Kryesuesja e seancës së Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina, thotë se të gjitha përgatitjet janë bërë për vazhdimin e seancës konstituive. Brovina në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë pritjet e saj për vazhdimin e seancës nuk janë të mira.
“Në bazë të kësaj që po e dëgjoj nëpër media, të cilat nuk e di sa janë të besueshme, por nëse ju besoj këtyre mediave, dhe fatkeqësisht edhe debateve nga ekspertët ose analistët e ndryshëm – të vetëquajtur dhe të quajtur nga të tjerët, sepse nuk kanë dhënë një analizë të mirëfilltë dhe kanë shkaktuar shumë dilema në opinion dhe një atmosferë jo të këndshme politike, fajin pra ua vë atyre. Dhe, nga vetë gjuha e liderëve, pa marrë parasysh cilit bllok i takojnë, nuk jam optimiste.
Nuk jam optimiste se seanca nuk do të marrë kahjen që e kishte në seancën e parë, dhe kjo më shkakton një brengë të madhe, si një deputete në mandatin e pestë, si një emër që kujtoj që e kam, dhe si humaniste e jo vetëm si politikane, nuk kam besuar asnjëherë se pas kaq vitesh ne do të vijmë në një situatë ku nuk do të flasim njëri me tjetrin.
Nuk është e rëndësishme gjuha, d.m.th ashpërsia e gjuhës, por ne duhet të takohemi për t’u marrë vesh. Sepse kështu jemi zgjedhur, jemi përfaqësuesit e popullit për t’u marrë vesh. Jo, nuk jam optimiste, e pres një seancë problematike”, theksoi ajo.