(2LONLINE) – Populli thotë: “Mos paç tjetër punë, luaje derën! ”Me këtë thënie po e filloj shkrimin , të cilin s`e besoj se do ta merr parasysh kush, nga ata që kanë peshë në çështjet e vendimmarrjes në vendin tonë.
Ditë më parë shkrova një artikull me titull “Hiqja gajlen, Jasharit”, të cilin ia kushtova arsimimit dhe edukimit të gjeneratave të reja, përkatësisht ngritje profesionale të gjithë mësimdhënësve fillor, të mesëm të ulët e të mesëm të lartë në gradën e masterit. Shkak që më nxiti për të shkruar, ishte një vendim i MASHT-it në të cilin shkruante: “Asnjë mësimdhënës në shkolla fillore dhe të mesme pas tri vjetësh nuk do të këtë të drejtë të japë mësim , nëse nuk e ka të përfunduar masterin në fakultetet përkatëse …!”
S`ka gjë të keqe në këtë drejtim, por të mos kishim prioritete më të mëdha, pikërisht në arsimin dhe edukimin kosovar! Jam thellë i bindur se në institucionet tona që nga shkollat, Drejtoritë e Arsimit, Zyrat e SIA-s, MASHT, Qeveria, aspektit edukativ jo që s`është kah i kushtohet dhe jepet prioritet, por as që flitet për aspektin edukativ të rinisë shkollore.
Arsyet, mbase mund të jenë të shumta. E njëra nga to, s`do mend se vet ose jemi tepër të edukuar dhe llogarisim se “i ngopuri te untit nuk ia din”, ose jemi aq të paedukatë sa s`po dimë kah t`ia fillojmë. Në realitet, aty këtu është bërë një punë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës (Policia në bashkësi), por sa është e arsyeshme kjo punë e ky aktivitet ,…!
Brenda këtij muaji në oborret e shkollave përkatësisht në lokalet e shkollave, përfunduan jetën dy të rinj (nxënës), nga armët e ftohta! Por, jo vetëm kaq, jemi dëshmitarë të faktit se vitin e kaluar u shokuam nga pamjet e “Dudës”, e mësimdhënësit dhe nxënësve në një orë mësimi në një shkollë të mesme të ulët, për çfarë u debatua edhe në Kuvendin e Kosovës! Dhe, gjithçka ngeli aty, ku kishte filluar!
E drejta jote përfundon, atëherë kur e shkelë të drejtën e tjetrit!
S`e them se fëmijët gjithmonë nuk kanë pasur zënka mes vete, madje janë rrahur ndonjëherë , janë qortuar e besa edhe përjashtuar me të drejtë regjistrimi në një komunë tjetër…! Por, çka po ndodhë pas luftës me neve dhe shkollat tona?
Në kuadër të trajnimeve të shumta, janë shpërndarë broshura, konventa , material nga më të ndryshmet, të cilat nuk kemi ditur as t`i përkthejmë, e as t`i interpretojmë! Kështu kemi manipuluar me nxënësit, prindërit, komunitetin e besa edhe me mësimdhënësit, se si ata janë të shenjtë, se ata s`guxon askush t`i prekë,…! Por, shumë pak për të mos thënë fare nuk u kemi shpjeguar se para të drejtave çdokush ka përgjegjësitë. Pra, nëse unë jam i shenjtë, të shenjtë janë edhe të tjerët, e shenjtë është edhe prona, të shenjta janë edhe institucionet!
Organizatat e Nxënësve, Prindërve dhe të Shkollës
Në kuadër të çdo shkollë funksionojnë Këshillat e nxënësve (ORSH), Këshillat e Prindërve dhe Këshillat e shkollave. Roli dhe rëndësia e tyre është shumë e madhe, por sa janë në funksion të detyrës, është një pikëpyetje e madhe! Të nxitur dhe të keqinformuar, mbase edhe mund ta kenë me vend, këto këshilla plasojnë të vërteta të rreme, se askush s`guxon t`u prekë, se ju i keni të gjitha të drejtat, se… dhe pikërisht me këtë “arsyetim” nxënësit krekosen deri sa t`u hasë sharra në gozhdë! Hiq, dëmtimet fizike të këtij-kësaj, atij-asaj, por nëse nxënësi për teke të tij, dëmton inventarin ose objektin shkollor, prindi nuk është në gjendje të kompensoj dëmin, madje mund edhe t`u mbajë ligjëratë udhëheqjes së shkollës e stafit mësimor dhe fajtore e pasojat i heq shkolla.
Cila dhunë është më e theksuar në shkolla?
Më ka rënë të dëgjoj, të vijnë prindër dhe të ankohen se filan fistek mësimdhënësi, ia ka rrah djalin, ia ka larguar nga ora vajzën, ua ka marr telefonin… Dhe tonet kanë qenë mjaft kërcënuese! S`guxon ai të veproj kështu, ai është prind i dytë,unë kurrë djalin-vajzën time nuk e qortoj…! Ka pasur edhe të atillë, që kanë tentuar t`a marrin fatin në duar të tyre, duke u kacafytur me mësimdhënës!
Gjithashtu më ka rënë të dëgjoj prindër, të dy gjinive duke u ankuar se djalin – vajzën vazhdimisht po ia rrah filan-fistek nxënësi-ja, se po e kushtëzon t`i sjellë të holla çdo ditë, por nejse,…! Ata janë fëmijë dhe nuk rriten pa u zënë ndonjëherë me njëri tjetrin. Por, po frikësohem mos po u ndodhë ndonjë incident, a po shihni si po theren mes vete,…?!
Kujdestaria e klasës (ora e kujdestarisë)
ra e kujdestarisë është e domosdoshme. Dikur ka qenë praktikë, që ora e kujdestarisë është paraparë , është mbajtur dhe është paguar. Në këtë Kosovën tonë të re, është e obligueshme të mbahet , por jo edhe të paguhet ! Në shumë shkolla (shkolla të mesme të ulëta dhe të mesme të larta), nuk ka hapësirë (lokal) ku do të mbaheshin orët e kujdestarisë. Një numër i mirë mësimdhënësish mbajnë orët e kujdestarisë dhe shih për këtë rezultatet , sjelljet dhe disiplinën e nxënësve. Por, “me një lule s`çel pranvera”,…! Mësimdhënësit si kategoria më e shtypur e kësaj shoqërie, domosdo duhet të merren edhe me punë sekondare, në mënyrë që të mund të sigurojnë një mirëqenie për familjet e tyre.
Për vitin shkollor 2014/15, ora e kujdestarisë të llogaritet në normë (19+1)
Duke parë rëndësinë dhe formimin e personalitetit të fëmijëve, nxënësve dhe adoleshentëve, është nevojë e patjetërsueshme mbajtja e obligueshme e orës së kujdestarisë, që nga klasa e parë fillore e deri në klasën e fundit të shkollës së mesme të lartë ! Por, për t`a obliguar dikë, nuk është i mjaftueshëm vullnetarizmi , andaj mënyra e vetme për ta penguar të keqen më të madhe, që fatkeqësisht po na kaplon, është ndezja e motorëve dhe gjetja e mundësive për pagesën e orëve të kujdestarisë, plotësimi i Ligjit mbi Arsimin Fillor, te Mesëm të ulët dhe te Mesëm të lartë, për largim të nxënësve në komunë tjetër, si dhe vlerësimi i lëndës së mësimit zgjedhor me notë numerike. Sepse, largimi i nxënësve për një muaj, është më tepër se qesharak, sikur edhe ai për tre ditë…!
Me një gurë, i vret dy zogj!
Vitin shkollor 2014/15 klasa e 13 nuk parashihet, e me këtë edhe një numër i konsiderueshëm i mësimdhënësve, pritet të mbesin pa vendet e tyre të punës. Me llogaritjen e orës së kujdestarisë në normë, do të krijohen mundësi për të kyçur në proces një numër mësimdhënësish. Është kjo një mundësi e mirë, për t`a zbutur këtë plagë të rëndë të mësimdhënësve dhe njëkohësisht të parandalojmë sa të jetë e mundur (e mundur është), të ligat, problemet, drogën… dhe dukuritë negative në përgjithësi.
Shkolla atraktive, pengon dukuritë negative
Jemi dëshmitarë të faktit, se një numër shumë i vogël i nxënësve në familjet e tyre nuk kanë TV, kabllor, internet e mjete tjera moderne, me të cilat argëtohen dhe e kalojnë kohën. Këta fëmijë vijnë në shkollë, por asnjërën nga këto mundësi nuk i kanë. Në shumicën e shkollave, mbase mund të ketë edhe shkolla moderne, ku nxënësit kanë kabinete, kompjuter, fusha sportive, por në shumicën e shkollave, nxënësit pos veglave te lëndës së matematikës, hartave e globit gjeografik, shkumësave, mjete tjera konkretizimi nuk kanë ! Andaj, shtrohet pyetja:
– Me çka t`i tërheqim fëmijët në shkolla?
– Si t`ua bëjmë interesante orën (mësimdhënien)?
– Për çfarë do të aftësohen ata, në këtë shekull të teknologjisë moderne?
Shkollat institucione edukativo-arsimore
Dikujt mbase mund t`u duket se është nënçmuese vlerësimi që shkollat të jenë institucione edukativo – arsimore, por arsimimi pa komponentin edukatë nuk ekziston! Ose e marrim si po e marrim, atëherë do të arsimojmë njerëz-kuadro të papërgjegjshme, ndaj vet njeriut, rrethit shoqëror, pasurisë e gjithçkaje. Vallë, a mendojmë se edhe në shkollat tona një ditë do t`mund të vijë ndonjë i papërgjegjshëm, i pa edukatë (jo i sëmurë, sepse ai do ta vriste veten) dhe të na vret ardhmërinë në shkollat tona?!
Është koha e fundit të merremi me shkaqet, në vend se të merremi me pasojat. Me këtë nuk dëmtohet demokracia, por përkundrazi ajo kultivohet dhe zhvillohet edhe me shumë, duke ia tejkaluar anarkisë! Në të kundërtën, druaj se do të na kthehet, e në vend të shkaqeve do të merremi me pasojat!
/Nehat M. Ramadani/
(autori është mësimdhënës në Shmu”Rexhep Elmazi”-Gjilan)