(2LONLINE) – Kryesuesja e Kuvendit të Komunës Valentina Bunjaku – Rexhepi, ka pritur në një takim Qendrën e Kujdesit Ditor të Fëmijëve “Pema”, fëmijët me sindromin Down, me prindërit e tyre dhe me mësueset, nga i cili takim janë zotuar dy palët për bashkëpunim të mëtutjeshëm për të mirën e fëmijëve me këtë nevojë të veçantë.
Me këtë rast kryesuesja e Kuvendit, zonja Bunjaku-Rexhepi, ka thënë se bashkëpunimi dhe mbështetja e Komunës së Gjilanit do të vazhdojë edhe më tutje, sepse të gjithë jemi prindër dhe e dimë mirë se çka do të thotë mbështetja për fëmijët në përgjithësi e në veçanti për fëmijët me këtë sindromë. Bashkëpunimi siç ka thënë ajo, i nisur më parë, do të vazhdoj edhe më tutje sepse ky është interes i të gjithë neve.
Ndërsa, në emër të qendrës Klevis Vasjari, ka thënë se janë shumë të kënaqur me bashkëpunimin që kanë me Komunën, por edhe me fëmijët dhe sjelljet e tyre aktive që kanë në këtë qendër. Ajo poashtu tha se kjo qendër ka numër përditë e më të shtuar të tyre dhe se janë të vendosur që angazhimi i tyre është në funksion të asaj që fëmijëve t’u mundësojë një rehabilitim dhe socializim me moshatarët e tyre.
Edhe nënat e fëmijëve prezentë kanë shprehur fjalë mirënjohjeje për trajtimin që bëhet në këtë qendër si dhe angazhimin e palodhur të mësueseve. Ato kanë thënë se kjo qendër është një mundësi e mirë për t’i edukuar fëmijët e tyre dhe për t’i kyçur ata në aktivitete të ndryshme që ndikojnë në socializmin e tyre me bashkë moshatarët e tyre. /2lonline/