(2LONLINE) – Dorëheqja e Raif Ajetit, nga pozita e kryetarit të Degës së 10-të të PDK-së Lagja “Dardania 2”, është dorëheqja e radhës nga dorëheqjet që po ndodhin këto ditë në PDK-në e Gjilanit. Për më tepër, Ajeti përveç që ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit ai është larguar krejtësisht nga PDK për të kaluar tek “Nisma për Kosovë”, që drejtohet nga Fatmir Limaj.
Përndryshe, në letër dorëheqjen që sot është dorëzuar në Degën e PDK-së, jepet sqarim i shkurtë, por se Ajeti ka sqaruar më gjerësisht për Portalin 2Lonline, veprimin e ndërmarrë për të braktisë PDK-në përfundimisht dhe për të kaluar tek “Nisma për Kosovën”
“Unë Raif Ajeti si kryetar i Nëndegës së 10-të i zgjedhur me votë të anëtarëve të Kuvendit të Nëndegës sonë, jap dorëheqje nga të gjitha pozitat që kam në PDK, po ashtu edhe shumica e anëtarëve të kryesisë i bashkëngjiten kësaj dorëheqjeje sepse nuk kemi qenë të kënaqur me zgjedhjet që janë bërë brenda PDK-së”, thuhet në letër dorëheqjen e Ajetit dorëzuar sot në PDK-në e Gjilanit. Sipas tij një veprim të tillë e kanë ndërmarrë pjesa më e madhe e nëndegës.
Përndryshe, Ajeti ka thënë se pakënaqësitë e nëndegës së 10-të, të cilën e udhëhoqi deri më sot, datojnë qysh para zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, pasi nuk ishin të kënaqur me rrjedhat në parti kur janë në pyetje zgjedhjet e brendshme partiake, e që për Ajetin, ishin bërë pa frymë demokratike e përplot me padrejtësi përgjatë procesit zgjedhor.
Sipas Ajetit, kulmi i pakënaqësive i kësaj strukture ndodhi kur në minutën e fundit u përzgjodh kandidati për kryetar komune që nuk gëzonte mbështetje nga kjo nëndegë. Kjo ka bërë që kjo nëndegë nga ajo ditë të mos ketë motiv për punë dhe me këtë rast edhe ishte pasivizuar.
“Vet, fakti që PDK dhe kandidati i saj humbi zgjedhjet, është tregues, se nëndega e 10-të ka pas të drejtë”, thotë Ajeti, sipas të cilit, në PDK, as pas humbjes nuk pati interesim për t’u këndellë Dega, por dita-ditës thellohej kriza dhe kjo kishte bërë që nëndega e 10-të të vazhdojë të jetë po thuajse totalisht pasive.
Duke e parë që PDK më nuk është alternativë për qytetarët, Ajeti thotë se bashkë edhe me pjesën më të madhe të kryesisë së nëndegës kanë ndërmarrë këtë hap për ta braktisë përfundimisht PDK-në dhe për t’ju bashkuar “Nismës për Kosovën”, që drejtohet nga Fatmir Limaj.
Ndryshe, Ajeti ka falënderuar të gjithë aktivistët e nëndegës dhe po ashtu edhe aktivistë në nëndegëve tjera të PDK-së, për punën e përbashkët të bërë dhe bashkëpunimin e mirë që kanë pasur përgjatë 14 viteve. / 2lonline/