Komuna e Bujanocit është e përgatitur për të ndihmuar emigrantët, mirëpo me ta askush deri më sot nuk ka biseduar për mundësit e ndërtimit të Qendrës së re për pranim. Emigrantët edhe matej vazhdojnë të vijnë në jug të Serbisë. Autoritetet në Beograd kanë paralajmëruar hapjen e shpejtë të një qendre për regjistrim dhe pranim të emigrantëve afër Bujanocit, rreth tridhjetë kilometra nga kufiri me Maqedoninë.
Emigrantët që hyjnë në Serbi nga shteti fqinjë, së shpejti, përveç në Preshevë, dokumentet e detyrueshme për vazhdimin e udhëtimit, në të ardhmen do të mund ta marrin edhe në fabrikën e braktisur në afërsi të Bujanocit. Punimet në këtë objekt ende nuk kanë filluar, por është vlerësuar se përmes këtij objekti brenda ditës do të kalojnë edhe deri në një mijë emigrantë.
Siç ka mësuar “Al Jazeera”, në komunë të Bujanocit ende nuk kanë informacion zyrtar për hapjen e qendrës së re, mirëpo janë të gatshëm për të ndihmuar.
“Gjithçka që kemi mundur dhe që është në mundësitë tona, ne në Bujanoc i kemi ndihmuar. Mirëpo, kur është fjala për hapjen e ndonjë qendre pranuese, deri në këtë moment me ne askush nuk ka biseduar, a është e mundur kjo, si, çka, dhe as për kushtet”, thotë Nagip Arifi, kryetar i Komunës së Bujanocit, transmeton Titulli.com.
Paralajmërimin për hapjen e Qendrës për pranim në Bujanoc, pas asaj në Preshevë, e bëri ministri për Punë, Punësim dhe çështje Sociale, Aleksandar Vulin, gjatë vizitës së fundit në Qendrën për pranim në Preshevë.
Një prej kushteve kryesore për pranimin e emigrantëve është edhe ngrohja e sallave të fabrikës, gjë e cila është e qartë se përgjegjësit nuk e kanë zgjidhur ende, pasi me dimrin vjen edhe problemet shtesë për emigrantët, ndërsa shumë prej tyre nuk janë të vetëdijshëm se çka i pret.