DYLON

Cilat vlera universale i ndajnë pacientët e të papunët në serbë e shqiptarë?

Avatar photo Redaksia

Shkruan: Besa BAFTIU

/2L ONLINE/ – Se kjo që po i thoni Asociacion ka kompetenca ekzekutive, duket qartë në të gjitha pikat e Marrëveshjes së 25 gushtit 2015, e po ashtu e kemi ditur që nga Marrëveshja e 19 prillit 2013, që u kundërshtua aktivisht nga Lëvizja “Vetëvendosje” në Kuvend e në protesta.

EkoHigjiena

Këtë tanimë e kanë thënë një pjesë e madhe e profesionistëve dhe e qytetarëve të ndershëm në vendin tonë. Është shumë e qartë se ajo çka po i sanksionohet “Zajednicës” është autonomi e plotë, shtet brenda shtetit tonë, përndryshe të gjithë e dimë që Serbia as nuk do ta kishte pranuar e as nuk do ta kishte nënshkruar.

Se ka kompetenca të plota ekzekutive kjo duket haptazi në sektorin e shëndetësisë. Në tekstin e Marrëveshjes, në pikën 4.d. shkruan se “Asociacioni/bashkësia do të ushtrojë mbikëqyrje të plotë në shërbimin shëndetësor primar, sekondar dhe përkujdesje sociale”. Këto kompetenca në Republikën e Kosovës, sa i takon shëndetit primar, i kanë vetëm komunat e dala nga vota e qytetarëve të Kosovës. Ndërsa ato për nivelin sekondar, pra spitalet rajonale, i ka Ministria jonë e Shëndetësisë. E ato për çështje të përkujdesjes sociale i kanë komunat dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Në ç’mënyrë do të emërohen drejtuesit e spitaleve rajonale apo ato të qendrave familjar? Kush do t’i marrë në konkurs komunat apo Asociacionin, Ministria apo “Zajednica”. Po klinikat private në këto komuna kush do t’i licencojë? Sipas kësaj Marrëveshjeje, “Zajednica”. Po çmimet, barnat, regjistrat e pacientëve kush do t’i administrojë? Komunat, organet e Ministrisë së Shëndetësisë apo “Zajednica”. Po zyrat e punës cili institucion do t’i ketë në mbikëqyrje dhe administrim, Ministria e Punës apo “Zajednica”? Po fondi për ndihmën sociale nga buxheti i Kosovës kujt i shkon Ministrisë apo “Zajednicës” meqë ajo do ta shpërndajë atë sipas Marrëveshjes.

Establishmenti në Kosovë ka bërtitur prej vitit 2006 e deri më sot se po integrohen serbët në institucionet e Kosovës. Ky është një mashtrim i madh në kurriz të Kosovës. Çfarë shteti është ky që i ndan pacientët në serbë dhe shqiptarë e të tjerë? Të ndash veç e veç mbi baza etnike spitalet e ambulancat, zyrat e punës dhe ndihmën sociale është shenjë se çfarëdo parimi universal për njeriun është cenuar.

Si dhe çfarë do t’u themi fëmijëve dhe të rinjve tanë pse serbët i kanë spitalet më vete dhe shqiptarët më vete? Ç’lloj të njerëzve jemi ne dhe çfarë janë ata?

Ky është një turp i madh për dinjitetin njerëzor. Kosova është një shtet i varfër e hiç mirë s’i kemi punët me shëndetësinë e me mbështetjen sociale ama ky është shteti ynë dhe të mirat e sakrificat duhet t’i bëjmë bashkë. Ky është një nga kushtet që Kosova jo veç të shkruhet në ligj si shtet unitar, por të jetë vërtet. Uniteti në kushtet e sakrificës e forcon shtetin dhe i integron pjesët e shoqërisë.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i mbështetur nga Hashim Thaçi e kanë shkatërruar me këtë nënshkrim unitetin dhe barabarësinë para rregullave të përbashkëta. Ata janë përgjegjës moralisht, politikisht e ligjërisht për ndarjen etnike të Kosovës.

Ata duhet të largohen sa më parë bashkë më nënshkrimet e tyre. /2L ONLINE/

/Besa Baftiu, deputete e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe anëtare e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale/