DYLON

Çfarë po ndodh me Ferronikelin

Avatar photo Redaksia

Në fillim të këtij shkrimi dua t’i rikujtoj publikut një pjesë të shkurtër nga diskursi i debatit “Ferronikel” gjatë këtyre 32 viteve të jetës së tij. Që nga viti 1974, kur ishte marr vendimi për themelimin e Ferronikelit, rrinë pezull pyetja;
A do të përpunohet xehja e ferronikelit në Kosovë apo në Maqedoni?

Aso kohe udhëheqësit komunistë të Kosovës ishin futur në një debat të nxehtë mbi potencialet minerare të hekur-nikelit dhe mundësit e përpunimit të tyre në Kosovë me komunistët maqedonë të cilët insistonin që këto rezerva të barten në Maqedoni. Ky debat i mbështetur edhe nga një ekspertizë e lartë profesionale e shkencore u fitua falë një kreditimi ndërkombëtar (580 milion $), i cili mundësoi zhvillimin e minierave dhe industrisë përpunuese të hekur-nikelit në Kosovë. Por, edhe përkundër kësaj, nuk kishin pushuar pretendimet maqedone duke projektuar dhe ngritur mbi bazat e rezervave minerare në Kosovë, kompleksin e tyre “Feni” në Kavadarc, i cili deri në privatizim ishte jo rentabil dhe disa herë kishte kaluar procedurat e falimentimit.

EkoHigjiena

Aktivizimi i Ferronikelit u kthye në bartës kryesor të zhvillimit ekonomik. Pas Trepçës, Ferronikeli ishte gjeneratori më i madh i eksportit në vend. Bazuar në kapacitet e trashëguara të përpunimit, rolin strategjik të nikelit në Industrinë Botërore, traditën përpunuese të kultivuar këtu e 32 vite si dhe potencialet minerare kompleksi “Ferronikeli” edhe pas lufte nga ekspertë ndërkombëtar konsiderohej si “Xhevahir i Kurorës Mbretërore” në spektrin e ish-NSH-ve, ngase pritej të ketë një rrjedhë të paraje që përfaqëson diku 10% të GDP-së së Kosovës.

Nga viti 1999 menaxhmenti i “Ferronikelit” kishte ngritur një debat gjithëpërfshirës mbi riaktivizimin dhe zhvillimin e burimeve minerare dhe përpunuese. Ekspertët më eminent të metalurgjisë dhe minerareve edhe në shkurt të vitit 2000 i kanë prezentuar ish – Departamentit të Tregtisë dhe Industrisë (shtylla e Katërtë e UNMIK-ut) një program për riaktivizimin dhe zhvillimin e “Ferronikelit” ku si pikënisje ishte “dhënia me kontratë koncensionale e kompleksit të “Ferronikeli-t”. Qëllimet kryesore të këtij koncesionimi kanë qenë: tërheqja e investitorëve strategjik, implementimi i një programi të qëndrueshëm investiv, zhvillimi i gjithë industrisë minerare në Kosovë, e veçanërisht rindërtimi dhe modernizimi i kompleksit xehetaro-metalurgjik, ,,Ferronikeli”. Mirëpo, në kundërshtim me këtë nismë zhvillimore, me pajtimin e krerëve të atëhershëm politkë-institucionalë, edhe përkundër mungesës së kornizës ligjore e institucionale, AKM vendosi të shpallë tender për privatizimin e “Ferronikelit”.

Pa dashur t’ju rikujtoj se procesi i privatizimit të„Ferronikelit“ është i vetmi kompleks xehtaro-metalurgjik që është privatizuar pa ligjin për miniera, pa skemë të mirëfilltë të iniciativës investive dhe me kundërshtime e debate të ashpra në mes AKM-së dhe Bashkimit të Sindikatave te Pavarura, Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Ferronikelit”, Shoqërisë Civile, Pushtetit Lokal, etj., desha t’ia rikujtoj Ministrit Stavileci se menaxhmenti i ferronikelit po eksporton xehe në kundërshtim me ligjet e Kosovës, me kontratën e shitblerjes dhe në kundërshtim me marrëveshjen e zotimeve!

Ky Ministër këtyre diteve tha se “nuk e di çka po bëhet me “Ferronikelin”, por nëse kompania e ka shkel ligjin do të marrë masa”! Për t’ju bindur z. Ministër se përpunimi i xehes në Kosovë- shkritorja Drenas është kusht i vënë ligjor po ju rilexoj vetëm disa nga kushtet e panegociushme nga “Rregullat e Tenderit për Privatizimin e Ndër. së Re “Ferronikeli SH.P.K.” përmes metodës së Spin-Off, me të cilën është privatizuar Ferronikeli.

E para; “Ofertuesi duhet të paraqes një plan të ringjalljes, me detaje për qasjen përpunuese, afatet kohore të komisionimit, si dhe nivelet e të hyrave për prodhimet për këto afate kohore”.

E dyta; “Do të parashikohet një mundësi pezullimi apo ndalimi për të gjithë kapitalin në aksione të Kompanisë se Re, i cili do të ushtrohet në rast se kushtet e më sipërme nuk plotësohen. Kjo mundësi pezullimi do të kthehet prapa apo do të bjerë posa të tregohet që këto kushte janë përmbushur”.

Fare në fund, z. Ministër, është e saktë se tregjet ndërkombëtare të mineraleve po shënojnë periudhat më të vështira të 20 viteve të fundit. Por, edhe përkundër këtyre trendeve “Feni” i Kavadarcit, që dikur shquhej si dinasour i ekonomisë maqedone, po arrinë të jetë rentabil dhe të mbijetoj falë eksportit të xeheve nga Kosova, ngase Qeveria maqedone i ka rikujtuar më shumë se tri here blersit të Fenit “mundësin e pezullimit apo ndalimit për të gjithë kapitalin në aksione të Kompanisë”.

Ju, në vend që të ngritni ekipe për komisionimin dhe vlerësimin e kushteve dhe zotimeve nga marrëveshjet dhe kontrata e shitblerjes, si dhe të rishqyrtoni pezullimin apo ndalimin e kapitalit, po e dezorientoni debatin duke e orintuar atë në legalitetin e eksportit të xehes. Ju keni zgjedhur heshtjen përballë kësaj sfide të madhe të rikthyer që nga vitet e sundimit jugosllav…

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.