Çfarë ka ky pushtet kundër sportit?!!!
Letër e hapur kryetarit të Komunës Lutfi Haziri
Nga Zhaklina Files
/2L ONLINE/ – Ju sigurisht jeni i njoftuar me mungesën e sallave të sportit në Komunën tonë. Ajo se sa është investuar deri tani që nga mbas lufta është temë tjetër por s’po mund të mos e them vetëm një fjali-aq pak sa është turp për të gjitha partitë që kanë qeverisur Komunën deri më tani. Por nuk është kjo arsyeja pse po ju drejtohem publikisht.
Rastësisht jam pjesë e Kryesisë së njërit prej klubeve sportive në Komunën e Gjilanit-Klubit të Karatesë Drita. Mbrëmë Gjimnazin “Zenel Hajdini” në derë na priti një befasi e pakëndshme-urdhëresa e DKA-se për ndalimin e përdorimit të sallave në të gjitha shkollat për të gjitha klubet sportive. Këtë herë, e pranoj, DKA kishte ngritur nivelin e komunikimit dhe kishte dhënë urdhëresë me shkrim, për dallim nga herëve të tjera që pastruesit e rojtarët luanin rolin e Drejtorit të DKA-së dhe nuk I lejonin fëmijët tanë të hyjnë në sallë.
A mund të paramendoni dëshpërimin, hutinë dhe demoralizimini e fëmijëve, sipas mundësisë fëmijëve Tuaj nëse kishin hasë në një situatë të tillë. Mund të thuash se është kompetence e DKA-së . Por përgjigja e tyre gjithmonë ka qenë se sallat po dëmtohen dhe kjo po shkon në dëm të nxënësve. Edhe fëmijët tanë janë nxënës të shkollave në Komunën tonë: shumica e tyre të vetmet ushtrime fizike i kanë në ato salla se shkollave të tyre ju mungojnë. Dhe vështire se do ta kishin idenë se si duket një sallë sporti nëse nuk do te ishin ushtrimet në klube në sallat e shkollave tjera. A s’është vetëm ky fakt mjerim në vete, Kryetar?
Fëmijët të cilët ushtrojnë me klubet e karatesë ushtrojnë zbathur, për shkak të rregullave të karatesë. E vetmja gjë që përdorin në salla është dyshemeja. Dhe PO duhet të gjithë të jemi të lumtur nëse sallat ‘’shkatërrohen’’ nga ushtrimet e shumta. Se po ka kush të ushtroj, se fëmijët në mes kafiqave dha daljeve natën kanë zgjedhur sportin. Pyetni prindërit e fëmijëve që kanë problem me alkool e drogë e vese të këqija se a ja vlen me ngritë zërin për sportin, cilido ke ai.
Sallat, si shkollat, janë prona publike, të ndërtuara me para publike, do me thënë nga tatimet tona, për të gjithë nxënësit e kësaj Komune Po një xham dikund qenka thyer në njërën prej sallave të pakta dhe kjo qenka arsyeja e kësaj ndalese?!! Fëmijët e kanë thyer duke luajtur, Kryetar. Shpjegoju atyre’’ ekspertëve’’ që po sjellin këso ndalesa se FEMIJET luajnë me topa.
Sa shkolla kemi në vende të tjera që do të ishin të lumtura që të kenë fëmijë qe ua thyejnë xhamat sallave të sporteve gjatë ushtrimeve. Por, tekefundit edhe ai xham paguhet nga paraja publike e jo nga xhepi personal i dikujt. Dhe sa klubet I keni në Gjilan te cilat me vite ushtrojnë dhe kurrë asgjë s’kanë dëmtuar. Klubit tonë vjet tri herë brenda muajit i janë ndaluar ushtrimet në një shkollë tjetër se fëmija kishin harruar dy shishe me ujë. Po, po me ujë-nuk ishte as drogë, as alkool, as duhan. Vetëm ujë. Ah po, edhe njëherë e kishin prekë një top I cili s’ka qenë I tyre por i shkollës.
Pse ty po të drejtohem, Kryetar? Dhe atë publikisht ?! Gjatë gjithë kohës vitin e kaluar kemi përdorur kanale gjysmëzyrtare për këto probleme të cilat nuk do të duhej të ekzistonin as në ëndrra më të këqija të fëmijëve tanë. Besoj se të njëjtën gjë kanë bërë të gjitha klubet. Mu për atë se je zot shtëpie, ja përse. Se një fjalë e jotja e rregullon këtë problem në mënyrë afatgjate. Ashtu siç ti ngrite zërin për çështje të cilat as nuk u afrohen mirëqenies dhe shëndetit të fëmijëve tanë, ashtu unë si prind thirrem në te drejtat e fëmijëve dhe kërkojë nga tëi që të promovosh ato te drejta në praktikë.
Mos na i mbyllni dyert e sallave të sportit dhe mos na i shndërroni fëmijët në topa ping-pongu në mes DKA-se dhe drejtorëve të shkollave. Dhe tregoju të ’’ndriturve’’ se shkolla nuk është pronë private dhe nuk ua ka lënë askush me tapi.
Tek e fundit, janë ndërtuar me parat tona ose të gjyshërve tanë për tu shërbyer te gjithë fëmijëve të kësaj Komune. Dhe po, paraardhesi juaj kishte sjellë një vendim me të cilin ju LEJOHET klubeve sportive të shfrytëzojnë sallat e shkollave, edhe atë pa pagesë. Dhe deri tash sa kemi dijeni, ju nuk e keni anuluar atë vendim. Tash çka po I bije që është ajo ndalesa e DKA-së ?!!! /2L ONLINE/
