DYLON

Bunjaku Rexhepi: Institucionet komunale gjunjëzohen para veprës heroike të Ibrahim Uruqit

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Institucionet komunale të Gjilanit kanë shënuar sot 16-vjetorin e rënies së dëshmorit të kombit, Ibrahim Uruqi. Kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku Rexhepi me bashkëpunëtorët nga Komuna e Gjilanit, ka vënë kurora lulesh para bustit të dëshmorit në fshatin Bresalc, ndërsa më pas është shënuar dita e shkollës e këtij fshati që e mban emrin e këtij kolosi të kombit.

Në tubimin madhështor, kryesuesja Valentina Bunjaku Rexhepi, e cila ka folur në emër të kryetarit Lutfi Haziri, ka thënë se institucionet komunale gjunjëzohen para veprës heroike të Ibrahim Uruqit, i cili u sakrifikua për lirinë e shqiptarëve.

EkoHigjiena

“Sot po bëhen 16 vite nga rënia heroike e Ibrahim Uruqit, vepra e madhe e të cilit na ka bashkuar ne sot këtu dhe na bënë të ndihemi të obliguar dhe të përgjegjshëm që sakrifica e tij dhe e gjithë dëshmorëve të kombit të çmohet dhe të ecim përpara. Ne gjunjëzohemi para veprës së tij, ndërsa ju gjenerata të nxënësve jeni krenar që mësoni këtu dhe në librat, fletoret e ditarët tuaj e shkruani emrin e Ibrahimi Uruqit”, ka thënë Bunjaku Rexhepi.

Nga ana e tij, ish-komandanit i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, ka thënë se në kohën kur kishte humbur shpresa, Ibrahim Uruqi dhe shokët e tij po e kthenin shpresën.

“Sot jemi mbledhur për të përkujtuar figurën e ndritshme e cila i dha kombit një simbolikë, i dha kombit një emër dëshmori që quhet Ibrahim Uruqi. Në kohën kur kishte humbur shpresa, Ibrahim Uruqi dhe shokët e tij po e kthenin shpresën. Atëherë kur Kosova kishte errësirë, Ibrahimi dhe shokët e tij po e ndriçonin Kosovën. Krismat e Ibrahimit dhe shokëve të tij sollën lirinë e Kosovës, që sot të kemi arsim, jetë, dituri dhe të ecim përpara”, ka thënë Isufi.

Gafurr Syla, drejtor i shkollës fillore “Ibrahim Uruqi”, ka folur për sukseset dhe sfidat e funksionimit të kësaj shkolle, duke thënë se me ndihmën Drejtorisë Komunale të Arsimit, donatorëve, posaçërisht organizatës gjermane GIZ, është bërë renovimi i 12 dhomave të mësimit, janë sjellë pajisje me inventarë si dhe janë sjellë 12 tabela lëvizëse moderne, derisa priten edhe investime tjera nga institucionet komunale.

Kremtja e ditës së shkollës u mbyllë me një program të pasur kulturor-artistik nga nxënësit e shkollës fillore “Ibrahim Uruqi” të fshatit Bresalc. /2L ONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.