Çfarë rezultati do të sjellin protestat e opozitës?
Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, e kanë caktuar 18 prillin si datë për të protestuar kundër Qeverisë. Ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti do të dal në protestën e 18 prillit, por nuk beson se kërkesat e protestës do të realizohen. Megjithatë Kurti ka paralajmëruar protesta të tjera edhe pas 18 prillit.
“Nuk jam aq optimist, por jemi të vendosur, jemi insistues për këtë gjë, e besojmë se është e vërtetë edhe e drejtë. Mendojmë se edhe kërkesat nuk janë të parealizueshme nëse ka vullnet dhe që të gjitha janë të arsyeshme, të matshme dhe shumë konkrete”, ka theksuar Kurti.
Njohësi i çështjeve politike, Arbër Gashi, thotë se, opozita duhet patjetër të reflektoj dhe ta promovojë një kulturë të re të protestës, demonstratës dhe artikulimit të kërkesave.
“Shteti është kapur, kjo nuk do koment, por, kapjen e shtetit e mundësoi kultura dhe mentaliteti komunistëve shqipfolës, qofshin ata stalinist, enverist, titist dhe shpeshherë edhe opozitar. Prandaj, edhe nëse proteston, opozita nuk duhet ta fajësoj popullin për zgjedhjen e bërë, sepse vet opozita nuk e ka profilizuar veten sipas shijes dhe pritjeve të elektoratit”, thotë Gashi për gazetën “Bota sot”.
Ai thekson se, elektorati i Kosovës është pragmatik, i fokusuar rreth interesit nacional dhe atij ekonomik. “Mbi të gjitha, elektorati i Kosovës e do hyrjen në BE si qytetar i dinjitetshëm e jo assesi si skllav i përbuzur e komb i ndarë si mos më keq”, vlerëson Gashi.
Rezultati i protestës, sipas Gashit, varet nga artikulimi i kërkesave. “Drejtuesit aktual të opozitës, me përjashtim të drejtuesve të AAK-së, janë shquar në të kaluarën për protesta të dhunshme, djegie flamujsh dhe për kapje të shtetit (Nisma për PDK-në e re). Çfarë i sjell politika e opozitës së sotme shtetit? Cila është vlera e kësaj politike opozitare? Qytetarët e duan dhe e kërkojnë një perspektivë të re. Protesta e datës 18 është një mundësi e mirë për të promovuar kulturën e protestës paqësore, reflektimin e opozitës mbi gabimet e së kaluarës dhe hapjen e një dialogu për vlerat që i ofrojmë shoqërisë”, thotë njohësi i çështjeve politike Arbër Gashi.
Në protestën e paralajmëruare me 18 prill, partitë opozitare kanë përcaktuar pikat kryesore, të cilat janë: Trepça të shpallet me ligj ndërmarrje publike me status të veçantë; të shkarkohet Hajredin Kuqi; të dorëhiqet Enver Hasani; të shkarkohet menaxhmenti i RTK-së; kundër çmimit të lartë të rrymës si dhe kundër uzurpimit të sistemit të drejtësisë dhe kundër Asociacionit të Komunave më shumicë Serbe.
