DYLON

Ceremonia e hapjes së Klinikës Ligjore “Mbrojtja Ndërkombëtare – Azili, Refugjatët dhe Pashtetësia” në UKZ

Ceremonia e hapjes së Klinikës Ligjore “Mbrojtja Ndërkombëtare – Azili, Refugjatët dhe Pashtetësia” në UKZ
Avatar photo Redaksia

Në Universitetit Publik “Kadri Zeka”, në Gjilan u mbajt ceremonia e hapjes së Klinikës Ligjore: “Mbrojtja Ndërkombëtare – Azili, Refugjatët dhe Pashtetësia”, në kuadër të bashkëpunimit me UNHCR dhe CRPK.

Kjo klinikë ligjore organizohet nga Fakulteti Juridik dhe Fakulteti i Shkencave Sociale të Universiteti Publik Kadri Zeka dhe ka për qëllim fuqizimin e njohurive teorike dhe praktike të studentëve të fakulteteve përkatëse, në fushën e të drejtës ndërkombëtare të azilit, mbrojtjes së refugjatëve dhe personave pa shtetësi, duke kombinuar ligjëratat akademike me përvojën praktike nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.

EkoHigjiena

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë përfaqësues të UNHCR-së, CRPK-së, Dekan, profesorë të fakultetit dhe studentë të cilët theksuan rëndësinë e kësaj klinike si një mundësi të veçantë për zhvillimin profesional të studentëve dhe ngritjen e kapaciteteve të tyre në fushën e të drejtave të njeriut.

Profesori Prof. Dr. Dukagjin Leka i cili bëri hapjen e ceremonisë, theksoi se këtë vit klinika do të ndiqet nga studentët e Fakultetit Juridik dhe të Shkencave Sociale, duke e cilësuar si një mundësi të vlefshme për përfitim akademik dhe praktik. Ndërsa përfaqësuesi i CRPK, Memli Ymeri, nënvizoi se ky është viti i tretë i realizimit të klinikës në bashkëpunim me Universitetin Publik “Kadri Zeka”, duke përfshirë ligjërata, simulime praktike dhe vizita studimore.

Dekanja e Fakultetit Juridik, Prof. Asoc. Dr. Fatmire Krasniqi, u shpreh se klinika do të trajtojë çdo javë tema të rëndësishme nga fusha e azilit dhe të drejtave të njeriut, duke ofruar një qasje të integruar teorike dhe praktike. Ajo theksoi se kjo nismë kontribuon në përgatitjen e juristëve të aftë për tregun e punës dhe sfidat reale profesionale.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, vlerësoi se kjo nismë paraqet një mundësi të rëndësishme për studentët, duke u mundësuar atyre përfitim të drejtpërdrejtë nga ligjëratat dhe praktikat profesionale që ofron klinika ligjore.

Programi i klinikës përfshin tema si Konventa e Gjenevës e vitit 1951, Protokolli i vitit 1967, legjislacioni i Bashkimit Evropian për azilin, drejtësia kalimtare, procedurat për statusin e refugjatit dhe personave pa shtetësi, si dhe simulime praktike të rasteve reale. Po ashtu, parashihen edhe vizita të organizuara në Qendrën e Azilit në Magure dhe sesione interaktive me studentët.

Ceremonia përmbyllëse e klinikës do të mbahet në muajin maj 2026, ku studentët pjesëmarrës do të pajisen me certifikata.

Kjo iniciativë vlerësohet si një hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit akademik dhe institucional në fushën e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes ndërkombëtare. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.