Buxheti nuk planifikohet, shpenzohet e shpërndahet si duhet

Buxheti nuk planifikohet, shpenzohet e shpërndahet si duhet

Drejtoria për Buxhet dhe Financa është ruajtësja e “kartelës bankare” apo “kuletës” së komunës. Buxheti dhe financat janë parakushti i çdo zhvillimi tjetër në shoqëri dhe komunë.

Deri më tash, kemi dëgjuar se si buxheti nuk është planifikuar si duhet; nuk është shpenzuar si duhet; nuk është shpërndarë si duhet; raportet janë të mangëta, jo të plota, të prezantuara në mënyrë shumë tradicionale, pa e përdorur shumë dhe në mënyrë adekuate të pasqyrimi të të dhënave. Është koha që të ndryshojmë qasjen në çdo drejtori të komunës së Gjilanit, por edhe në atë për Buxhet dhe Financa.

Shkruan: Flurim Arifi

Drejtoria për Buxhet dhe Financa, shumicën e mjeteve financiare i shpenzon në paga, por jo edhe në ngritjen e kapaciteteve të stafit. Mallrat dhe shërbimet, si dhe shpenzimet komunale, ende janë burimi kryesor shpenzimeve, kjo pra do të duhej që të ndalet sa më shpejtë.

Po ashtu, kur të bëhet vlerësimi i hershëm për vitet e ardhshme, nuk duhet gjithmonë të ketë një qasje optimiste, sepse kjo i ngjason atij që shpreson se vitin e ardhshëm do të ketë më shumë mjete financiare dhe shpenzon pa planifikim të hyrave ekzistuese.

As nuk duhet përmendësh dhe të përsëritet praktika e deritashme, kur nuk ndryshojnë shifrat fare në parashikim, duke krijuar përshtypjen se përllogaritjet parashikuese nga të gjitha të hyrat për komunë, janë paushalle, mekanikisht dhe pa qasje profesionale. Argumenti:

Në vitin 2019, janë paraqitur 25,508,785.00 euro si buxhet komunal; në vitin 2020 parashihet buxheti prej 26,370,281.00 eurosh, ndërsa për vitin 2021, në vlerë prej 27,292,488.00 eurosh. Domosdoshmërisht, e ardhmja parashihet të jetë e ndritur, për çdo vit me ngritje të shifrës dhe të hyrave, por pa ndonjë mbështetje bindëse! Në komunën e Gjilanit, sikurse në komunat e tjera, ndonjëherë luhet me shifra të fryra, vetëm për të krijuar përshtypje të rreme se “nën qeverisjen lokale, të kësaj force aktuale politike, do të rritet buxheti komunal”!

Drejtoria për Buxhet dhe Financa as nuk duhet “fryrë”, as nuk “shfryrë” shifrat, projeksionet buxhetore, aktuale apo vijuese, por duhet të bëjë përllogaritje sa më të sakta, sa më profesionale dhe sa më reale. Publikimi i raporteve duhet të bëhet në mënyrë më profesionale edhe në mënyrën e prezantimit, por edhe të kërkohet më shumë llogaridhënie nga drejtoritë e tjera, duke respektuar kohën dhe mënyrat strikte të raportimit.

Drejtoria për Buxhet dhe Financa sikurse parashihet, asiston Kryetarin e Komunës për projekt-buxhetin para kalimit në tek Komitetit Politik dhe Financa dhe para anëtarëve të Kuvendit të Komunës. Kjo drejtori është më se e rëndësishme për të gjitha projektet e komunës. Mjetet barten nga kjo drejtori për ato që planifikohen të kryhen dhe të realizohen. Dhe problemi kryesor këtu është se Kryetari i Komunës do të duhej të ishte shumë më në kontakt, më në bashkëpunim dhe më në harmonizim me drejtuesit e kësaj drejtorie. Rrallë kemi dëgjuar se komuna dëgjon këshillat profesionale të kësaj drejtorie se si menaxhohet buxheti, e pastaj ka hyrë në borxhe ndaj atij e këtij, duke e humbur besimin dhe seriozitetin në komunë!

Po ashtu, qasja ndaj Zyrës së Prokurimit duhet të jetë koherente dhe profesionale, duke ofruar mbështetje profesionale dhe në të njëjtën kohë duke shmangur të gjitha presionet politike.

Raportet të cilat përpilohen nuk do të duhej që të jenë vetëm në formë, por edhe në përmbajtje, duhet të bëhen sa më profesionalisht, sa më realisht dhe sa më detajisht, sepse kështu shtohet besimi, kërkohet llogaridhënia dhe përgjegjësia.

Në mes të gjitha drejtorive rreth buxheti dhe financave, duhet të ketë një koordinim të plotë në mes organeve komunale, kur është nevoja edhe t’i “qortojë” kur nuk shkohet me vijën buxhetore, duke ua rikujtuar gjithmonë kufizimet dhe planifikimet buxhetore ndaj se cilit dikaster etj. Te financat, duhet të ketë kontroll rigoroz, raporte të sakta, në përpikëri të kontabilitetit etj.

Financat janë mjeti më i rëndësishëm. Në komunë, Drejtoria për Buxhet dhe Financa është “truri i përllogaritjeve” për shkallëzimin e ngarkesave në tatimin në pronë, taksa e gjoba komunale. Planifikimi duhet të jetë preciz, serioz, pa “fryrje” dhe duke e zbatuar Ligjin për Financat e Pushtetit Lokal.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE