DYLON

Cikël poetik nga Mehmetali Rexhepi

Cikël poetik nga Mehmetali Rexhepi
Avatar photo Redaksia

Meti REXHEPI

BLERTIANË …
( (cikël poetik )

EkoHigjiena

GRISHJE PERRISË

Kahdo hedh dritën e dritës së dritësimit
relievi i larë pa tisin e tymit
pluhuri po thithet nga mushkëritë e barit
Blerorja ngjizet basmave të degëve
furishëm si etje e ekologjisë
erërat bartin farëra amanetesh diku çelin
pa lot të vakët shirash diku shterpa ngelin
pra le të vijë Perria me krehër të ozonit në dorë
uria më së miri e vizaton bukurinë magjike të bukës norë
është shtruar qilimi i fijeve për shpirtra galdim-ndjelljesh
sytë dhe fytyrën mund t’i ngjyeni krejt falas me kozmetikë të natyrës
këmbët me hapa të shkujdesura rendin për sofra erë – mirash
lë të shkelin vërdallë mbi përmallje
përse të mos u tingëllojë zemër-kumbimi
ritmesh të përshpejtuar këtij gufimi
dhuntia e blertë t’i grishka apo nuk t’i grishi ëndjet për të vjela të këtij prarimi
ndoshta e paske një shpirt
të mbështjellë prej zhgualli pa hyrje – dalje frymimi
çfarë të mbanë pezull të mos bredhësh
qoftë me këmbët e zemrës prej telash
mbi filozofi të së gjelbrës deri në pikëllimin e së verdhës

BARI I NJË GJAKIMI

Ç`është ajo ngushticë
që nuk u depërtuaka të vish
shurdhëria a verbëria mjerisht
të përjashtuakan nga pentagram blertësish
kujt i munguakan pamjet e shtrirjes
nudo e pikturuar mes më të bukurës shqisë
si nuk e shohke me sy të barit
buzëve faqeve flokëve myshkun e shtresuar ballit
si një zhgënjim i padorëzuar i së blertës
Blerorja do të trokasë mbi deriçkat e poreve
lehtë-lehtë sa fare nuk e ndieke
gjithandej lëpijnë jonizime të ëndjes
tash mbi mua rigon mallëngjimi
e mungesës i rritet vetëm bari i një gjakimi

EJA BLEROJU MOJ PERRI

Motivet drithëruese po më shpijnë
në qasjen enigmës së afsheve të bashkëdyzimit
tambli i bardhë rrjedh dhe ngelë
në të blertat e enëve fije-fije
nesër a do të puthen buzët
të miat ndoshta nuk të djegin si hithrat
andaj e(t)ja moj Perri bleroju edhe ti
thyej shtatë drynat e hezitimit
shiko si i vardiset kanarina
zërit tenor të bilbilit
janë çastet e harlisjes së dashurisë
mërzitshëm më sjell në një hark elipse
kontrasteve të relievit fluturimi
majave të një mërgimi

ASSESI TË MBETESH ANDEJ

Këput një gjethe të njomë
prej pemës sime të çelur
vëre në buzë ndoshta e prekin thellësinë e shijes ëndjet Tua
përderisa pritja t`i hedh gjithandej të thara
dhuntitë e klorofilit plasaritjeve mbi dhera të çara
era e motit dhe rruazat e çasteve
e një pas njëshmja lidhur fatesh
vjegëzave smirëzezash
e assesi doja të mbetesh andej urës
derisa kurrizin e saj të thyer e përforcuan me mijëra lëkura
akëcila do të fshihet pas ylberin tim
edhe kur nuk bien shira

së paku modeli yt nuk më ikën Perri lozonjare
nën urë po më rrjedhin gjakime dhe flora me zverdhime