Çështja e ujit të jetë prioritet mbi prioritete

Çështja e ujit të jetë prioritet mbi prioritete

Qytetarë gjilanas, zyrtarë komunal dhe ata të kompanisë “Hidromarava”, e kanë paraqitur situatën shumë kritike për shkak të mungesës së ujit të pijshëm, reduktimeve të gjata, mungesën e të reshurave të mjaftueshme, ndërsa kanë kërkuar alternativa që kjo çështje të zgjidhet, fillimisht me projekte mergjente e më pastaj edhe me projekte që do ta zgjidhnin kët problematikë për periudha afatgjate. Madje u tha se Gjilani duhet t’i stopojë projektet e reja, duke e vendosur në top prioritet çështjen e furnizimit të komunës me ujë.

Në debatin e organizuar nga Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” dhe të përkrahur nga Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung me temën ”Cilat janë projektet dhe alternativat që Gjilani të furnizohet me ujë të pijshëm”, u tha se Gjilani ndodhet në situatën më të rëndë sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm ndërsa, domosdo duhen projekte për tejkalim emergjent të situatës e pastaj edhe projekte të tilla që do ta zgjidhnin këtë problematikë për periudha më të gjata kohore.

Arbër Ismajli nënkryetar i komunës tha se Komuna e Gjilanit ballafaqohet me mungesë të ujit të pijshëm dhe kjo nuk është e re sepse mungesë të ujit kemi pasur edhe më herët. “Sot nuk është koha të mbajmë ligjërata politike, sepse nuk mund të presim shira ose qasje tjera sepse situatën e kemi emergjente, meqë ka nga një javë që lagje të tëra në Gjilan nuk kanë ujë të pijshëm”.

Ismajli tha se problemi i ujit është problem qytetar sepse presioni qytetar na bënë hajr, por është jo i mirë presioni për çështjet tjera ose periferike. Ai u dakordua me atë që ndoshta duhet të stopohen investimet në infrastrukturë, projekte të reja për t’i dhënë prioritet projekteve që kanë të bëjnë me zgjidhjen e çështjes së furnizimit të Gjilanit me ujë.

Ismajli tha se financimi i hapjes së puseve është zgjidhje emergjente, por nuk është zgjidhje përfundimtare, efekti i puseve e zbut gjendjen e rëndë, por nuk e zgjidh problemin përfundimtar. Ai shtoi se duhet të kërkohen burime stabile të ujit, duhet të punojmë për projektet afatgjata sepse “Hidromorava”, e ka kryer obligimin e saj profesional.

Muhamet Suliqi kryeshef ekzekutiv në Kompaninë “Hidromorava” tha se gjendja është përmirësuar me furnizim, edhe pas të reshurave të fundit dhe lëshimit të disa puseve, por jo mjaftueshëm, Ai tha se duhet të mobilizohemi që të gjithë, i kemi tre puse të reja, dhe po presim nga Banka Botërore një investim prej 12 milion euro, të cilat do të përdoren për investime dhe studime fizibiliteti te Llapushnica dhe tek Shushtë, për zgjidhje afatgjate të kësaj çështjeje.

“Po e japim maksimumin për të qenë në ballë të ndihmës së qytetarëve dhe u jemi përgjigjur kërkesave të qytetarëve në çdo kohë” tha Suliqi.

Mumin Morina tha se janë mbajtur shumë organizime e tryeza me donatorët për mbështetje të projekteve dhe se është e domosdoshme që edhe qeveria të investojë në sistemin e ujësjellësit. Ai tha se jemi në situatën më të rëndë të mundshme emergjente por Kompania po e bënë të pamundshëm për të ofruar zgjidhje.

Bekim Selishta qytetar dhe sociolog tha se gjendja është shumë e rëndë dhe serioze për shkak të mungesë së ujit të pijshëm andaj edhe të gjithë institucionet dhe përgjegjësitë tjerë nuk duhet të qëndrojnë komod e të flasim me komoditet për këtë çështje, por duhet të sillen konformë situatës emergjente.

Ai përmendi lagjen e tij Dardania ku me muaj nuk ka ujë të pijshëm, vije pak orë, në disa ditë, ndërkohë që faturat janë të njëjta si kemi si s`kemi ujë. Ai tha se duhet të ketë këmbëngulje me projekte konkrete që Qeveria të ndajë mjete.

Nuhi Nuhiu tha se duhet të ketë organizime e protesta nga ana e qytetarëve. ”Pse jo ne duhet të bëjmë presione dhe në Qeveri, edhe në komunë sepse ne jemi ata që po ballafaqohemi me mungesën e ujit të pijshëm”

Isa Agushi tha se situata është shumë e rëndë, jemi ka luftojmë për ujë! Ai tha se duhet edhe organizimi të aksioneve qytetare për të grumbulluar mjete pasi duhet të angazhohemi të gjithë që ta zgjidhim problemin e ujit.

Agushi tha se gjendja është alarmante, kompetenca është e jona, e komunës e qeverisë e qytetarëve. Qytetarët duhet të qohen në këmbë, të stopohen projektet tjera e t`i jepet prioritet ujit. Qeveria ta merr seriozisht problemin e ujit në Gjilan, duhet të punojmë 24 orë në ditë e mos të rrimë komod.

Imran Xhemaili qytetar tha se duhet të merren iniciativa serioze për tu mbledhur fonde, duhet të bëjmë presion qytetarë dhe nuk përjashtohet mundësia e protestave, derisa Shaban Terziu nga shoqëria civile tha se duhet të dënohen keqpërdoruesit e ujit.

Mehmet Dërmaku tha se komuna dhe “Hidromorava” duhet të ketë plane strategjike për ta zgjidhur këtë problem e Ibish Ibishi tha se duhet të angazhohemi shumë sepse duhet ta kemi një zgjidhje afatgjate, komuna është e obliguar të iu ofrojë shërbime qytetarëve. Ibishi tha se këto punë nuk duhet shikuar me bindje partiake por të gjithë të kontribuojmë me ide e jo veç me kritika.

Arjeta Maka tha se ekziston një projekt ideor që është bërë para 10 viteve dhe duhet të flitet me projektuesit e saj e edhe debutuesit tjerë u dakorduan se situata është e rëndë dhe pa dallim duhet kontributi i të gjithëve për këtë çështje me rëndësi jetike.

KOMENTE