Ministri i Arsimit, Ramë Buja, ka deklaruar se është i gatshëm që si i pari i kësaj ministrie dhe udhëheqësi i sektorit të arsimit në vend, të bashkëpunojë me secilin organ të drejtësisë në zbulimin e parregullsive, të cilat ai i quan të mundshme në Universitetin e Prishtinës.
“Kjo është poshtëruese, shitja e notës. MASHT është e gatshme deri në fund t`i shkojë kësaj gjëje. Gjyqësori të shkojë deri në fund….lusë gjyqësorin institucionalisht, miqësisht që t`i shkojë deri në fund kësaj gjëje, mos ta lë në gjysmë të rrugës këtë…”, tha Buja, për RTK.
Ministri Buja theksoi se edhe pse ekziston departamenti i inspektoratit në këtë Ministri, mungesa e stafit po pamundëson një inspektim të mirëfilltë nëpër njësitë akademike dhe evidentimin e këtyre dukurive që tashmë është zbuluar se kanë ndodhur në UP.
“E mira e madhe nga kjo është se atyre që iu ka shkuar mendja të merren me këtë gjë janë ndaluar tashmë”, theksoi ai.
RTK mbrëmë raportoi se si nga rreth 420 studentë sa është dashur të pranohen në gjashtë departamente të Fakultetit të Mjekësisë në UP gjatë vitit 2012-2013, numri i të pranuarve ka shkuar në mbi 1 mijë studentë apo 681 më shumë sesa që është paraparë me konkurs. Në listat që i ka RTK-ja, datat e pranimit janë nga 2 tetori i vitit 2012 deri më 15 shkurt të vitit 2013, që i bie se pranimet kanë ndodhur gjatë mandatit të rektorit aktual.