Mehmetali REXHEPI: PËRKUSHTIME (PO)ETIKE
Rexhep F. Morina: APOTEOZA E LIRISË (poezi); botoi Shtëpia botuese FIDANI, Prizren, 2024
ÇËSHTJE TË RENDITJES POETIKE
Vëllimi poetik i autorit Rexhep F. Morina APOTEOZA E LIRISËrenditet përmes shtatë cikle poezish. Cikli i parë KËNGËT E ATDHEUT ka dhjetë poezi. Cikli i dytë SHTATË LABIRINTE dymbëdhjetë s’osh; cikli i tretë ANTIPODI përbëhet prej nëntë; cikli i katërt KOHË E ZEZË përmban dymbëdhjetë vjersha; cikli i pestë NË RRUGËN E LIRISË zbërthehet në gjashtëmbëdhjetë vjersha; cikli i gjashtë PËR TOKËN brenda tij shtrohen pesëmbëdhjetë tituj vjershash; ndërsa cikli i shtatë TË JASHTËZAKONSHËM përmbyllet me trembëdhjetë njësi varg-thurjesh, kryesisht vargje përkushtuese ideologësh udhërrëfyes, luftëtarë vullnetarë, heronj e dëshmorë për çështjen madhore të lirisë e të çlirimit kombëtar kundrejt pushtuesve jugosllavë.
Si shihet e tërë lënda e këtij libri është ndërtuar brenda tetëdhjetë e shtatë poezive.
Renditja e cikleve dhe mënyra e të shprehurit të ndjeshmërisë së poezive si dhe porositë e teksteve poetike, i përkasin kryesisht rendit dhe shijes së përzgjedhjes së autorit, të poetit Rexhep F. Morina. Autori përzgjodhi poezi për t`i nxjerr në fushën e bardhë të letrës vetëm ato motive, që i ndjenë thellësisht me zemër e shpirt, duke qëmtuar tematikën parësore të sakrificës së brezave për lirinë dhe demokracinë e munguar kombëtare dhe dinjitetin njerëzor. Në poezinë e poetit Rexhep F. Morina mezi rrahë pulsi i dobësuar i popullit të tij të shtypur e të nëpërkëmbur, përderisa poeti identifikohet me shpirtin dhe gjendje e katandisje së atdheut nën robërinë sllave – ortodokse, në kapërcyell të shekullit njëzet dhe në nismën e qindvjeçarit njëzet e një.
POEZIA SI MISION
Çfarë e karakterizon thënien poetike të veprimtarit, atdhetarit ilegal, gjithandej kur dhe ku nuk kishte mundësi për dalje të hapur përballë shtetit pushtues, deri atëherë kur shpërtheu mëtimi i përballjes me pushtuesin gjakatar nëpërmjet grykës së pushkës çlirimtare? Vargëzimi i poetit Rexhep F. Morina i shërben pikërisht misionit tematik e ideor çlirimtar. E tërë poezia e shtruar në vëllimin poetik APOTEOZA E LIRISË porositë poetike për lexuesit i ka të drejtpërdrejta, pa stërhollime stilistike, pa eksperimentime më fjalësin figurativ që e mëton estetika moderne e postmoderne. Mirëpo, pas pohimesh të këtilla që dalin nga leximi i këso lloj poezie, assesi të mos zotërojë përshtypja se poeti i këtij vjershërimi përbuzë arritjet stilistike dhe estetike të poezisë bashkëkohore. Assesi. Poeti i ndjeshmërisë së zjarrtë për atdhe-çlirim Rexhep F. Morina pikërisht mbi tabanët e shprehjes së dhimbjes, të mllefit të akumuluar kombëtar e njerëzor, i frymëzimeve djaloshare për mëkëmbje etnike, për vetëdijesimin e shenjtërisë së lirisë në breza, mu këtu dhe kështu ndjehet i sigurt dhe i pamposhtur në shprehjen e tij të vargut. Ai i rri besnik kultivimit tradicional të vargjeve të rimuara, sipas kredos së tij për rimat e tingëllueshme, të puthitura dhe të kryqëzuara. Mos të harrojmë ngaqë kjo formë dhe përmbajtje ideore tematike, stilistike e estetike ende i ka ithtarët e vet të shkrimit dhe të leximit. S`do mend për këtë mënyrë shkrimi poeti është plotësisht i vetëdijshëm dhe, nuk vuan nga kompleksi i përkatësive të elitave shkrimore. Vargjet e tij ky poet mëton t`i bëjë krejtësisht të kapshëm veçmas për nivelet jashtë qerthujve elitarë. Përmasës së gjerë të shtresimeve popullore Morina dëshiron t`iu qaset me një sinqeritet të thjeshtë e të natyrshëm, prore për t`i ruajtur e kultivuar vlerat e kulturës burimore, shpirtin atdhedashës e njeridashës, gatishmërinë për të mirën e përgjithshme, më parë se atë vetjake, frymën e sakrificës për idealet e lirisë e të pavarësisë; shtytjen për rritjen e gjenisë ndërtuese e krijuese në gjithë trevat e parakëve tanë të lashtë.
Qasja e poetit ndaj rolit ndikues të poezisë, të trajtave të formësimit e të përmbushjes së saj me brumosje të identitetit e dinjitetit të kanosur kombëtar, shpërfaqet që në poezinë e hyrjes në librin poetik APOTEOZA E LIRISË:
“Pse moj shtrigë fjalën e pamësuar ma vodhe,
Kur nëna ma mësonte në netët pa dritë,
E babai këndonte një këngë të vjetër shekujsh?”[1]
(Pse këngën ma vodhe)
Në tre vargësin e kësaj poezie që i prin këtij libri, lënë shkas për t`u zbërthyer dy faktorë jetikë për vijimësinë e vetëdijes etnike dhe njohjen e vetvetes. Mësimet e nënës e, kësaj mësueseje që në djep e brezave, janë mësime përcaktuese të karakterit burimor edhe “në netët pa dritë” dhe, vazhdimësia e këngës, që mëtojnë t`ia vjedhin, në gojën e babait për lashtësinë e përkatësisë së rrënjëve. Vetëm këtë shkollë të sintaksës burimore, ndonëse e pa certifikuar, pushtues të ndryshëm të sojit e të sorollopit nuk e zhbënë dot. Kështu, mes tekstit të shkruar e nëntekstit të ngërthyer pashmangshëm vjen pyetja: përse është i paepur vargu i poetit që të mos i vidhet kënga? Çka ka brenda vetës kënga? Ajo, kënga që ka qenësinë e saj, ka impulset e gjalla të paepura të qëndresës, të vrullit luftarak dhe, si e tillë gjithsesi duhej të trashëgohej qoftë dhe në zgripe se: “… gjyshi im e ka hedhur,
Gjyshi im plak,
Në dasmat e kuqe,
Në dasmat plot flakë”[2]
SAKRIFICA MADHORE
Poezitë e ciklit KËNGË ATDHEUT përfshijnë periudhën e viteve 1987-1997. Ishte periudha e kthesave dramatike tragjike për popullatën shqiptare; njëkohësisht periudhë e mëtimeve për shtegdalje, duke mbledhur energjinë dhe forcuar trajtat e qëndresës për kundërvënie dhunës së shfrenuar të strukturave shtetërore serbe mbi shqiptarët. Të gjitha poezitë e këtij cikli vihen në funksionin ideor për kapërcimin e “territ të robërisë”, të ripërtëritjes së karakterit guximtar e të domosdosë përbashkuese. Burgosjet, ndjekjet dhe vrasjet e veprimtarëve dhe të njerëzve të pafajshëm për shkak të përkatësisë shqiptare ishin gjahu më fitimprurës i ortodoksisë së skajshme serbe, të joshur nga planet shfarosëse për shpopullimin e pjesës së mbetur të Dardanisë.
Realiteti jetësor dhe poetik në vargjet e poetit veprimtar Rexhep F. Morina është i zi. Etika dhe estetika e këtij realiteti të trishtë nuk ka, çfarë të ngjyej në sahanët e menysë së çdoditshme, pos një gjelle të servuar me ngjyrë të zezë! Të gjitha motivet e kësaj poezie i motivon gjakimi jetik si të dilet, nga kjo katandisje e cila binte erë lufte? Madje, edhe për dashurinë rinore, si ndjenja më thelbësore e gjinisë njerëzore, poeti shfaq gatishmëri dhe, vërtet pa asnjë ngurrim e flijoi për përmasën e konceptimit më të lartë, më të gjerë, më të thellë dhe më kuptimplotë:
“Digju në flakë, dashuria ime,
Si në gëzhojë fishek baruti!
Përdridhu dhe ik dashuria ime,
Si plumbi nëpër tytën e pushkës!
Shkrihu, dashuria ime si bora nga dielli,
Po kthehem për atdhe shkreptimë qielli!”[3]
Një përcaktim i këtillë ideor-emocional, jetësor e artistik i tejkalon caqet e një përkushtimi dhe, idenë poetike autori e shpie në sferën e së madhërishmes estetike.
Në poezitë e ciklit të dytë SHTATË LABIRINTE, poeti motivohet të zbërthejë daljet prej labirinteve të kronologjisë së dhunës, përmes qëndresës së pashembullt të personazheve, që nuk i nënshtroi dhuna mizore, qoftë edhe duke kapërcyer mes kudhrës dhe çekanit; vijimisht nëpër djallëzitë e mënyrave e të mynxyrave më perfide të nënshtrimit e të përçarjes së të burgosurve politikë shqiptarë.
VARGJET E SHQIPTIMIT TË KONTRASTEVE
Një frymë e mendësi tjetër kundruall tematikës e motiveve të qëndresës e sjell cikli i tretë ANTIPODI. Nëntë poezitë e këtij cikli “Demagogu”, “Antipodi”, “Kentauri”, “Qeni i zi”, “Smirëziu”, “Spiuni”, “Korbi blu, “Autokrati” dhe “Heshtja prapë e vret” shqiptojnë artikulime të mirëfillta poetike. Sprova e tillë poetike e poetit Rexhep F. Morina në këtë cikël, arrin pjekurinë e kondensimit të vargut nga shumëçka që paraqet tepri dhe retorikë e thënies, e cila nuk bie ndesh rrjedhës së kulluar të sistemit figurativ për ngërthime e zbërthime artistike të poezisë. Te këto poezi nuk flet vargu retorik. Këtu reflektojnë depërtimet e fjalëzave që shpalojnë shumësi kuptimësish figurative, ngase thurjet retorike e ngufasin natyrën refleksive të poezisë. Poezia nga ana e saj shfaqet përmes stilit figurativ.
Nëpërmjet konceptimit kontrastiv poeti pikturon nuancat e jashtme të brendisë së karakterit, psikologjinë e demagogut të cilin e spikatë mes kontrastesh të mprehta në poezinë tetë vargjesh “Demagogu”:
“Njeri shpirtzi e ka të bardhë fytyrën,
Fjalët i ndërron si kameleoni ngjyrën”[4]
Përmes kontrastit antonimik, epitetit metaforik dhe krahasimit, poeti vë përballë dy gjendje të paqëndrueshme të demagogut, të cilët i kemi të shumtë në të gjitha mjediset e jetës sonë shoqërore e institucionale.
Më tej pamja e ndërtimit të tekstit me antonime të idesë antonimike, i jep kahe kumtit e kuptimit kontrastiv, përplasjeve kundërthënëse në fjalët dhe veprat e karakterit me përfundime shëmtuese. Gjithnjë me anë të pasqyrimeve kontrastive vihen në pah kundërshtitë e harmonizimit mes së thënës e së bërës për akëcilën dukuri, për secilën përmbushje qëllimesh, që do të lartësonin të mirën e përgjithshme përbashkuese:
“As tokësor as qiellor,
Pluhur i kohës ajror.
As Diell, as Hënë,
Arushë e madhe në lëmë.
As djall as engjëll
Hije në erë e mjegull.
As gjitar as zvarranik
Butak i pellgut moçalik.”[5]
E kësisoj, mes kontrasteve të mprehta, poezia e shqiptimeve të tilla e shkërmoq plotësisht atë që është “Antipodi i qenies njeri.”
E një standardi të këtillë e realizimit artistik është poezia e vargut gjashtë rrokësh “Qeni i zi.” Mirëpo, këtu personifikimi i karakterit të njeriut me kafshën shtëpiake katërkëmbëshe, ndodh jashtë antonimisë së mprehtë të kontrasteve artistike. Ky qen demokratik është i lirë të leh… Ky qen metaforik i poezisë “Qeni i zi” e ka i përbashkët me dykëmbëshin njeri ligësinë e karakterit të lehjeve përgojuese dhe politike:
“S`ruan oborrin dhe shtëpinë,
Leh kur të tjerët ndien.
Hesht kur duhet lehur
Leh kur duhet heshtur.”
Andaj, logjikshëm vjen pyetja: në çfarë rrethanash kurdiset të lehurit? Kur duhej dhe kur nuk duhej lehja e këtij soji të qenit të zi? Rrethana e lehjes dhe mos lehjes është pabesia apo zgjimi i djajve gjakatarë në atmosferën e plojës së pritur?!
“Qeni pis i zi,
Në sfondin gri!”[6]
Te kjo tipologji poetike e ciklit të tretë ANTIPODI shpërfaqet forca e porosive që i zbërthen poezia e mirëfilltë. Këtu artikulohet ideja artistike kryesisht me mjetet e saj të përshtatshme, të qëmtuara nga mjedisi dhe hapësira e autorit, që pos realitetit jetësor poeti ndërtoi dhe një realitet të bindshëm artistik e estetik. Shija artistike e varg-thurësit depërton në shtresimet e nëntekstit, nënteksti frymon e reflekton shtresë-kuptimësi. Për ta dëshmuar diskursin pohues, le të shkëpusim fragmente vargjesh të poezisë, nga më të bukurat e vëllimit APOTEOZA E LIRISË e titulluar KORBI BLU:
“Një buçimë e dalë nga hone tërë akull,
Klithmë e vjetër për kohëra moderne,
Ndër vite molisëse aty mbeti shakull.
Bardhësi e agimit me shkëlqim të dritës
E nxori sheshit korbin e errët të frikës…”[7]
Njeriut edhe kur i mungoi shumëçka, ai ka diçka që mbase e mbanë si një yll drite dhe, ai yll nate i sfondit të jetës është vargu, urtia e vargut, është kënga, është poezia. Po i vrave poezinë poetit ose gjithsecilit që e adhuron të bukurën, pra, i ke vrarë idealin për të bukurën. Ciklit të katërt të poezive në librin APOTEOZA E LIRISË, i prin pikërisht motivi për poezinë MOS MË NGA POEZINË. Tek poeti Rexhep F. Morina aq e thellë është lidhja e tij me urtinë e shkrimit,
që sapo t`i lëndohet vargu ndjehet i pushtuar dhe, atij i shpërthen zemërimi i përmasës më të papërmbajtur…
Përse kaq zemërim është i gatshëm t`ia përplaste në fytyrë shkelësit të vargut të tij, po me mjete vargjesh secilit përdhunues të sublimes së poezisë së tij? Poeti nuk lejon t`i zhvlerësohet sublimja sepse ka njëjtësuar poezinë me dashurinë:
“Mos më plagos ti poezinë,
Se vret në mua dashurinë!
Po më more fjalë nga vargu
Të qëlloj me penë së largu.”[8]
SHTIGJEVE TË GJAKIMIT TË LIRISË
Motivet tjera në ciklin e katërt kapin trajta të ndryshme të shfaqjes së pakëndshmes në hapësirën jetësore e shoqërore gjithandej shtrirjes së atdheut të tjetërsuar. Çfarë ndodh? Një mori motivesh nën të zezën e të shëmtuarën tragjike, që nga tragjedia e “Bosnjës që pikon gjak”, ajo e Otrantos, rënkimet e përhershme për “Kohën e zezë”; irritime për pushtetarët gënjeshtarë dhe përfituesit vetjakë, për kategorinë e të papërgjegjshmëve të shumtë, të cilët pa hezituar i përmbysin vlerat e gjakut e të sakrificave shekullore…
Cikli i pestë i titulluar NË RRUGËN E LIRISË përmban gjashtëmbëdhjetë poezi. Rruga e lirisë së poetit që kapërceu nëpër katrahura vitesh e relievesh, në errësirë e heshtje, me përfytyrime tej errësirës së robërisë, pastaj kthesave tek trilluesit e shpifësit dhe, në jetën përplot trazime të pafundme… Mandej, gjithnjë mëton të shndërrohet në udhëtarë Nëntorësh të historisë me më shumë shokë të tjerë; ndez frymëzime të përflakjes së revolucionit, ngaqë ai i përket sedrës revolucionare… Por, kësaj rruge dhe ëndrre të gjatë kap dhe rrëfime ahengu, sepse të jetuarit nuk është vetëm brenga, frikë e trishtime. Poetit i shfaqet dhe agsholi i Korabit, rrugëtimet e natës së pabesë shtigjeve të thepisura dhe trotuareve ku bulçi-fryrë i vardisej vdekja, prangosja për ilegalin dhe, sërish kthimi me “guxim mund djersë e gjak” te vatra! Në pamjet e shtrira të poetit pikturohet Drenica “Si gjëmim i Bosnjës dikur Srebrenica. ”Rruga e lirisë” poetit i parakalon me personazhet që e bartin në shpirt e trup lirinë: Nahiti, Hajrushi, Ismaili, Jashari, Nazmiu, Marku, Musliu, Hysniu, Begushi, Kadriu, Bahriu, Agroni me armët e tyre dhe revistën “Çlirimi.”
Vijojnë dy ciklet përmbyllës PËR TOKËN dhe TË JASHTËZAKONSHËM, i gjashti dhe i shtati, i librit APOTEOZA E LIRISË të veprimtarit të ilegales dhe legales me penë e pushkë Rexhep F. Morinës. Në këto dy cikle që marrin shtrirje prej njëzet e tetë poezish të këtij libri, që i bëmë një qasje përgjithësuese, duke veçuar diç nga tipologjia e shkrimit artistik, vëmë rè tipologjinë ideore e stilistike që arrin të shtjellojë motive të ndryshme të jetesës nën drithërime të kanosjes ekzistenciale. Domosdoja e ekzistencës i thërret zgjimit atdhetar përmes bartësve të idealit çlirimtar deri në skajet e sakrificave sublime. Të tëra këto kapje motivesh dhe motivimi jetësor e artistik, drama e tematikës epike e prijatarëve për çlirim, që pasqyrojnë një epokë kthesash dramatike e heroike për gjysmën e atdheut të ndarë, shkriu brenda tërësisë një frymëmarrje e stilit të gërshetuar epikën dhe lirikën. Poeti Rexhep F. Morina në këtë libër vargjesh ia doli të rrumbullakojë një krijim artistik me shenja të dallueshme të autorësisë.
PËRKUSHTIME (PO)ETIKE
TË JASHTËZAKONSHËM u bënë ata, shokët e poetit, që dhanë gjithçka PËR TOKËN.
Poeti Rexhep F. Morina nuk mundi të trajtonte, veçse motive të tjera lirike e, të mos skaliste karaktere të bartësve të çlirimit kombëtar, të modeleve udhërrëfyesish sikur “Udhërrëfyesi Profetik,” i përndrituri Adem Demaçi, heronjtë Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Fahri Fazliu, Afrim Zhitia, Bahri Fazliu, Agron Rrahmani, Remzi Ademaj, dëshmori Feim Morina.
Vlen t`i shkëpusim dy vargje emblematike nga poezia e heroit Bahri Fazliu përkitazi përkushtimit të tij të madhërishëm për liri:
“pashë më pashë do t`i bie ferrit,
për të shenjtën tonë liri!”
Duke lexuar vëmendshëm e gjithanshëm vëllimin poetik APOTEOZA E LIRISË e poetit dhe të luftëtarit Rexhep F. Morina, vargjet përkushtuese që përfaqësojnë të njëjtën tipologji si në frymëmarrje dhe në ndjeshmërinë e përkushtimit si të tillë, mund të shpreheshin edhe më bukur, por edhe kështu, ua ndjejmë secilën rrokje a togfjalësh vargu, ritme të shpeshtuara të pulsimit të aortës e damarëve të gjakut, se si i mëshojnë më me vrull drithërues vadave të qarkullimit… I ndjejmë frymëmarrjet e thella të autorit të njëzuar shpirtërisht dhe, në gjithë fiziologjinë e botës ndijore, si një shkëputje të zorshme e ngjizjes nga brumë i gatimit të njëjtë të karaktereve dhe brengave. Autori mori për të larë diç paksa nga borxhi i tyre i pamëshirshëm i lirisë në këto fletë të lidhura libri.
DISKURSI I PËRMBYLLJES
A i shërbeu kjo poezi përkushtimesh bashkë-udhërrëfyesve të lirisë, si një lloj katarze shpirtërore poetit? Duket se jo deri në shkallën e pritur… Ngase për të gjitha të ndodhurat e pakëndshme te të gjallët, ata, të rënët, po i shohin qortueshëm nga amshimi…
Poeti i kësaj brumosjeje nuk ndjehet ende gjithaq i kënaqur.
Gjilan, më 22 shtator 2024
[1] Rexhep F. Morina: APOTEOZA E LIRISË, Prizren, 2024; f. 6
[2] Po aty; f. 12
[3] Po aty; f. 12
[4] Po aty; f. 32
[5] Po aty; f. 33
[6] Po aty; f. 35
[7] Po aty; f. 38
[8] Po aty; f. 40