(2LONLINE) – Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ,Ramë Buja , me bashkëpunëtorë, ka vizituar Universitetin Publik “Kadri Zeka ” në Gjilan, ku nga menaxhmenti i këtij universiteti u njoftua për ecurinë e punëve në vitin e parë akademik, ndërkaq ofroi gatishmërinë e MASHT dhe Qeverisë së Kosovës për të përkrahur këtë universitet.
“Ne jemi të gatshëm ta përkrahim Universitetin ‘Kadri Zeka’ për të ecur drejt arsimit bashkëkohor evropian”, tha ministri Buja .
Ndërkaq Rektori i Universitetit “Kadri Zeka”, Arben Dërmaku, tha se “vizita e sotme është domethënëse dhe inkurajuese sepse kjo është një mirënjohje për punën tonë që kemi bërë deri më tani”.
Ministri Ramë Buja, pati një takim edhe me stafin akademik, të cilët i njoftoi se Universiteti “Kadri Zeka” i Gjilanit do të ketë edhe “Kampusin Universitar” dhe u shpreh i bindur se me këtë do të krijohen mundësi më solide për punë të suksesshme kërkimore – shkencore në të ardhmen.
Ministri dhe drejtuesit e Universitetit biseduan edhe për zgjedhjet e të gjitha niveleve që duhet të bëhen në këtë institucion, si dhe për plotësimin e kuadrit mësimor në disa njësi akademike.
Ministri Buja ka vizituar edhe ambientet e administratës së Universitetit, si dhe laboratorët e shkencave të natyrës dhe të teknologjisë informative./2lonline/