Brenda ditës përpunohen mostrat biologjike të rreth 100–150 pacientëve ambulantorë dhe 400–550 pacientëve të hospitalizuar
“Çdo ditë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës realizohen qindra analiza laboratorike që luajnë rol vendimtar në diagnostikimin dhe monitorimin e pacientëve. Këto shërbime ofrohen nga ekipi i Biokimisë Mjekësore, një nga njësitë kryesore diagnostike të QKUK-së”, thuhet në njoftimin e kësaj qendre.
Sipas QKUK-së, brenda një dite, në Klinikën e Biokimisë Mjekësore pranohen dhe përpunohen mostrat biologjike të rreth 100–150 pacientëve ambulantorë dhe 400–550 pacientëve të hospitalizuar, pa përfshirë pacientët në programin e dializës.
Klinika realizon një gamë të gjerë analizash biokimike, hematologjike, imunologjike, hormonale, tumorale, virale, autoimune, të hemostazës dhe koagulimit, si dhe analiza të tjera specifike, duke mbështetur diagnostikimin, monitorimin dhe trajtimin e pacientëve në të gjitha klinikat e QKUK-së.
Në kuadër të saj funksionojnë laboratorë me shërbim 24-orësh në Klinikën Emergjente, Klinikën Infektive, Kirurgji dhe Klinikën Obstetrike Gjinekologjike, si dhe laboratorë në klinikat e tjera të QKUK-së. Gjithashtu, Klinika mbulon edhe Laboratorin e Skriningut Neonatal, i cili ka filluar punën e rregullt gjatë vitit të fundit, duke shënuar një hap të rëndësishëm në diagnostikimin e hershëm të të porsalindurve.
Për ofrimin e këtyre shërbimeve, Klinika përdor platforma moderne diagnostike të prodhuesve të njohur ndërkombëtarë, të njëjta me ato që aplikohen në qendrat më të avancuara shëndetësore, duke garantuar rezultate të sakta, të besueshme dhe në kohë për pacientët, thuhet në fund të njoftimit të QKUK-së. /2LONLINE/
