Gjilan – (2LONLINE) – Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se gjatë periudhës shtatë ditore, në këtë rajon ka pasur 36 aksidente trafiku nga të cilat fatkeqësisht njëri ka qenë fatal. Ndërkohë që 19 aksidente trafiku kanë qenë me lëndime në njerëz dhe 16 aksidente me dëme materiale, por pa lëndime.
Përndryshe, aksidenti fatal ka ndodhur në hyrje të Parteshit, ku vetura VW Golf me tabela 06, duke lëvizur ne Drejtimin Gjilan – Ferizaj, duke bërë tejkalim të pasigurt godet biçiklistin i cili ishte duke lëvizur ne drejtim të njëjtë. Drejtuesi i biçkletës merr lëndime vdekjeprurëse. Vdekjen e tij e konstaton mjeku kujdestar nga Qendra e Mjekësisë Familjare Gjilan.
Në shikim të vendit te ngjarjes merr pjesë Prokurorja i Shtetit i cila urdhëron që i dyshuari të ndalet për 48 orë në Qendrën e Ndalimit në Gjilan, ndërsa viktimën të dërgohet ne IML për Autopsi. Rasti është duke u hetuar.
Përndryshe, zëdhënësi Ismet Hashani tha se gjatë kësaj periudhe janë shënuar përgjithësisht 48 incidente të ndryshme, ka pasur 26 persona të arrestuar dhe janë shpërndarë 714 tiketa gjobitëse për drejtuesit e automjeteve që nuk kanë respektuar ligjin.
Përndryshe, autoritetet policore të Rajonit të Gjilanit kanë kërkuar nga ngasësit e automjeteve që të shtojnë kujdesin dhe të jenë pjesë e komunikacionit konform ligjit duke i respektuar të gjitha rregullat, në mënyrë që t’u iket aksidenteve, që fatkeqësisht, në këtë javë mori edhe një jetë njeriu. /2L ONLINE/