Çështja e sigurisë në Luginë brengosëse!
/2L ONLINE/ – Përfaqësues të Lëvizjes për Integrim të Luginës së Preshevës kanë zhvilluar një sërë takimesh të ndara me eurodeputetë të Parlamentit Evropian në Bruksel. Në vazhdën e këtyre takimeve, përfaqësues të Lëvizjes për Integrim kanë ngritur shqetësimet e tyre me theks të veçantë për çështjet e sigurisë.
Fatmir Arifi, kryetari i Lëvizjes për Integrim të Luginës së Preshevës thotë se baza humanitare e Rusisë e dislokuar në Nish të Serbisë, që tani më u dëshmua si qendra e shërbimit sekret rus, zgjerimi i bazës ushtarake në Cepotin të Luginës së Preshevës dhe shpallja e malësisë së Bujanocit si zonë ushtarake, shumë shpejt do të jenë kërcënim real jo vetëm për shtetet rreth e qark rajonit por dhe më gjerë.
“Në këtë kuadër, Lëvizja për Integrim e Luginës së Preshevës ka ngritur shqetësimet për degradimin e të drejtave të shqiptarëve të Luginës, të drejta që gjithnjë e më shumë po shkojnë duke u përkeqësuar. Në kuadër të këtyre takimeve, përfaqësuesit e Lëvizjes për Integrim, eurodeputetëve të Parlamentit Evropian ia kanë dorëzuar edhe nga një kopje të peticionit të nënshkruar nga dhjetëmijë qytetarë të Luginës së Preshevës kundër veprimeve të shtetit serb për pasivizimin e vendbanimeve të qytetarëve shqiptarë të Luginës. Për më tej, në kuadër të këtyre takimeve është diskutuar edhe për gjendjen e mjerueshme ekonomike në Luginën e Preshevës”, thotë Arifi për 2L ONLINE.
Siç bënë të ditur ai, delegacioni i Lëvizjes për Integrim në këto takime ka ngritur po ashtu çështjen e bllokimit të librave shqip nga qeveria e Beogradit, me ç’rast ka kërkuar të ushtrohet presion ndaj Serbisë për të zbatuar Marrëveshjen e Brukselit, e lidhur mes saj dhe Republikës së Kosovës, për lejimin e lëvizjes dhe përdorimit të librit shqip në Luginë. /2L ONLINE/
