DYLON

“Bubullimë te Shkëmb’ i Kavajës”

Avatar photo Redaksia

Nga: Ismet Tafili

Nga viti 1999 e deri ne qershor të vitit 2006 kam punuar ne Bibliotekën Publike të Qytetit “Fan S. Noli” në Gjilan. Me pas kam kaluar në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore. Gjatë kësaj kohe sa kam punuar, ishte një kolektiv shumë i mirë, kemi punuar pa u ankuar kurrë se jemi lodhur apo mërzitur nga puna. Bënim punë ekipore dhe pa e shikuar se kush punon më shumë e më pak. Punëtorët, Sahit Emini, Njazi Kadriu, Hyrije Baftiu, Luljetë Sylejmani, Shaban Rexhepi, më pas Qazim Azizi, Lumturije Berisha -Arifi, Shqipe Latifi, Mukadeze Behluli, Esat Morina, Fatime Salihu dhe Florije Musliu e edhe punëtorët e bibliotekave- degë në fshatrat e Gjilanit etj., si grup, me kohë kishm krijuar një kulturë pune si dhe respekti ndër-kolegial, e shpesh, të idealizuar. E kishim kuptuar se po bëjmë një punë shumë fisnike, edukative, arsimore, pse jo edhe atdhetare për lexuesit dhe sidomos për shkollarët tanë. Duke qenë gjenerata e pasluftës që e donim punën dhe dëshironim të jepnim ndihmën tonë në ngritjen e nivelit të edukimit dhe arsimimit të qytetarit, studentit dhe të nxënësve tanë në liri.

EkoHigjiena

Se akoma kolektivi është në nivel të detyrës dhe se nuk i ka harruar kolegët e mëhershëm u pa edhe herën e fundit, kur me iniciativën e Sektorit për Hulumtim dhe Zhvillim të Bibliotekës. Fan S. Noli” u ftova (Ismet Tafili) për një vikend pune dhe pushimi në Shqipëri, përkatësisht vizitë Panairit të librit në Tiranë, si dhe vizitë e vendeve të trashëgimisë kulturore e historike në Durrës dhe Krujë gjatë datave 13, 14 e 15, nëntor 2015.

Nga Gjilani, me autobusin e agjencisë “Merkatori”, filloi udhëtim- vizita treditore në Shqipëri e organizuar dhe lejuar nga kryetari i K K Gjilan z. Lut Haziri. Sa herë që udhëtohet, jo vetëm mua, por besojë edhe të tjerët, na kaplon një gëzim, na kaplon emocioni për shtetin tonë për Shqipërinë tonë. Edhe pse, që nga viti 1999 janë bërë disa udhëtime dhe vizita në Shqipëri, megjithatë dashuria, emocionet nuk janë pakësuar për atdheun e Skënderbeut, Ismajl Qemalit e Adem Jasharit, natyrisht edhe për gjithë shqiptarët.

Lëvizja me autobus dhe ndalesat për pushim-kafe na mori shumë kohë, gjë që dita e premte mbaroi në Durrës.

Natyrisht se, që nga vizita e parë në vitin 1991, nga ana formale e vizuele shihen ndryshime kolosale, si në Kosovë po ashtu edhe në Shqipëri. Rruga e Kombit me 4 korsi të detyron të bësh krahasime, në një anë me rrugët e perëndimit e në anën tjetër me rrugën gjarpërore, e të ngushtë që fillonte, dikur, nga Vërmica.

Tani, posa kalon “Kufirin”, që sot është bërë vetëm rutinë, sepse kalon vetëm me letërnjoftim, të dalin përballë kodra e male të larta, shumica të zhveshura. Edhe pse të tilla, në zemrat tona, edhe pse ashtu të ashpra, të duken të buta, të ëmbla, të ngrohta e diçka si pjesë e tokës së vendlindjes.

Edhe pse është mesi i vjeshtës, në Durrës është ngrohtë, por jo për t’u larë në det. Mbrëmja e freskët, dielli i ngjitur me detin në perëndim, ngjyra portokallie e qiellit, në një anë, e Guri i Kavajës, na tërhoqi të dalim të shëtisim pranë ujit, i cili vinte valë-valë duke u ndalur i shkumëzuar pranë këmbëve tona. Gjurmët e këpucëve tona mbuloheshim me rërën e imtë të bregdetit nga valët e detit që vinin me zhurmë.

Ajri i jodizuar nga kripërat e detit, na guduliste hundët, po edhe sikur na dukej se na i zgjeronte mushkëritë gjatë frymëmarrjes së thellë që bëmë me kolegët duke ecur deri në një lodhje të tepruar. Duke ecur dikush e filloi këngën me një zë më të trashë: “Ooo Bubulli’m te shkëmbi i Kavajës , hajde q’ju dogj shpia ani fukarasë….”

Pas kësaj kënge, biseda rrodhi tek e mira e bregdetit shqiptar. Ishim të mendimit, se po të ishte i rregulluar bregdeti i tëri, me atë gjatësi që e ka, sikur në vendet e tjera, si në Itali apo edhe Spanjë e Greqi, sigurisht se do të ishte si nafta e shteteve aziatike –afrikane. Nuk them se nuk është rregulluar dhe nuk ka fitime, por po të funksiononte ashtu si duhet ligji e investimet e duhura, sigurisht që shteti shqiptar e të gjithë shqiptarët do të krijonin një mirëqenie, ekonomi, një stabilitet ekonomik e do të krijonin kushte të mira jetese.

Shoqëria e mirë, bisedat e pafundme me humor e kujtime të ndryshme nga jeta, nga vitet e ditët e kaluara na i merrnin minutat e orët shumë shpejt. Restoranti “Besani” ku u akomoduam, ishte i rregulluar mirë e pa zhurmë të madhe, ngase në këtë kohë vjeshte nuk kishte shumë turistë. Stafi i tij na e kishte përgatitur darkën, e cila ishte e shijshme pas asaj rruge dhe ecjeje që bëmë pranë ujit të detit.

Si për befasi, në restorant, filloi të buças edhe muzika popullore shqipe, e cila na shoqëroi deri kah mesi i natës. Nuk munguan as vallet dhe këngët e të gjithë neve që ishim aty, sikurse edhe disa mysafirëve tjerë që kishin ardhur nga Prishtina. U krijua një atmosferë sa vëllazërore, aq edhe çlodhëse e argëtuese.

Agu i 14 nëntorit pranë detit, po ashtu ishte i bukur. Përsëri një shëtitje pranë detit. Mëngjesin modest e përfunduam me shpejtësi, ngase nxitonim të vizitojmë Panairin e madh të librit në Tiranën e bukur e cila tani ka marrë simbolin e një Metropoli europian. Dhe ashtu u bë. Rruga Durrës –Tiranë me 4 korsi, kaloi shpejt dhe ne u gjendem para dyerve të Pallatit të Kongreseve ku ishte hapur ekspozita e madhe e librit. Menjëherë vërehej se nuk ishte një Panair i zakonshëm, sikur ai në Gjilan e Prishtinë. Njerëz të shumtë hynin e dilnin nga dera e Pallatit të Panairit të Librit. Dy katet e këtij objekti, ishin plot e përplot me libra nga më të ndryshmit, nga të gjitha fushat, sikurse ishte edhe me plot vizitor si shqiptarë dhe të huaj. Lëvizja, së bashku e grupit, ishte e pamundur. Për pak kohë e humbëm njëri tjetrin. Po mos të ishte marrëveshja paraprake që pas panairit do të takohemi në vendin e caktuar, nuk do të kishim mundës të rigrupoheshim më në panair. Nuk lamë stendë pa e vizituar, blemë edhe libra. Mezi na doli dita të pimë një kafe në Tiranën e madhe dhe të zhurmshme.

Mbrëmja na gjeti përsëri në Durrës, por këtë radhë në Durrësin e vjetër, aty ku është trashëgimia, historia, shëtitoret e pastërta me njerëz të qetë, anijet pranë bregdetit, riviera e re e ndërtuar me arkitekturë të veçantë etj.

Amfiteatri, kështjella mesjetare, shtëpitë e vjetra me arkitekturë, po ashtu të vjetra, na ktheu prapa në historinë e bujshme e të lavdishme të Ilirisë, Arbërisë e Shqipërisë. Kafeja e përbashkët në maje të kështjellës mesjetare e përfundojë këtë mbrëmje mbresëlënëse.

E diel, Durrësin e përshëndetëm që në mëngjes. Po, a bënë të vish në Tiranë e Durrës e të mos kthehesh në Krujën legjendare, në Krujën heroike të Skënderbeut, qytet vërtet i bukur, bukuri e falur nga natyra e perëndia, por e lartësuar edhe nga dora punëtore e shqiptarëve?

Kruja e mbështetur fort në kodrinën shkëmbore dhe të thepisur, sikur ka gjetur mbrojtje e shpëtim me mija vjet e shekuj nga armiqtë e ndryshëm. Dhe kur e shikon pak më gjatë, mendja të shkon se, vërtetë kjo pozitë dhe ato kodra të thepisura, krutanëve i kanë shpëtuar nga shkatërrimi e asimilimi, ndjekja e përndjekja nga armiqtë e shumtë.

Në ato kodra të thepisura armiqtë e kanë gjetur vdekjen ende pa ardhur mirë. Ata nuk ishin mësuar të ecim maje shkëmbinjve, ndërsa vendasit e kishin të përditshme e të zakonshme të ngjiteshin malit për çdo ditë. Kjo ishte edhe përparësia e vendasve në krahasim me pushtuesit, edhe pse ata ishin më të armatosur (armiqtë), e më të shumtë në numër. Sa herë që turqit e kishin rrethuar Krujën nuk ia kishin dal ta mposhtin. Skënderbeu me një numër të vogël ushtarësh i kishte mundur tri herë ushtritë e panumërta Osmane, sepse ishte vendi i tij, ishte vendi që e njihte çdo pëllëmbë.

Qëndresë të madhe i bënte edhe Kalaja e ndërtuar në një vend shumë strategjik. Sot ajo ruan historinë që nga Iliria e deri më tani, posaçërisht është e ruajtur historia e epokës së Skënderbeut. Posa futesh në kala të del përpara skulptura madhështore e Skënderbeut me luftëtarët e tij trima, të cilët e kishin mundur perandorinë Osmane 24 herë, për 25 vite qëndresë.

Ciceroni, një njeri me moshë e gjatësi mesatare, na priti me buzëqeshje e me dashamirësi, i cili edhe na shpjegoi për ngjarjet kryesore historike dhe të bëmat e lavdishme të luftërave të Ilirëve, e posaçërisht të Skënderbeut. Në këtë ambient të mbushur më histori e eksponate nga periudha të ndryshme historike dhe shpjegimi i rrjedhshëm i cicëronit të kthen në kohë prapa që nga Iliria, dhe të duket se edhe ti je pjesëmarrës në ato ngjarje të lavdishme, të duket se po i prek të gjithë ato personazhe dhe i ke pranë figurat historike: mbretërit Ilir, Bardhylin, Gencin, pastaj mbretëreshën Teutë, e kështu me radhë nëpër epokën e Skënderbeut e deri më tani. Për një moment shikimi na ndalet te karrigeja, e Skënderbeut është, rrimë të qetë para saj dhe për një çast sikur të ndalet edhe frymëmarrja. Në atë karrige në vetëdije, të duket se sheh Skënderbeun ulur, duke biseduar me urtësi me bashkëluftëtarët e vet, duke ndarë detyra e duke i pritur diplomatët e huaj, njëkohësisht duke u shkruar letra diplomatëve tjerë të huaj. Aty është edhe penda. Ah sa mirë, sa të bashkuar kanë qenë, sa e kanë dëgjuar e respektuar udhëheqësin e tyre këta trima të motit. Mrekullohemi si ka mundur t’i bashkojë shqiptarët qysh në kohë, dhe si i kanë përballuar tërë një perandorie. E sot, ne ?!?!?!?.

Nuk është për t’u mos u përmendur edhe pazari i vjetër (tregu i vjetër), i cili është i mbushur me eksponate shqiptare ndër më të ndryshmet. Veshje, popullore shqiptare, krutane e të krahinave tjera të Shqipërisë. Pra, këtu e gjen një etnos kulturor të pastër shqiptar të ruajtur ndër shekuj.

Ne, na duhet ta lëmë edhe Krujën, se nuk na pret koha më shumë, mbeten shumë gjëra pa i parë e prekur, sepse një ditë nuk mjafton duke lënë Krujën pas pirjes së kafesë në tarracën e ndërtesës së bukur në fillim-Pazar të këtij qyteti të Krutanëve krenar. /2L ONLINE/