(2L ONLINE) – Universitetit i Gjilanit “Kadri Zeka”, ai i Mitrovicës “Isa Boletini” dhe ai Gjakovës “Fehmi Agani”, kanë shënuar 2-vjetorin e themelimit të tyre, ku ka marrë pjesë kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Valentina Bunjaku Rexhepi, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, rektorët e tre universiteteve si dhe figura të rëndësishme të jetës politike, akademike e shkencore.
Në emër të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka folur kryesuesja Valentina Bunjaku Rexhepi, e cila i uroi për punën e madhe që kanë bërë në udhëheqjen e këtyre institucioneve, derisa tha se studentët janë arkitektë të shtetformimit.
“Në emër të kryetarit Haziri dhe të Kuvendit Komunal ju uroj dy vjetorin e themelimit të këtyre universiteteve, duke iu dëshiruar që në të ardhmen të zhvilloheni edhe më shumë. Dua të them se studentët kanë qenë arkitektë të shtetformimit dhe dua të shpreh konsideratat më ta larta për ta. Universiteti “Kadri Zeka” është i një rëndësie të veçantë sepse, përvec qytetarëve të Anamoravës, iu mundëson studimet edhe vëllezërve tanë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës”, tha Bunjaku Rexhepi.
Rektori i Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”, Naim Syla, ka thënë se dy vjetori i themelimit e gjen këtë universitet me katër njësi akademike dhe shtatë programe, duke shtuar se qëllimi parësor është cilësia, në mënyrë që kuadrot që dalin ta gjejnë vetën në tregun e punës.
Ndërsa, Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, është shprehur se themelimi i këtyre universiteteve është ngjarje e rëndësishme e nivelit kombëtar, duke i përgëzuar për të arriturat e deritanishme drejtuesit e tyre.
Bajrami premtoi ndihmën e pakursyer të qeverisë së Kosovës në të gjitha aspektet, e sidomos në ndërtimin e kampuseve në Gjilan dhe Gjakovë./2L ONLINE/