Ç’faj mbanë Evropa?!

Ç’faj mbanë Evropa?!

Ç’faj mbanë Evropa kur ne pengojmë njëri-tjetrin në politikën e shtetformimit?!

1. Nuk është më çështje dyshimi, gati se të gjithë e dimë se, Shteti i Kosovës vidhet nga vet kosovarët! Ç’faj mban Evropa këtu?! Më falni, vidhet edhe nga të instaluarit e Evropës këtu në Kosovë por, aq u bënë, se nuk është vendi i tyre!

2. Asfaltimet e rrugëve gjithandej Kosovës, prishen aq shpejt sa, ende pa përfunduar metrat e fundit, fillojnë të prishen metrat e para të fillimit të rrugës! Ç’faj mban Evropa këtu?!

3. As një punë të rëndësishme nuk mund ta kryesh (fitim donacioni, vendosje në Konvikt, punësim, bursim, madje dhe as birësim) në akcilën ministri të Kosovës, nëse nuk ke ndonjë të njohshëm diku atypari?! Ç’faj mban Evropa këtu?!

4. Ndërtohet objekti për Gjykatën Qendrore me disa miliona euro, e përgatitur me plan arkitektonik-ndërtimor, me komision mbikëqyrës për përcjelljen e punimeve, me komision “profesional” për pranimin teknik, i cili jep lejen e përdorimit, dhe që në shiun e parë objekti bëhet i papërdorshëm! Ç’faj mban Evropa këtu?!

5. Në Vushtrri ndërtohet një spital me vlerë kapitale prej disa miliona euro. Kishte planin e ndërtimit-arkitekturën, komisionin mbikëqyrës të ndërtimit, komisionin “profesional” për pranim teknik, i cili konstaton se çdo gjë është në rregull dhe jep lejen e përdorimit. E dini ju, lexues të respektuar, se ende pa filluar shërbimi mjekësor, bie tavani mbi dysheme?! Ç’faj mban Evropa këtu?!

6. Pas kësaj faqeje të zezë, u mor vendimi për mënjanimin e gabimeve teknike në spital, me ç’rast harxhohen edhe shumë para shtesë. Formohet komision i ri për përcjelljen e punimeve, formohet Komision i ri “profesional” për pranimin teknik dhe sërish jepet pëlqimi i përdorimit. O Zot! Posa vendosen pacientët e parë, mbi shtretër përsëri bie tavani, ç’është më keq, kësaj radhe edhe rrezikon pacientët. Ç’faj mban Europa edhe këtu?!

7. Në shenjë mospajtimi (me plot të drejtë), me punën e qeveritarëve të Kosovës, digjet objekti i Qeverisë së Kosovës, nga vet ‘’qytetarët’’ e sajë, (absolutisht, veprim i padrejtë). Ç’faj mban Evropa këtu?!

8. Prokuroria e shtetit, e betuar para Presidentit të shtetit dhe qytetarëve të saj se, do të ndjek keqpërdoruesit e shtetit dhe të pushtetit, kjo, jo vetëm që nuk e bënë mjaftueshëm këtë punë por, fatkeqësisht e bishtnon ndjekjen pikërisht kur janë në pyetje bosët (…)! Ç’faj mban Evropa këtu?!

9. Në Kuvendin e Kosovës, sallë kuvendimi burrash e grash Kosovë të zgjedhur, për “më të mirët”, çdo propozim që vjen në Kuvend nga deputetë të PDK-së, apriori hidhet nga deputetët e VV-së, duke e radhitur si tradhti të radhës, dhe anasjelltas- çdo propozim që vjen nga deputetë të VV-së, injorohet nga deputet të PDK-së dhe LDK-së, duke e trajtuar si propozim provokues! Ç’faj mban Evropa këtu?!

10. Ç’faj mban Evropa, ju lutem, për politikën e LDK-së që karakterizohet me kalkulimet e ‘’butësisë’’ më ekstreme, duke i rënë në gjunjë kujtdo qoftë me synimin e skajshëm që me çdo kusht të jetë pjesë e majës së pushtetit, sido që të jet ai pushtet në këtë shtet, ‘’punë e madhe’’.

11. Ç’faj mban Evropa, ju lutem, kur dy nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, “axhami”, si thotë populli, nën prezencën e ambasadorëve të huaj të akredituar në Kosovë, i fyejnë në mënyrë të paskrupullt dy nga deputetët që vijnë nga radhët e PDK-së. Njëri si “patriot i stilit modern, i guximshëm’’ thot se nuk guxon të pijë kafe me deputetin e PDK-së, ish ushtarin e UÇK-së, sepse, ka frikë nga ai (mos vallë po ia merr njërën veshkë?!).

13. Pastaj, tjetri deputet krejt pa pritur, ofendon Kryeparlamentarin, ish udhëheqës lufte, duke e quajtur kriminel! Në fakt, pa ditur asgjë prej gjëje, as njëri dhe as tjetri, veç asaj se çka kishte thënë Dik Marti, i paguar nga regjimi serb, duke patur për qëllim poshtërimin, deri në palcë, të luftës çlirimtare të UÇK-së dhe ish komandantët e saj. E po, ç’faj mban Evropa këtu?!

14. Patriotizmi i budallallëkut i këtij lloji, përligjë aludimin “Dik Marti”-an dhe serbian mbi grabitjen e organeve njerëzore gjatë luftës nga djemtë e këtij populli, ushtarët e të shenjtës UÇK. Krejt kjo, duke mos u shkuar mendja fakirëve politik se njëkohësisht po njollosin gjithë luftën e UÇK-së, respektivisht, gurëthemelin shtetformues të Kosovës. Ç’faj mban Evropa këtu?!

15. Tani, kush ka tru e kush ka sy, e ka të qartë se, nuk është veçse Dik Marti, i paguar nga Serbia, ai që ndjek ushtarët e UÇK-së, por, këtë argati të dreqit po e bëjnë edhe disa nga të zgjedhurit e popullit në Kosovë, me apo pa dijeninë e tyre (he mos u zgjedhshin kurrë më, o Zot!).

16. Dhe krejt në fund, do ta quaj goditje ‘’nokdauni’’ e interesit kombëtarë, mos votimin e propozimit për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës nga legjislacioni i mandatit të kaluar, I cili nuk u votua nga shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Pra, dështoi! Ç’faj mban Evropa këtu?!

Prandaj, ç’faj mban Evropa, për të gjitha këto…?!

/Gani NEZIRI/

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE