Cenohet mbështetja institucionale për fëmijët me nevoja të veçanta në Gjilan
Shkruan: Bashkim Isufi
Ndryshimi i destinimit të hapësirave të dedikuara për fëmijët me nevoja të veçanta në Gjilan në shfrytëzim edukativo-arsimor paraqet cenim të drejtpërdrejtë të parimit të përfshirjes sociale dhe mbrojtjes së kategorive më të ndjeshme.
Sipas nenit 1 të Ligjit Nr. 02/L-17 për Shërbime Sociale dhe Familjare, qëllimi i këtij ligji është rregullimi i ofrimit të shërbimeve sociale dhe familjare për personat dhe familjet në nevojë në Kosovë. Kjo dispozitë përcakton obligimin e institucioneve publike që, në rastet kur familja nuk mund të ofrojë mbështetjen e nevojshme, të sigurojnë shërbime që garantojnë mirëqenie, dinjitet dhe mbrojtje të të drejtave themelore të këtyre personave. Po ashtu, ligji thekson rëndësinë e ofrimit të shërbimeve në komunitet, me qëllim të integrimit social dhe shmangies së përjashtimit institucional.
Përveç legjislacionit vendor, parimi i përfshirjes dhe mbrojtjes së personave me aftësi të kufizuara mbështetet edhe në standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, respektivisht në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila garanton barazinë para ligjit dhe mbrojtjen nga diskriminimi, si dhe në Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, e cila promovon pjesëmarrjen e plotë dhe efektive të tyre në jetën e komunitetit dhe obligon institucionet publike të krijojnë kushte që mundësojnë përfshirjen dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme.
Megjithatë, në vend të përmbushjes së këtyre përgjegjësive ligjore dhe parimeve të përfshirjes sociale, Komuna e Gjilanit ka ndryshuar destinimin e hapësirave të dedikuara për fëmijët me nevoja të veçanta dhe kategoritë e tjera sociale, duke i orientuar ato drejt shfrytëzimit edukativo-arsimor.
Në një tryezë të organizuar nga shoqata “Handikos” në Gjilan, gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të vitit 2017, ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri, prezantoi platformën e tij për vazhdimin e mbështetjes ndaj kësaj organizate dhe personave me aftësi të kufizuara për mandatin e ardhshëm qeverisës, duke u zotuar se në mandatin e ri do të ndërtohej një park i dedikuar për personat me aftësi të kufizuara.
Ky premtim më pas u konkretizua përmes ndërtimit të kompleksit “Fshati i Lumtur” në lagjen Zabeli i Sahit Agës në Gjilan, si një projekt publik i dedikuar për kategori të ndryshme sociale në nevojë.
Mirëpo, zhvillimet e djeshme tregojnë se përfituesit për të cilët ishte promovuar dhe arsyetuar ky investim publik nuk do të mund ta gëzojnë përdorimin e këtyre objekteve, pasi Kuvendi Komunal miratoi propozimin e Kryetarit të Komunës, z. Alban Hyseni, për dhënien në menaxhim të kompleksit “Fshati i Lumtur”, Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, për një periudhë prej 25 (njëzet e pesë) vitesh, me destinim për zhvillimin e aktiviteteve edukativo-arsimore.
Në një kohë kur shumë familje përballen me mungesë të mbështetjes adekuate për fëmijët me nevoja të veçanta, e në raste të caktuara janë detyruar edhe të largohen nga Kosova për të siguruar kushte më të mira jetese dhe shërbime më cilësore për fëmijët e tyre, institucionet lokale do të duhej të fokusoheshin në zgjerimin dhe forcimin e shërbimeve sociale dhe kapaciteteve mbështetëse, e jo në zbehjen e tyre përmes ndryshimit të destinimit të hapësirave të krijuara pikërisht për këto kategori të qytetarëve.
Për këtë arsye, është vështirë të kuptohet se si Kryetari i Komunës dhe shumica e anëtarëve të Kuvendit Komunal nuk e kanë parë si problematike inicimin dhe votimin e një vendimi që prek drejtpërdrejt interesat e personave me nevoja të veçanta dhe familjeve të tyre.
Shumë njerëz nuk arrijnë ta kuptojnë realitetin e kësaj kategorie deri në momentin kur përballen vetë me situata të ngjashme, qoftë përmes një invaliditeti të fituar pas një aksidenti apo përmes përkujdesjes ndaj një fëmije me nevoja të veçanta, ku bëhet e qartë rëndësia e mbështetjes institucionale dhe shërbimeve të dedikuara.
Si përfundim, mbrojtja e hapësirave dhe politikave që garantojnë përfshirjen sociale të fëmijëve me nevoja të veçanta nuk duhet të trajtohet si çështje dytësore apo e negociueshme, por si një detyrim i vazhdueshëm institucional që mat seriozitetin e çdo qeverisjeje lokale ndaj kategorive më të ndjeshme të shoqërisë. /2LONLINE/
