(2LONLINE) – Në përvjetorin e 8-të të vdekjes së Presidentit Rugova, që për dikë është historik ndërsa për kundërshtarët mund edhe të mos jetë ashtu, megjithatë historisë i mbetet që figurat kombëtare dhe rolin e tyre t’i radhisë në bazë të kontributit real në përmasat e tyre dhe në kohën në të cilën ata kanë kontribuar dhe vepruar. Për ithtarët e tij, Rugova mbetet sinonim i një burrështetasi të vërtetë, I angazhuar me tërë qenien e tij për një shtet demokratik të lirë dhe të pavarur. Një burrështetas I cili jetën e Tij e shkriu për bërjen e Kosovës shtet me vlera perëndimore, të zhvilluar ekonomikisht dhe një shtet ku sundon ligji.
Për ithtarët e tij dhe vlerësuesit realë, Dr. Rugova përfaqëson mendimtarin, burrështetasin dhe politikanin e atyre përmasave intelektuale dhe atdhetare që shumëkush edhe do t’ia ketë lakmi për vlerat e tij, ashtu si edhe për kundërshtarët e tij që madhështia dhe popullariteti I figurës së tij do t’i pengojë shumë dhe nuk do të ndalen ta fyejnë dhe ta stigmatizojnë deri në frymën e tyre të fundit.
Shikuar nga një këndvështrim real, apolitik dhe jo emocional, figura e Ibrahim Rugovës do të jetë pjesë e historisë sonë të përkrahur nga njëra anë dhe të kontestuar nga ana tjetër, ashtu siç do të jetë edhe gjithë historia jonë shqiptare. Historianët dhe historiografia shqiptare do të jenë pjesë e një debati të pambarim ndërmjet krijuesve të heronjve dhe antiheronjve dhe si duket do të jetë e vështirë të gjendet një modus për të arritur tek një kompromis, sa kohë që politika do ta bëjë historinë dhe anasjelltas.
Rugovistët, antirugovistët dhe pseudorugovistët
Ndërmjet këtyre tri kategorive të mendimtarëve dhe veprimtarëve, kategoria e pseudorugovistëve është ajo që pak më vështirë mund të identifikohet, derisa dy kategoritë e para lehtë e identifikojnë njëra tjetrën. Natyra e komunikimit dhe debati që vazhdon të bëhet rreth rugovizmit në kohë të ndryshme nëpër media, nxjerr në pah më tepër luftën politike ndërmjet forcave politike për trashëgiminë rugoviane dhe poenët e mundshëm që mund të fitohen si dhe lufta në anën tjetër përmes kritikëve si Qosja dhe Demaçi të cilët vazhdimisht i ka penguar madhështia e Rugovës që përjetësisht i lë nën hije këto dy figura për të hyrë në altarin e historisë, siç ndodhën me reagimet edhe në rastin e përjetësimit në bronz të shtatores së Presidentit Rugova.
Rugovizmi si lëvizje, çfarë dhe Kush e përfaqëson atë?
Liderët të cilët kanë përfaqësuar një epokë të caktuar me veprimtarinë e tyre dhe kanë krijuar një rrymë të caktuar filozofike, politike apo ekonomike në fakt kanë lënë edhe trashëgiminë e tyre në emër të të cilëve edhe është thirrur ajo filozofi apo shkollë që krijon pastaj edhe pasuesit dhe kritikët në të njëjtën kohë. Rugovizmi pra duhet të përfaqësojë klasën politike që ka përqafuar të gjitha vlerat të cilat janë promovuar dhe kultivuar nga Presidenti Rugova.
Demokracia liberale që shquhet për ndarje e tre pushteteve: legjislativi (parlamenti), ekzekutivi(qeveria) dhe juridik (gjyqësori), pluralizmi partiak, shteti i fuqishëm ligjor dhe një qeverisje përfaqësuese e përgjegjshme dhe llogaridhënëse janë ndër vlerat bazë të cilat përfaqësohen nga rugovizmi dhe rugovistët e vërtetë.
Në fakt përveç LDK-së si forcë politike që thirret në trashëgiminë rugoviane, edhe forcat tjera mund t’i marrin këto elemente dhe t’i inkorporojnë dhe t’i promovojnë, pasi që Rugova edhe si President edhe si lider i ka kaluar përmasat e një Kryetari të partisë të cilën e formoi dhe udhëhoqi. Mirëpo, gara për ta përfaqësuar sa më denjësisht atë praktikë dhe filozofi sigurisht se duhet të bëhet ndërmjet forcave të djathta politike, por sigurisht se kjo duhet të bëhet me vepra dhe jo me deklarata të kota e pa përmbajtje.
Kritikët parimorë mund të thonë se për shkaqe të ndryshme këto vlera të politikëbërjes dhe të qeverisjes me gjithë dëshirën për ti praktikuar dhe promovuar, Presidenti Rugova nuk kishte arritur t’i sendërtojë. Ndër shkaqet kryesore të kësaj ishin rrethanat që u krijuan pas përfundimit të luftës, ndërtimit me shumë vështirësi të mëdha të institucioneve shtetërore, shtet të cilin ai edhe nuk arriti ta shpallte. Megjithatë, parimet kryesore në të cilat ai deshi ta ndërtonte shtetin e tij besoj se janë baza kryesore në të cilën trashëgimtarët e vërtetë të kësaj filozofie duhet ta përçojnë dhe praktikojnë në përditshmërinë e tyre.
Antirugovizmi dhe antirugovistët
Në anën tjetër, pra, kemi kundërshtarët ideologjik dhe politik të Rugovës dhe filozofisë rugoviane që me të gjitha mjetet janë munduar dhe mundohen çdo ditë ta luftojnë për arsye të konkurrencës dhe të frikës nga pasuesit e kësaj filozofie, që nënkupton edhe rrezik politik dhe humbje të zgjedhjeve nga partitë që përfaqësojnë këto rryma kundërshtare politike dhe ideologjike. Lufta e vazhdueshme ndërmjet forcave politike në Kosovë dhe partitë tjera në Shqipëri dhe kudo ku jetojnë shqiptarët ka ndarë në blloqe të mëdha (sidomos në Kosovë dhe Shqipëri) partitë që nuk dëshirojnë ti njohin figurat kombëtare, duke I mohuar meritat, vlerat dhe kontributet e tyre për arsye xhelozie apo humbje të shkëlqimit të atyre figurave që dhunshëm dëshirojnë të hyjnë në histori.
Historia nuk do ta durojë asnjë figurë që mundohet t’i imponohet në mënyrë të dhunshme në një kohë të caktuar. Secila figurë kombëtare në rrethanat e caktuara të veprimit do të duhej të jetë objekt I shqyrtimit dhe analizimit nga analistët dhe historianët dhe të vlerësohen sa më drejt që është e mundur veprimtaritë, meritat, të bëmat e të pabërat, mëkatet dhe dështimet eventuale që kanë mundur t’I përcjellin ata gjatë kohës kur ata kanë vepruar.
Këtu pra antirugovistët mohojnë gjithçka pozitive, bile edhe akuzojnë për tradhti Presidentin Rugova dhe bashkëpunëtorët e tij me qëllim të krijimit të favoreve dhe përparësive historike dhe elektorale të tyre.
Pseudorugovistët
Në kategorinë e tretë pra hyjnë pseudorugovistët, të cilët në emër të Rugovës dhe rugovizmit kanë arritur të krijojnë kapital të madh politik dhe ekonomik. Në këtë kategori hyjnë sidomos një pjesë e matrapazëve që kanë vepruar herë brenda LDK-së dhe herë pas here kanë kaluar nëpër parti të tjera me qëllim të përfitimit material duke akuzuar bashkëpunëtorët e deridjeshëm. Këta individë nuk kanë të bëjnë aspak me rugovizmin e vërtetë dhe vlerat të cilat i përfaqëson ai.
Sipas mendimit tim rugovizmi duhet të vazhdojë të kultivohet edhe më tepër, pasi që edhe për kohen sa ishte gjallë Presidenti Rugova, si koncept qeverisës nuk kishte arritur të konsolidohej për arsye të rrethanave të shtetndërtimit të Kosovës dhe kalimit nëpër fazën e tranzicionit të shumëfishtë.
Në emër të rugovizmit mund të thirren vetëm ata aktivistë dhe personalitete që vërtetë I përqafojnë vlerat rugoviane, që janë vlera perëndimore të demokracisë liberale. Të gjithë të tjerët që shtiren dhe thirren në emër të rugovizmit, ndërsa në veprime nuk kanë të bëjnë asgjë me këto vlera nuk kanë të drejtë as morale e as politike që t’ia veshin lëkurën e melaqes një djalli të maskuar.
Për fund pra, i mbetet lidershipit të LDK-së dhe partive të djathta me koncept të përafërt që ta vazhdojnë rrugën e reformave dhe zhvillimin e demokracive brendapartiake me qëllim të avancimit të vlerave tona në rrugën e integrimeve, ngase integrimi nuk do të ndodh në rast se ndodh e kundërta. Guximi për t’u ballafaquar me të gjitha sfidat, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, krijimi i një shteti ligjor funksional dhe arritja e objektivave zhvillimorë, duke i marrë për bazë të gjitha kapacitetet tona vendore ekonomike dhe intelektuale si dhe asistencën e miqve tanë, shpresojmë se do të mund të përshpejtonte ritmet e zhvillimit ekonomik dhe rritjen e perspektivës për të rinjtë kosovarë.
Nexhat HAJRULLAHU