Çeku kërkon ministri për ruajtjen e vlerave të luftës
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës para deputetëve ka folur kryetari i Komisionit për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të UÇK-së, Agim Çeku.
Ky i fundit shpjegoi të gjithë punën e këtij procesi, duke thënë se vlerave të luftës qeveria i ka kushtuar rëndësi të veçantë.
Madje Çeku kërkoi ministri për ruajtjen e vlerave të luftës.
Në këtë proces Çeku tha po ashtu se nuk ka pasur ndërhyrje politike.
“Kam pasur dy takime me kryeministrin e mëhershëm Hashim Thaçi dhe dy takime tjera me kryeministrin e tanishëm Isa Mustafa. Dua ta theksoj se asnjëherë në takime nuk kam vërejtur ndonjë fakt me agjendë politike dhe ky proces është plotësisht i zhveshur nga politika”, tha Çeku.
Para deputetëve Agim Çeku, apeloi që pas përfundimit të procesit qeveria të shpejtoj punën dhe realizimin e dokumenteve të nevojshme që veteranët dhe kategoritë e dala nga lufta të marrin të drejtat e tyre.
Ai, pranoi që në këtë proces ka shumë të pakënaqur dhe shumë ankesa, por që të gjitha sipas tij do të marrin përgjigje. Por Çeku fajësoi komandantet e zonave dhe jo komisionin që udhëheq ai për gabimet nëpër lista.
“Pas daljes së listës përfundimtare prapë do të vazhdojë procesi. Për gabime dhe personat që kanë mbetur jashtë listave, apo është futur dikush pa qenë fare në luftë nuk është gabim i joni por i komandantëve të atyre zonave”, tha Çeku.
