(2LONLINE) – Duke ndjekur konceptin e kaluzalitetit, apo relacionin shkak pasojë, ne mundohemi të e kuptojmë renditjen e dukurive të ndërsjella, ku njëra nga to, zakonisht ajo e cila shfaqet e para, e kuptojmë si shkak, ndërsa tjetrën e cila shfaqet pas e kuptojmë si pasojë. Pra, A është shkaku i B do të ishte shpjegimi më i thjeshtë i i një skeme kauzaliteti. Por, ky parim eksplikativ vlen vetëm por dukuritë të cilat i përkufizojmë në kontekst të caktuar kohor dhe hapësinorë, sepse përndryshe do të na duhet të ballafaqohemi me shkaqe të pakufishme, nga ku logjikisht do të duhej të ndaleshim në lëvizësin e parë, derivat ky i mendimit skolastik dhe doktrinave religjioze. Përderisa fokusi i këtij shkrimi është krejt tjetër, sigurisht se do të i shmangemi ballafaqimit me këtë koncept, përndryshe shkaktarin aktual të kësaj topike nuk do të mundë të e emërtonim, pasi do të mbeteshim brenda një qarku determinist apsolut dhe të pafund dhe fajtorë do të ishin edhe Ilirët.
Duke qene para dilemës lidhur me alternativen bashkim apo jo mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në një entitet të vetëm nacional politik, e cila konsideroj se është dilemë artificiale dhe së paku e imponuar, pasi që dyshoj se do të mundë të ishte shtruar ndonjë herë si e tillë nga dikush i cili do të pretendonte se ka një bazë të arsyeshme justifikimi moral, së paku nga shqiptarët, atëherë, rrjedhimisht konsideroj se dilema në fjalë, së paku në kontekstin formalo logjik dhe teorik është më se e lehtë për të u zgjidhur. Përvoja dhe realiteti empirik, kjo të thotë konstalacioni i forcave politike, i përshkuar me mungesë filantropizmi është tjetër rrëfim.
Por, le të mbetemi në sferën teorike, ku duhet mos harruar fakti se teoria si e tillë, aktualisht është mjaftë e përbuzur nga shqiptarët, andaj zhgënjimi lidhur me injorimin që do i behet kësaj ideje, kur kjo interpretohet nga aspekti statistikorë nuk do të na ndikoj. Po të ishte e kundërta, shqiptarët as që do e kishin para vetes te shtruar këtë dilemë nënçmuese.
Arsyeja se pse mendimi shkencorë ka arritur rezultate fascinante ne zhvillimin e tij, është aplikimi i eksperimentit, vëzhgimit empirik, si dhe aplikimi i metodës krahasuese. Asnjë shkencë nuk mundë të reduktohet vetëm në këto koncepte, por mundë të thuhet se nuk ka asnjë shkencë të vetme e cila nuk i përdor këto metoda hulumtimi. Ashtu sikurse nuk ka asnjë shkencë e cila nuk ka edhe kontingjentin teorik të saj. Kjo vlen edhe për shkencat shoqërore, e posaçërisht për Politikologjinë e cila si e tillë do të radhitej kah fundi shikuar nga ekzaktësia e saj. Prandaj ka shumë probleme politikisht të pa zgjidhura.
Për të mos u zgjeruar, le të mbetemi vetëm te eksperimenti, dhe le të e zhvillojmë një eksperiment të paramenduar. Një lloj imagjinate sociale (Social Imagination) siç do të e quante Wright Mills. Sado që ky eksperiment mundë te vlerësohet joserioz, për shkak të averzionit konkret nacional që kemi ndaj teorisë , konsideroj se kjo ka kuptim, pasi që manovrimi i duhur me variabla teorike, mundë të qoj në konkludime të duhura dhe shkencërisht të justifikueshme. Ama për këtë duhet vetëm një kusht. Kjo është etika e duhur shkencore, e jo manipulimi dhe shtrembërimi i fakteve, qofshin ato edhe teorike. Shkencat më të avancuara sot realizojnë eksperimente të këtilla ku edhe arrihen rezultate kulminante. Në fakt, Njutoni ligjin e gravitetit e kishte zbuluar në kokë, kështu që molla e kishte goditur atë para se ajo të ngjanë realisht. Fakti se Higgs e anticipoi grimcën e cila fillimisht u zbulua teorikisht dhe e cila u emërtua me emrin e tij, e dëshmon vetëm se sa hapa është teoria para eksperimentit kur ajo përdoret si duhet.
Pra, edhe trajtimi çështjes ekstremisht politike se a duhet Kosova të bashkohet më Shqipërinë apo jo, më së miri do të ishte të i përgjigjemi në aspektin teorik duke bërë një reduksion maksimal. Le të themi se po bëjmë një reduksion fenomenologjik Husserlian. Kjo qasje do ndihmonte shumë, pasi që në gjykimet tona, le të themi shumë të përgjegjshme politike, nuk do të varemi nga asnjë rrethanë konkrete, do të thotë se nuk kemi nevojë të e pyesim askënd, sepse thjeshtë jemi ne një eksperiment teorik. As SHBA nuk do të huhej ta pyesnim në rrethana të tilla. Realisht kjo duket e frikshme për shqiptarët, është e qartë. Por mos u frikësoni, pa panikë, jeni jemi në sferën teorike, jemi vetëm në një eksperiment mendorë.
Pra le të nisemi nga kauzaliteti. Andaj, shtrohet pyetja se çfarë do të kishte ndodhur sikurse shkaqet që kanë quar në ndarjen e territorit shqiptarë të mos kishin ekzistuar fare. Përgjigja e vetme e mundshme është se natyrisht se nuk do të kishte një dilemë të shtruar si kjo, që le ta themi e kemi sot. Prandaj, përgjigja më e qartë, natyrisht në kontekstin politiko-teorik, lidhur me dilemën bashkim apo jo, do të zhdukej vetvetiu. Me këtë do të zhdukej edhe skena teatrale e promovimit personal, shpesh herë të pa cipë dhe pervers, për shumë anal-ist lokal. Hiper produktiviteti i turbo doktoraturave është një indikatorë i mirë. Nga këtu i ka fillet mediokriteti doktoral dhe teorik i shqiptarëve. Pra, po të duam t`a vëmë pikën mbi I , çështja e parashtruar në këtë kontekst teorik, e posaçërisht moral nuk do të ekzistonte fare, andaj do të na mbetej vetëm realiteti apo aspekti përvojësorë i vrazhdët skajshmërish e jo edhe ai ideorë. Këtu vërtet i kemi punët keq pasi, që pikërisht në rrafshin praktik i kemi problemet. Mu për shkakun se nuk ka asnjë kriter moral, e as teorik të justifikueshëm i cili e justifikon realitetin politik.
Fatkeqësisht edhe teoria më e mirë nuk korrespondon me praktikën. Ka përherë një diskrepancë të madhe mes tyre. Askund dhe asnjëherë nuk është realizuar idealja në shoqëri,aq më pak te shqiptarët. Kur është fjala të shqiptarët, ky raport është thuajse tragjik. Disproporcioni mes ideve dhe synimeve kombëtare dhe realiteti i dimensionit shoqëroro-politike është i madh sa s`ka. Dhe duket se kur ka një disproporcion të këtillë, ka edhe averzion nga teoria. Zakonisht, problemet që nuk zgjidhen në kokë, kërkojnë shumë eksperimente të dështuara, prandaj duket se ne shqiptarët gjendemi në këtë vorbull eksperimentesh të numërta. Alternativat e shumta pseudoteorike që plasohen në publik, tregojnë fragmentaritetin strukturorë të vetëdijes sonë kolektive. Rrjedhoja e kësaj është një opinion publik i pa formuar dhe për më tepër i pa refleks. Kjo në fakt është edhe gjeneza e skemave dhe proceseve fragmetariste . Edhe pse të shumtën ato janë të shkaktuara nga faktorët e jashtëm, nuk duhet përjashtuar edhe fajin e vet shqiptarëve, sepse në të vërtetë rrafshi social empirik i shqiptarëve karakterizohet me elemente të shumta eklektike të cilat në çfarëdo kalkulimi janë në disfavor të tyre. Nëse gjate gjithë historisë së tyre mundë të iu heqet përgjegjësia lidhur me gatishmërinë për bashkim, aktualisht nuk ka asnjë gjasë që shqiptarët të mos kenë përgjegjësinë e plotë, së paku teorike, lidhur me bashkimin, si synim ky racional dhe i justifikueshëm politik. Në fakt vet shtruarja e kësaj dileme është disfatiste për dy entitetet politike shqiptare.
S`ka dyshim se krahasuar me çdo epokë paraprake, shteti aktual i Kosovës, me gjithë mangësitë e shumta që mundë të i ketë, i plotëson në mënyrën më të mirë interesat e shqiptarëve, por edhe të të tjerëve, si dhe jep kondita për një paqe dhe stabilitet politik më kualitativ se kurdoherë deri më tani. Por, ideja e bashkimit, duhet thënë hapur, nuk e komprometon shtetin e Kosovës. Pa besuar në format e pastërta Platonike të ideve politike, dhe duke mos pretenduar se diçka e tillë do të realizohet, megjithatë bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, politikisht është kushti i vetëm real por edhe i domosdoshëm i realizimit të një optimumi të lirisë në këtë pjesë të globit. Thënë të drejtën këtë e di çdo shqiptarë i cili ka sado pak idealizëm dhe ka pretendime qoftë edhe minimale teorike.
Është e qartë se asnjë shtet praktikisht nuk e përkrahë këtë ide, do të bile as Amerika. Por nëse logjikisht i heqim shkaqet kryesore që fatkeqësisht i takojnë rrafshit empirik dhe që e bëjnë të pamundur këtë bashkim (Serbia-Rusia), është e qartë se çfarë do të ngjante. Rrjedhimisht në një plebishit të imagjinuar do të mundë të ravijëzonim dy qasje. Njëra e cila do të ishte për bashkim imediat dhe do të përkrahej nga një shumicë dërmuese e cila do të mundë të quhej unioniste, dhe tjetra qasje e cila do të mundë të quhet alternativë e klonuar politike e cila do të ishte e krijuar nga një llolljoshmëri shtresash (rezidiumesh politike) të cilat janë rezultat i ndikimeve por edhe akomodimeve paraprake, qoftë politike, ekonomke dhe ideologjike me regjimet të cilat e kanë mbajtur Kosovën të pushtuar apo nuk kanë pasur asnjë ndikim real ndikim në të sikurse Republika e Shqipërisë. Nuk është zero numri i shqiptarëve në Republikën e Shqipërisë dhe atë të Kosovës që janë sinqerisht kundër bashkimit.
Arsyetimi i unionistëve do të ishte justifikimi moral, ndërsa i të klonuarve politik, do të ishte i natyrës individual-senzual-utilitariste. Duke u nisur nga fakti i anticipimit të proverbit popullorë se më mirë një zog në dorë se njëqind në qiell (larg qoftë implikimi i Tunës këtu), real politika aktuale qartas e dikton rendin e gjërave se entiteti politik i quajtur Republika e Kosovës do të duhej ruajtur me çdo kusht dhe çdo mjet, përderisa arsyetimi i bashkimit me Republikën e Shqipërisë, thënë të drejtën bashkimit në një Shqipëri, duhet të jetë opsioni i vetëm, dhe i arsyeshëm, për faktin e vetëm se kjo do të kishte konsekuenca të shumta pozitive, edhe atë në shumë aspekte. Në çfarëdo politike jo makiaveliste, ku ndershmëria politike (nocion mjaftë relikt ky) do të duhej të vinte në shprehje, kjo duhej thënë hapur. Së paku me ata që i konsiderojmë miq, ku nënkuptohen një numër shtetesh që mundë të pretendojmë se i kemi të tillë.
Sa më përket mua, mendoj se përfitimet e bashkimit do të ishin të shumë anshme, duke filluar nga ato morale, ekonomike por edhe politike. Në variantin më të keq, konsideroj se bashkimi duhet të ngjajë, bile edhe nëse nuk ka asnjë përfitim. Bashkimi kombëtarë arsyetohet nga vet nocioni. Ne nuk i kemi shpikur rregullat e lojës lidhur me nocionin komb, por përderisa ajo është në zhvillim e sipër, ne vetëm duhet t`i respektojmë ato. /2lonline/
Sami Haliti