

EkoHigjiena

“Në këtë ditë të shënuar kujtojmë të gjithë ata krijues që me veprat e tyre kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në krijimtarinë tonë. Jo rastësisht ndarja e çmimeve të letërsisë po bëhet sot në këtë ceremoni të organizuar nga ministria, sepse përveç që po ndajmë çmime të rëndësishme për letërsinë, kulturën dhe artin, përveç që sot po i shpërblejmë krijuesit e letërsisë, po e festojmë edhe përvjetorin e shtetësisë së Kosovës. Sot simbolikisht më takoi mua si Ministre që të ndaj këto çmime, ndonëse të gjitha punët rreth vlerësimit të tyre i takojnë mandatit të qeverisjes së kaluar ”, tha mes tjerash ministrja.

Duke filluar nga procedurat e hapjes së konkursit e deri tek ndarja e çmimeve parashihen me rregullore të veçantë të MKRS-së, e cila procedurë përfshin dhe emërimin e një jurie, e cila rekomandon laureatët e çmimeve.

“Unë si Ministre e vlerësoj lart ndarjen e çmimeve për letërsi, sepse besoj se duke ndarë këto çmime në baza të rregullta vjetore, ne i kontribuojmë edhe stimulimit dhe nxitjes së krijueseve të shkruajnë, të krijojnë dhe ta pasurojnë artin e fjalës sonë të shkruar”, u shpreh ministrja, duke rikonfirmuar se mbetet e përkushtuar të punojë shumë në mbështetjen e të gjitha fushave të kulturës dhe të artit, të krijuesve dhe performuesve për ta avancuar kulturën e Kosovës dhe për ta promovuar vendin.

Kryetari i Komisionit vlerësues z. Hysen Matoshi, konfirmoi se vlerësimi i Jurisë për ndarjen e Çmimit “Azem Shkreli” autores Sabile Keçmezi – Basha, është dhënë me motivacionin për punën e saj krijuese në fushën e letërsisë, një varg veprash që shquhen për prurje të reja, si në përmbajtjet ideore, ashtu edhe në format letrare.

Ndërsa për çmimet tjera, juria dha këto vlerësime: Proza “Shtatë udhë” e autorit Rrahman Paçarizi të kujton rrëfimin biblik për krijimin e botës e të njeriut brenda një jave. Romani “Përsëri mars” i Albina Idrizit ngërthen vlera ideore, estetike dhe artistike; elemente të bollshme realiste, aktuale, madje historike. Përmbledhja poetike “Kur qajnë hardhitë” e Xhevdet Bajrajt, shquhet për intonacionin e veçantë ligjërimor e estetik, për krijimin e kodeve dhe figurave poetike me një emancipim të thellë mendimor e emocional. Përmbledhja poetike “Duke kërkuar hijen tënde” e Nexhat Rexhës shpërfaq dramën e individit si reagim artistik përballë bëmave të historisë dhe të aktualitetit. Studimi monografik “Dramat e Qosjes” i Berat Dakajt (Armagedonit) ngërthen një shumësi elementesh dhe premisash të zhvillimit të dramës shqipe në kontestin historik, teoriko-letrar, ideoestetik, filozofik, antropologjik, mitologjik e socio-psikologjik. Romani autobiografik “Guaska” i Mustafa Halifas, shkrimtar sirian, është njëra ndër veprat lapidare që, nëpërmjet një rrëfimi të çlirët, përshkruan dhunën dhe brutalitetin e pushteteve, rrjedhojat që ia krijon individit të qëndruarit brenda guaskës kufizuese. Tregimet e vëllimit “Libri i përrallave të gjyshit” të Jonuz Fetahajt përshkohen me ngjarje që trajtojnë botën e brendshme të fëmijëve, dëshirat, ëndrrat, mendimet mbi jetën dhe për jetën.

Ndërkaq, Sabile Keçmezi-Basha si fituese kryesore e çmimit dhe në emër të laureatëve e falënderoi Ministren Dumoshi për ndarjen e çmimit dhe tha se ndihet e nderuar me marrjen e çmimit për veprën jetësore me emrin e të madhit Azem Shkreli.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.