DYLON

Çlirimtarët meritojnë respekt, dinjitet dhe mbrojtje, sepse pa ta nuk do të kishim as liri, as shtet

Çlirimtarët meritojnë respekt, dinjitet dhe mbrojtje, sepse pa ta nuk do të kishim as liri, as shtet
Avatar photo Redaksia

Shkruan: Bekim Selishta

Nuk është as etike dhe as morale që, në këto momente historike të turbullta politike – si në planin lokal ashtu edhe në atë global – të gjykohen çlirimtarët e Kosovës nga Gjykata Speciale pa fakte dhe pa asnjë dëshmi reale për krime lufte. Këto akuza të fabrikuara janë produkt i atyre që kurrë nuk ia kanë dashur të mirën këtij vendi dhe që synojnë ta njollosin luftën e drejtë për liri.

EkoHigjiena

Gjyshi im i ndjerë, i cili ndërroi jetë në vitin 1998, kishte një fjalë që më ka mbetur thellë në mendje:

“Po të më mjaftonte edhe vetëm një orë jetë, do ta doja ta jetoja në Kosovën e lirë”

Ai u nda nga kjo botë pikërisht në kohën kur nisën aksionet e UÇK-së, duke u larguar me ëndrrën e një Kosove të çliruar nga pushtimi serb dhe të bashkuar me Shqipërinë.

Sot, fatkeqësisht, shohim se disa dashakeqë gëzohen kur dënohen ata që i nisën aksionet kundër kriminelëve serbë, që nga viti 1998, në mbrojtje të popullatës civile. UÇK-ja ishte një guerilë e lindur nga revolta ndaj dhunës sistematike, shtypjes dhe krimeve që Serbia ushtroi për dekada me radhë mbi popullin shqiptar.

Ironia më e madhe është se sot jetojmë në një Kosovë të lirë dhe të pavarur, falë asaj lufte, e megjithatë po i gjykojmë ata që u ngritën kundër regjimit kriminal serb, ndërkohë që Serbia vazhdon të mos kërkojë falje dhe të mos japë drejtësi për krimet e saj.

Ne duhet ta duam dhe ta mbrojmë të vërtetën tonë përballë Serbisë, duke mos lejuar që ndasitë politike, inatet dhe garat e brendshme të na përçajnë.

Kombi dhe ata që sakrifikuan për kombin duhet të jenë mbi politikat ditore dhe interesat e ngushta partiake. Çlirimtarët meritojnë respekt, dinjitet dhe mbrojtje, sepse pa ta nuk do të kishim as liri, as shtet. /2LONLINE/