(2LONLINE) – Nëse asociacioni i Komunave me shumicë serbe i ka siguruar Serbisë kontrollin mbi 10 komuna, që shtrihen në 25% të territorit të vendit; hapja e Kushtetutës do të thotë kontroll mbi të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës nga Serbia. Ky akt që po bëhet kinse për integrimin e minoritetit serb në Kosovë, do të shpije drejt integrimit të Kosovës në Serbi. Angazhimi për ndryshime kushtetuese në emër të reformës zgjedhore është angazhim për të mos ndodh reforma zgjedhore.
Me inicimin e reformës zgjedhore priteshin ndryshime që do t’i pamundësonin keqpërdorimet gjatë procesit zgjedhor, garantimin e respektimin të vullnetit të votuesve, përfaqësim sa më proporcional të të gjithë qytetarëve pa dallim gjinie, kombësie, grupi të interesit etj.
Përkundër deklarimeve pompoze për punën e komisionit të ekspertëve për hartimin e ligjit të ri me ndryshimeve të nevojshme që do ta reformonin procesin zgjedhor, reforma nuk ndodhi sepse mungoi vullneti politik i shumicës së udhëheqësve politik.
Pas gjithë asaj pune, u arrit marrëveshje që asgjë të mos ndryshojë: edhe më tutje Kosova mbeti me një zonë zgjedhore, listat mbetën të hapura, sistemi mbeti proporcional, pragu zgjedhor mbeti i njëjti. Bazuar në marrëveshjet e arritura doli se nuk pati nevojë për inicim të reformës. Edhe ndërkombëtarët që kërkonin reformë zgjedhore u pajtuan që asgjë të mos ndryshojë. Ambasadorët megjithatë po insistojnë që të mos shkohet në zgjedhjet parlamentare pa ndodh reforma. Në fund doli se reformë po quhet vazhdimi i vendeve të rezervuara, përkundër ekzistimit të vendeve të garantuara që pakicave ju garanton përfaqësim rreth 200% mbi përfaqësimin e barabartë.
Derisa zgjedhjet lokale prodhuan 10 komuna me shumicë serbe që nuk e njohin Shtetin e Kosovës dhe që përmes asociacionit të komunave do ta nxjerrin një Republikë Serbe, jashtë kontrollit të Institucioneve të Kosovës, e të financuar nga buxheti i Kosovës.
Vazhdimi i 20 vendeve të garantuara dhe hapja e Kushtetutës për t’ju lejuar komunitetit serb edhe më tutje vende të rezervuara e ndoshta edhe ulëse të veçanta për veriun, numri i deputetëve serbë, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës do të jetë aq i madh, sa që do ta mundësojë kontrollin e Republikës së Kosovës nga Serbia, e që faktikisht shpije drejt integrimit të Kosovës në Serbi.
Në emër të integrimit të komunitetit serb ndodhi Plani i Ahtisarit dhe Decentralizimi në baza etnike që qoj drejt dezintegrimit të vendit dhe krijimit të komunave etnike serbe, me çka u legalizua pabarazia në mes të qytetarëve të Republikës dhe u privilegjuan ata të cilat nuk e pranuan shtetin e Kosovës.
Shkelja e parimit të barazisë mbi të cilin i ka vu themelet Shteti i Ri i Kosovës, në asnjë rast dhe për asnjë arsye, nuk duhet të lejohet, sepse ky do të ishte fillimi i shkatërrimit të këtij shteti. Kurse kur të kihet parasysh se këto privilegje i kanë rrit orekset e Serbisë, për ndarjen e Kosovës, rritja ose vazhdimi i tyre s’ka si të mos jetë rritje e orekseve për zhbërjen e Kosovës e assesi për integrim e këtij komuniteti .
Kjo iniciativë për ndryshimet Kushtetuese na i kujton ndryshimet kushtetuese të vitit 1989, të iniciuara nga Millosheviqi, që për qëllim kishin privilegjimin e pakicës serbe dhe diskriminimin e shqiptarëve në Kosovë si dhe kontrollin e plot të Kosovës nga Serbia. Këto ndryshime atëherë u kundërshtuan ashpër nga qytetarët, ato u realizuan vetëm pas ndërhyrjes së policisë dhe ushtrisë së Serbisë, të cilët persekutuan e vranë protestuesit, por e humbën Kosovën.
Tani me lehtësi të paparë po kërkohen ndryshime të Kushtetutës për t’ju siguruar privilegje atyre që hapur po deklarojnë se kurrë nuk do ta njohin shtetin e Kosovës.
Këtë kërkesë të rrezikshme për vendin dhe të pa pranueshme për shumicën absolute të qytetarëve të Kosovës, po e përkrah edhe Kryeministri i vendit i cili deklaroi se:”nuk ka reformë të mirëfilltë zgjedhore pa u hapur Kushtetuta” I njëjti po e kërkon edhe ndihmën e Komisionit të Venedikut, jo për të reformuar por për të vazhduar me privilegjet që prodhojnë diskriminim, dezintegrim, kontrollin e Serbisë mbi institucionet tona dhe vjedhjen e votave.
Pushtetarë e parti, që i kanë shkel interesat e vendit, ka pas Kosova edhe në të kaluarën, por të tillëve nuk ju është lejuar ta përcaktojnë fatin e vendit. Kushtetuta e Kosovës, nuk është as e Kryeministrit as e përkrahësve të tij, e as e partive që të vetmin synim e kanë pushtetin. Kushtetuta është e qytetarëve të këtij vendi që din ta mbrojnë atë dhe interesat e vendit, sa herë që të ketë nevojë, madje edhe nga pjesëtarët e vet të pa ndërgjegjshme.
/Ismajl Kurteshi/