DYLON

Çka tha edhe diçka Jablanoviçi e që ne nuk e kuptuam!

Avatar photo Redaksia

Shkruan: Naser Berisha

(2L ONLINE) – Se pushtetarët mundohen me pranua arsyetimin e JablanovIçit për fyerjen e nënave gjakovare e besa edhe të një kombi në tërësi si EGËRSIRA me arsyen se: “kam qenë i ri dhe nuk kam pasur njohuri për krimet në Gjakovë” është e kuptueshme duke e ditur se kush janë këta, dhe se për pushtet janë në gjendje të bëjnë gjithçka, e besa edhe të shkelin mbi gjakun e dëshmorëve dhe martirëve të luftës. Në anën tjetër, po ashtu të gjithë e kemi kuptuar se Isa, de jure është Kryeministër i Kosovës, kurse de facto as i fshatit të tij të lindjes, Prapashticës nuk është. Por, po habitem se si as opinioni i gjerë, as analistët të cilët vetëm gjumin e bëjnë jashtë studiove televizive, e sidomos gazetarët e mediat, nuk lexuan në mes rreshtave se çka tha Jablanoviçi dhe se si ai përsëri na ofendoi, por kësaj radhe, inteligjencën! Nuk pati asnjë kundëreagim për arsyetimin e tij banal, në lidhje me ofendimin e parë.

EkoHigjiena

Ja një lexim në mes rreshtave nga arsyetimi i tij për deklaratën skandaloze, apo se çka realisht tha ai e që ne nuk e kuptuam, ai tha kështu: Ju edhe më tutje jeni dhe mbeteni egërsira, por pasi paska patur aq shumë viktima në Gjakovë, po më vije keq dhe është dashur të më vije gjynah të ju them edhe publikisht atë që unë mendojë për ju çdo ditë, se çka ju jeni!

Ky është përkthimi apo leximi në mes rreshtave.

Ai si një 18 vjeçar, na paska qenë i ri me kuptua se çka do të thotë krim dhe spastrim etnik, por nuk paska qenë i ri në moshën 5-6 vjeçare (viteve të ’80) me mbajt në mend propagandën shtetërore serbe të asaj kohe, kur neve na quanin si njerëz me bishta, e që realisht propaganda e atëhershme dhe deklarata e tij tani, nuk kanë kurrfarë dallimi, sepse çdo egërsirë e ka një bisht, bile-bile deklarata e tij sot, bazohet në propagandën e atëhershme shtetërore.

Ose më mirë të them se ky po dëshiron të na bindë neve se në moshën 5-6 vjeçare ka shikuar lajmet në orën 19:30 dhe propagandën serbe në TV, nga ku edhe e ka zanafillën deklarata e tij, kurse në moshën 18 vjeçare ka shikuar TV vetëm në mes orës 19:15 deri në 19:30 (filma vizatimor) dhe nuk i ka interesuar se çka po transmetojnë më pas lajmet, a e shihni se pse po them se po na fyen inteligjencën dhe ne nuk po e kuptojmë.

Një shembull konkret nga jeta ime.

Ishte një e Diele e muajit Mars të vitit 1988 në një ishull në Kroaci (Mali Loshinj, ishim në shërbimin ushtarak), ishim një grup prej 8-9 vetave dhe pasi unë i këndova disa këngë me kitarë nga Beatles, Bob Dylan etj. dhe i kishim pirë disa birra, mu afrua një slloven 18 vjeçar (i dehur) e me tha: Si është e mundur që ju me bishta të luani kitarë dhe të këndoni në anglisht, e pyeta se nga e ka këtë informacion, më tha se para se të vija në shërbimin ushtarak, familjarët e tij e kishin këshilluar se kurrsesi mos të hyje në konflikt me shqiptarët, sepse ata janë të egër dhe se evolucioni natyral i tyre ende nuk ka përfunduar, e bile edhe bishti ende është paksa i dukshëm tek ta, dhe më pas ma kujtuan dhe më thanë se ti e din mirë se çka ka ndodhur në Paraçin vetëm disa muaj më herët.

Pra, rasti i montuar i Paraçinit e kishte arritur efektin e vet, e i cili për qëllim e kishte ngritjen e urrejtjes ndaj shqiptarëve nga çdo popull tjetër që jetonte aso kohe brenda kufijve të Jugosllavisë si një lloj parapërgatitje për një luftë të mundshme që aso kohe mendohej se do të fillonte në Kosovë (dhe siç tani ne e dimë, ironia e fatit deshi që lufta në ish-Jug. nuk filloi në Kosovë por pikërisht në Slloveni).

Kurse, unë atij ia ktheva vetëm një përgjigje gjestike, u ngrita në këmbë i zhvesha pantollonet dhe brekët dhe ia ktheva prapanicën! /2L ONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.