Pranimi i liberalizmit të kushtëzuar është një çmim i lartë për Kosovën!
Euforia që shpërtheu tek pushtetarët dhe qytetarët e Kosovës me rastin e rekomandimit nga KE-ja për liberalizimin e vizave për shtetasit kosovarë, gati sa nuk u shndërrua në festë shtetërore. Në njërën anë festuan pushtetarët për shpërqendrimin total të vëmendjes së opinionit kosovar nga problemet e mëdha të përditshmërisë së tyre, ndërsa në tjetrën anë festuan qytetarët, për largimin qoftë edhe të përkohshëm nga ferri që u krijuan pushtetarët në Kosovën e lirë dhe të pavarur. Rekomandimi për liberalizimin e vizave është lajm i mirë, mirëpo jo edhe aq ekzaltues, siç po shfaqet nga liderët shtetërorë dhe një pjesë e qytetarëve të vendit, ngase kushtet janë aq rigoroze nga BE-ja, saqë, nëse u referohemi kushteve ekonomike të vendit tonë, vetëm një pjesë e vogël e popullatës mund ta shijojnë këtë gjysmë-liberalizimi të kushtëzuar.
Lajm më i mirë dhe shpresëdhënës për qytetarët do të ishin: krijimi i vendeve të punës, investimet kapitale, përmirësimi i sistemit të drejtësisë si kusht për luftimin serioz të krimit dhe korrupsionit në vend, etj. Në rastin e parë, pranimi i liberalizmit të kushtëzuar është një çmim i lartë për Kosovën! Të pranohet ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi sipas rekomandimit të “ekspertëve” ndërkombëtarë, në radhë parë kënaq orekset e Malit të Zi, ndërsa luftimi i korrupsionit me këtë klasë politike të korruptuar në pushtet do të mbetet vetëm një dëshirë dhe iluzion i qytetarëve. Dhënia Malit të Zi mbi 8 mijë hektarë tokë në këmbim të liberalizimit, është më tepër se “fitore e Pirros” në rastin e liberalizimit, e cila vendit i shkakton tkurrje enorme të integritetit territorial. Në rastin e dytë, edhe më të keq, të pranimit të kushtëzimit për FAKun me themelimin e Asociacionit të komunave serbe në veri të vendit, “de facto” dhe “de jure”, Kosova do të pësonte debakël të dyfishit politik: humbje të integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror njëkohësisht. Thënë ndryshe, me krijimin e “Zajednicës” ndodh ndarja e sovranitetit të shtetit në dysh, me çka drejtpërdrejt cenohet rendi kushtetues i vendit. Me këtë kurs qeverisës, politikanët tanë Kosovën janë duke e dërguar në greminë, apo në rrugë pa krye dhe të pambarim, ngase orekset serbomëdha ndaj Kosovës nuk do të mbarojnë me kaq,…Serbia, edhe më tutje do të vazhdojë agresionin politik ndaj shtetit tonë, pasi me këtë lëshim eventual për FAK-un, i lënë derën hapur për një gjë të tillë! Thënë ndryshe, pushtetarët aktualë sovranitetin tonë të brendshëm e kanë shndërruar në tortë, ku secili nga fqinjët po merr pjesën që po dëshiron!
Duke qenë i vetëdijshëm për koston e lartë që do të paguajë Kosova për lëvizjen e “lirë” të qytetarëve të saj, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në fjalimin e tij pas rekomandimit për liberalizim të vizave u mundua t’ua adresojë “meritat” qytetarëve të vendit! Qytetarët e vendit, në asnjë rrethanë nuk do të pranonin humbje të tërësisë territoriale të vendit të tyre në këmbim të liberalizmit, siç u shpreh Thaçi!Mbase do të votonin pa hezitim largimin e kësaj Qeverie kuislinge, pa qenë nevoja për të paguar çmime të larta në këmbim të të drejtave universale, siç është lëvizja e lirë, shprehja e lirë dhe jeta dinjitoze në vendin e tyre. Vallë deri kur do të paguajmë çmime kaq të larta për të drejtat që i gëzojnë të gjithë popujt e tjerë në kontinent ?! Deri atëherë, kur në krye të shtetit janë njerëzit e pakurrizorë dhe të papërgjegjshëm ndaj qytetarëve të vendit të vet dhe servilë ndaj ndërkombëtarëve, shkaku i shantazhit nga akuzat për vepra të rënda kriminale dhe korruptive, që rëndojnë mbi supet e tyre. Mungesa e një opozite të fuqishme, ua ka lënë duart e lira pushtetarëve në marrjen e vendimeve antikushtetuese, në dëm të qytetarëve dhe së ardhmes prosperuese të shtetit tonë. /2L ONLINE/