(2LONLINE) – Është mbajtur sot debati me fermer lidhur me punimin e tokës bujqësore, gjenerimin e vendeve të reja të punës, fitimin dhe mundësinë për eksport. Të pranishëm në këtë debat ishin kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, nënkryetari Rexhep Kadriu, drejtori i Bujqësisë Ramiz Ramadani, deputeti Ramiz Kelmendi dhe fermerë prodhues të Komunës së Gjilanit.
Me këtë rast kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në fjalën e tij tha se Anamorava është zona më e madhe agro-industriale në Kosovë.
“Anamorava është zona me e madhe agro-industriale në Kosovë dhe duhet që të punohet çdo cep i tokës bujqësore në regjionin tonë. Vetëm me punë në bujqësi mund të gjenerojmë sa më shumë vende pune ne Komunën tonë dhe në këtë regjion. Ne në nivelin lokal së bashku me juve fermerët, me donatorët dhe me nivelin qendror po mundohemi që ta kthejmë namin të cilin e meriton Anamorava. Ne së bashku duhet të përqendrohemi në prodhim dhe shtim të buxhetit për bujqësinë”, ka thënë ndër të tjerash kryetari Haziri.
Ndërsa, deputeti Ramiz Kelmendi, referues në këtë debat, ka thënë se duke u bazuar në praktikat reale në Kosovë shihet qartë se e vetmja rrugë për të punësuar sa më shumë njerëz dhe për të sjell përfitime për vendin është bujqësia si tërësi.
“Nevojat e Kosovës janë shumë të mëdha për produktet bujqësore. Bujqësia është një degë e vështirë, mirëpo rruga e vetme për të punësuar qytetarët tanë por edhe për të siguruar produktet nga toka e Kosovës që njëherit do të sigurohen edhe fitime për vendin. Toka e Kosovës duhet të mbulohet me serra. Prodhimi i produkteve bujqësore është prodhimi më i sigurt në vend kur e kemi parasysh konsumin shumë të madh. Nëse merren me kujdes dhe shikohen statistikat reale të ekipertëve tanë shohim qartë se nevoja për prodhim është e domosdoshme. Brenda një viti në Republikën e Kosovës konsumohen rreth 16 milionë kg domate, rreth 32 milionë kg shalqinj, mbi 45 milionë kg mish ose 420 krerë gjedh brenda ditës etj. Hapat lehtësues që duhet të merren nga qeveria janë ndryshimi i politikave ligjore për kreditë, subvencionimi i një përqindje të kamatës për fermerët, mbështetja me grante dhe subvencione direkte për bujqësinë, sigurimin e autostradave për ujitjet bujqësore etj”, tha Kelmendi.
Ndryshe, në këtë debat interesimin me pyetje e kanë shprehur fermerët për tema të ndryshme lidhur me bujqësinë, prodhimin, eksporti, kreditë, fitimin dhe çështje të tjera bujqësore. /2lonline/