(2L ONLINE) – Komuna e Gjilanit ka shënuar sot Ditën Ndërkombëtare të Familjes me disa aktivitete. Në emër të kryetarit Lutfi Haziri, kryesuesja Kuvendit Komunal të Gjilanit, Valentina Bunjaku Rexhepi, e shoqëruar nga shefi i këshilltarëve të LDK-së, Avdyl Aliu dhe drejtorin për Mirëqenie Sociale Mursel Zymberi, gjatë ditës kanë shpërndarë pako ushqimore për familjet me gjendje të rëndë sociale.
Me këtë rast, kryesuesja Bunjaku-Rexhepi, ka thënë se Komuna e Gjilanit do t’u dalë në ndihmë familjeve në nevojë, për t’ua lehtësuar jetën.
Ajo përmendi katërshen prioritare të qeverisjes së kryetarit Haziri, në të cilën hynë edhe pako për familjen, nga e cila do të përfitojnë familjet gjilanase si kurrë më parë.
“Meqë sot është Dita e Familjes, me iniciativë të kryetarit Haziri dhe në bashkëpunim me Qendrën për Punë Sociale, po shpërndajmë pako ushqimore për familjet me gjendje të rëndë sociale, në mënyrë t’ua lehtësojmë jetën. Ne vazhdimisht do të kujdesemi për qytetarët që të bëjnë jetë të mirë dhe të dinjitetshme sepse për këtë e kemi marrë besimin e qytetarëve”, ka thënë, ndër të tjera, kryesuesja Bunjaku-Rexhepi.
Ndërkohë, gjatë ditës, zyra për barazi gjinore ka shpalosur një pano para Teatrit të Qytetit me mbishkrimin “Familja dhe Shteti, respektimi i një qenie njerëzore është respektim i gjithë njerëzimit”.
Me këtë rast Drita Klaiqi, zyrtare për barazi gjinore ka thënë se familja si njësi bazë e shoqërisë është detyrë që zgjatë tërë jetën dhe që kërkon shumë punë, përkushtim dhe sakrificë.
Ndryshe më 15 maj 1993 Kombet e Bashkuara, kanë miratuar rezolutën me të cilën kjo ditë shënohet në çdo vend të botës si Dita e familjes. Edhe në Republikën e Kosovës është miratuar Ligji për familjen. /2L ONLINE/