Bunjaku-Rexhepi: Opozita së pari duhet t`i fitojë zgjedhjet dhe pastaj të caktojë agjendën e Kuvendit
/2L ONLINE/ – Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendi Komunal, e thirrur me kërkesën e opozitës, për të diskutuar për gjendjen në arsim, ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së numrit të nevojshëm të anëtarëve.
Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, pas verifikimit të prezencës së këshilltarëve, ka konstatuar, se nuk ka kourum për të mbajtur seancën, duke nënvizuar se kjo do të thotë që LDK-ja si partia më e madhe cakton agjenda dhe mund të thërras seancën.
Ftesës për seancë të jashtëzakonshme i ishin përgjigjur 13 anëtarë të Kuvendit nga radhët e PDK-së, VV-së dhe disa subjekteve të vogla, ndërkaq munguan përfaqësuesit e LDK-së, AAK-së dhe Lëvizjes “Vatra”, që përbëjnë koalicionin qeverisës.
Kryesuesja e Kuvendit Komunal, Valentina Bunjaku-Rexhepi, pas konstatimit të mungesës të 22 këshilltarëve u shpreh para këshilltarëve të opozitës se mbledhja në fjalë nuk mund të mbahet. Kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku-Rexhepi, nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu dhe drejtorët e Drejtorive Komunale, dolën jashtë sallës së Kuvendit, por aty mbetën këshilltarët nga opozita, ata të PDK-së dhe Vetëvendosjes. Bujar Nevzati ( PDK), ish drejtor i Arsimit Komunal në qeverinë e mandatit të kaluar tha se sfera e arsimit është e politizuar me qeverisjen aktuale.
Sipas tij u tha se ka pasur regjistrime të nxënësve pa kriter, por edhe punësime pa konkurs, dhe ruajtje te vendeve të punës.” Drejtorin Komunal të Arsimit ose duhet ta largojë pozita, ose duhet të mos i përzihet në kompetencat që ka”, tha Nevzati.
Ai tha se për të kthyer rregull në sferën e arsimit gjilanas do të ftohen edhe qytetarët në protesta, po qëse s’ka zgjidhje përmes Kuvendit Komunal.
Nevzad Isufi, shef i këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje tha se këshilltarët e pozitës ka qenë dashtë të jenë në takimin e jashtëzakonshëm, ngase kërkesën për mbajtjen e këtij takimi e patën nënshkruar përfaqësuesit e 6 subjekteve politike.
Sipas tij, mosardhja e këshilltarëve të pozitës në takimin e sotëm të jashtëzakonshëm është e pa precedencë, dhe gjithë kjo është bërë për t’iu ikur përgjegjësive. Isufi tha se kur anashkalohet sfera e arsimi, jepet përshtypja se mungon serioziteti për qasje ndaj problemeve ekzistuese .
“Kemi vërejtje të mëdha të punësimeve në arsim, si: afera të drejtorëve, punësime pa konkurs të personave të pakualifikuar, lëshime në plan-programe arsimore, anomali këto që nuk duhej të ishin në arsim”, tha Isufi.
Ai tha se ne jemi përfaqësues të qytetarëve, andaj duhet të shihet se çka po ndodhë, jo vetëm në arsim, por edhe në aspektet tjera. Gjithë këtë ai e cilësoi si papërgjegjësi të madhe, duke theksuar se në praktikë është diç e pa precedencë dhe e dëmshme. “Presim që pozita të kthjellet dhe të merret me punët ndaj të cilave edhe ka përgjegjësi”, tha ndër tjera Isufi.
Ndërkohë, Sahit Abazi, shef i këshilltarëve të PDK-së në Kuvendit Komunal të Gjilanit tha se kjo që ka ndodhur sot është treguesi më i mirë i një pushteti pa kokë.” Nuk janë këtu këshilltarët e pozitës, sepse nuk janë të gatshëm për të debatuar, sepse e dinë vetën ku janë.
Sipas tij u tha se kalimi i shifrës së të punësuarve në arsim prej 50 syresh, pa konkurs është shifër jashtëzakonisht rëndë. “Ky pushtet po e humb vlerën me kryesore të demokracisë që quhet konkurrencë. Madje, kjo që ndodhi sot është kulmi ku vjen në shprehje kundërshtimi i debatit në Kuvend, çka do të thotë se po e vrasin edhe këtë vlerë të demokracisë. Arsimi nuk është i LDK-së, ani pse udhëhiqet nga partia në pushtet”, tha Abazi.
Sipas tij, opozita në Kuvend është për debat të shëndosh, e jo për të lënduar sferën e arsimit, dhe për të nxjerrë konkluzione. Ai tha se gjendja në arsim nuk mund të anashkalohet pa një debat brenda në Kuvend. Siç u shpreh Abazi debate për problemet në arsim do të zhvillohen edhe me shoqërinë civile, anipse nga ana e opozitës insistohet për mbajtje të debateve brenda Kuvendit.
Sipas tij, për zgjidhjen e problemeve në arsim mund të mbahen edhe protesta që janë elemente të demokrasicë, por kjo mund të jetë zgjidhja e fundit. Abazi tha se debate në Kuvend është më frytdhënës dhe më relevant. “ Nuk do të lejojmë që të shkatërrohet sfera e arsimit, ashtu që do të rrisim presionin publik ndaj pushtetit, përmes debateve”, tha Abazi.
Në anën tjetër në një konferencë me gazetarë, kryesuesja e Kuvendit Komunal, Valentina Bunjaku-Rexhepi, së bashku me dy shefat e grupimeve politike në koalicion LDK-AAK, Avdyl Aliu e Selami Xhemajli, ka sqaruar se opozita, së bashku me disa parti të vogla, kishte mbledhur 16 nënshkrime për të ftuar seancë të jashtëzakonshme, por siç u pa disa prej tyre munguan. “Opozita nuk pati numra për të mbajtur seancën. Ata së pari duhet t`i fitojnë zgjedhjet dhe pastaj mund t`i caktojnë agjendat e Kuvendit Komunal”, ka thënë ajo.
Bunjaku-Rexhepi ka thënë se nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme ishin mbledhur në mënyrë tinëzare, për të shtuar se opozita duhet ta kuptojë fuqinë e saj në Kuvend Komunal, ku agjendën e cakton partia fituese e zgjedhjeve – LDK, bashkë me partenrin e koalcionit, AAK-në.
Ajo ka mohuar akuzat e opozitës se është në shërbim të LDK-së, duke thënë se në Kuvend u ka krijuar mundësi të barabarta diskutimi të gjitha subjekteve politike e sidomos opozitës, por nuk e mohon se i përket këtij subjekti politik, përmes të cilit e ka marrë besimin e qytetarëve për të qeverisur dhe për çka i falënderon ata.
Sa i përket gjendjes në arsim, Bunjaku-Rexhepi ka thënë se nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Drejtori i tashëm i Arsimit e ka ndaluar të keqen e madhe në arsim, që e kishte shkaktuar qeverisja e PDK-së, duke lënë 138 të punësuar në mënyrë të paligjshme.
“Opozita nuk ka të drejtë morale të akuzoj të tjerët për gjendjen në arsim, kur e di mirë se në çfarë gjendje e ka lënë këtë sektor dhe çfarë barre të rëndë i ka lënë qeverisjes sonë, me një numër kaq të madh të të punësuarve jashtë kritereve”, ka thënë Bunjaku-Rexhepi.
Kryesuesja e Kuvendit Komunal ka paralajmëruar se për problematikat në arsim do të diskutohet në seancën e radhës së Kuvendit Komunal, në pikën nën të ndryshme dhe opozita do të ketë rast t`i shpreh mendimet e saj, sikur e ka pasur këtë mundësi gjithmonë dhe për të gjitha çështjet.
Sa u përket protestave, të cilat janë përmedur nga opozita si mundësi, në një konferencë me gazetarë të mbajtur nga PDK e VV, Bunjaku-Rexhepi ka thënë se opozita mund të dalë në rrugë, të thyej e shkatërroj, por duhet ta kuptojë se me sjellje të tilla mund t`i humb edhe këto pak vende që i ka në asamblenë komunale. /2L ONLINE/
