Lajm i rëndë! CIA paska lexuar mendjen e popullit dhe të secilit qytetar, prandaj tash i ka shtuar vetes edhe një obligim tjetër: të lexojë libra dhe të përkujdeset për drejtimin apo udhëheqjen e shtëpisë së librit! Nuk ka nevojë për ndonjë përgatitje të veçantë akademike, profesionale, me formim kulturor, letrar, shkencor e pedagogjik – paska thënë bosi i qytetit. CIA e don nxënësin, studentin e profesorin. CIA ka vendosur se pas shpërbërjes formale nga postpavarësia, të marrë një mision tjetër: ndriçimin e popullit. Ashtu-kështu, pak po lexohet në këtë qytet e vend. Ashtu-kështu duhet të krijohet një frymë tjetër, një strategji e përvojave të shërbimeve inteligjente për të sjellur lexuesin në bibliotekë. Përmes CIA-së, do të mësohet për secilin individ sa lexon, si lexon, cilat libra lexon, kur i kthen, kush nuk i kthen në kohën e duhur. CIA përmes hyrjes në bibliotekë, i ka vënë vetes synim kryesor që ta identifikojë secilin lexues, ta njoh për së afërmi atë dhe t’ia kthejë dinjitetin e humbur tempullit të dijes. CIA beson se nuk na duhet në këtë fazë të zhvillimit shoqëror, kulturor dhe intelektual, ndonjë super-vizion mbi zhvillimin e bibliotekës, gjetjes së formave inovative për të ngjallur e ringjallur lexuesin e sotëm e të së ardhmes. CIA i ka saktë informacionet se sa profesionistë që njohin fushën e bibliotekave ndodhen në këtë vend. E di se ka ndonjë aty-këtu, por nuk ka nevojë për bibliotekistë të arsimuar në lëminë përkatëse, pasi që edhe prej stafit punues të bibliotekës ekzistuese ka me orientim të duhur profesional dhe akademik, por ata nuk duan të gradohen për shkak të modestisë që kanë. CIA ka informata se në mesin e stafit punues ka edhe të atillë punonjës që kanë shkuar në Slloveni për të marrë përvoja profesionale mbi organizimin, planifikimin dhe menaxhimin e librit, por konsideron se përvojat e tyre janë shumë më të pasura se sa akademia mbi bibliotekat në shtetin më të zhvilluar të ish-Jugosllavisë. CIA është e informuar se në Gjilan ka dhjetëra shkrimtarë, mësimdhënës, e të ngjashëm, të cilët do ta udhëheqnin më mirë bibliotekën, vatrën e dijes e të shëtitjes nëpër kohë mendjesh botërore e lokale, por disa pjesëtarë të saj të çertifikuar apo edhe që i njeh si të tillë qyteti (sepse pak agjentë tregojnë hapur të qenit dikur apo aktualisht pjesëtar i ndonjë shërbimi sekret, apo tek e fundit, nëse dikush identifikohet si i tillë, po e marrim si të tillë, si shenjëzues), kanë mbetur pa punë. Atyre duhet t’i gjejmë vend në bibliotekë, balet, teatër, e në institucione të tjera të krijimtarisë shpirtërore. CIA nuk e ka parë të nevojshme të hapet një konkurs publik dhe të përzgjidhet një individ me vizion për riformatimin e bibliotekës, për të reformuar sistemin bibliotekar, për të pasurur me titujt e rinj, për të nxitur dhe përshpejtuar zgjerimin e hapësirave për lexuesit dhe dialogun e shtuar intensiv për të përfunduar sa më parë Bibliotekën e Re, të lënë në ndërtim si për gjynah. CIA e sillë dhe e pshtillë të parin e vendit, sepse ashtu kështu ky i fundit është lodhur kohës së fundit me mbajtjen e pushtetit; nuk po është i sigurtë se a do të jetë përsëri i nominuar, çka do të bëhet me fatin e tij të ardhshëm dhe nuk ka se si të brengoset për bibliotekën që mund të degradohet nëse timonin e marrin edhe tipa që më shumë bëjnë veshët katër, sesa lexojnë dhe e duan librin. CIA e dinë që një njeri që e kishte drejtuar dikur bibliotekën, që e donte thellësisht librin dhe që e ka edhe kulturë personale, edhe kulturë familjare librin, tashmë nuk është aty për shkak të ligjësive biologjike të gerantologjisë. CIA e sheh që studentët dhe nxënësit nuk interesohen fortë për atë se kush po vjen sot, sepse janë të zënë me provime e studime. Janë të brengosur për obligimet që vijnë nga shkolla dhe universiteti. Madje, edhe nga ngarkesat emotive që vijnë prej krizës së rëndë ekonomike dhe sociale në vend. Studentët dhe nxënësit kanë në mendjen e tyre besimin se këto punë duhet t’i drejtojë shteti dhe komuna. Tek e fundit, e jona është të lexojmë e të marrim libra në bibliotekë, ndërsa udhëheqësve u mbetet drejtimi dhe kujdesi i institucioneve kulturore dhe akademike. CIA nuk ka ide se si funksionon sot biblioteka bashkëkohore, si bëhët përpunimi, renditja, ruajtja e librit; si ndahet letërsia botërore, shtypi periodik, e klasifikimi në përgjithësi. Nuk ka koncept zhvillimor bashkëkohor të rrjetit të bibliotekës qendore me ato sublokale në fshatra dhe shkollat e komunës. Nuk e di se çfarë është katalogimi, digjitalizimi i bibliotekës dhe si nxitet mjedisi për lexim. Nuk imagjinon dot se drejtuesi i bibliotekës jo vetëm duhet të jetë një drejtues kreativ dhe i përkushtuar, por duhet të jetë me dije profesionale mbi bibliotekat, ta ketë të paktën dashurinë mbi librin, më shumë sesa atë mbi makiaton e vogël. Nuk e di as unë saktësisht më si bëhet ky qytet, por më duket se ky qytet po zhbëhet nga secila vlerë e vlerësim. Ky qytet po shkallmohet në sistem vlerash dhe orientimesh. Më ik mendja për një çast te poeti Beqir Musliu dhe pyes veten: a thua po të ishte gjallë ai, si do të ndihej kur e sheh se individ pa përgatitje adekuate marrin mbi supe, udhëheqjen e shtëpisë së leximit e të literaturës? Më shkon mendja edhe te libri i fundit që e pata marrë për ta lexuar në bibliotekë: “Fan Noli dhe një revolucion i ikur” dhe më klikohet pyetja e njëjtë për Nolin: a thua si do të ndihej kur do të dëgjonte rrëfime të tilla?! Njëherë provova ta shkruaj këtë shkrim në mënyrë direkte, por m’u duk se cinizmi më i madh do të ishte sikur të shkruhej realiteti, e të mos ironizohej ai. Ishte koha e shkuarjes deri në kufijt e të palejueshmes, prandaj, s’ka më si të shkruhet në trajtë konstatimi të thjeshtë real. Nuk ishte as punë trimërie, ndonëse e pranoj na kanë terrorizuar me fjalë, mjete kontrolli, shantazhi e të ngjashme. Definitivisht, për atë troh trimërie që kam, po prezantohem:
Unë quhem Avni Rudaku.
Jetoj dhe veproj në Gjilan.
Çmendem pas librit.
Lexoj edhe kur jam galuc në toilet ato markat e detergjentëve përreth meje, vetëm e vetëm të lexoj diçka, sepse leximi më eksiton tejmase dhe e kam pasion sall për vete, por nuk mund të rri pa e shprehur këtu sa herë bëhet fjalë për librin, ngjashëm siç bëjnë adoleshentët e dashuruar, që nuk mund të rrinë dot të heshtur kur u përmendet subjekti që ata ndjejnë dashuri për të.
Ndonjëherë përhumbem në lexim, sakaq nëna më rrinë gati si për çunin e vogël, e më thotë: “Le djali jem atë libër, e çohu ha bukë!” Më shqetëson çdo gjë që i ndodh shtëpisë së librit. Për librin, rrezikoj të fërkohem edhe me CIA-në.
Për çdo nevojë, po ju lë edhe numrin tim në redaksi.
Nuk është bre problem, veç më cingëroni, unë vetë ju thirri!
***
Dhe krejt në fund, bëhem gati t’ia nisi drejtuesve të qytetit tim, një sms:
“Hapni konkurs publik! Ose, përzgjedhne një person që është i thirrur për udhëheqjen e bibliotekës; ose tekembramja, merrne një punonjës nga vetë stafi i bibliotekës që janë profesionistë në këtë fushë të iluminimit bibliotekar. Dhe CIA s’ka çfarë kërkon më aty. Le të gjejë një vend tjetër të punës, se veç edhe aty i paska mbetur t’i fus hundët!” /2LONLINE/