/Vjeshta letrare e Gjilanit – 2015/
Shkruan: Sinan Sadiku
/2L ONLINE/ – Të nderuar të pranishëm, dashamir të artit letrar… kam nderin t`i them pak fjalë për botimet që Sh.B. “Beqir Musliu” i ka realizuar gjatë viti 2015. Kjo shtëpi botuese gjatë këtij viti i ka publikuar 16 botime, të gjitha nga fusha e letërsisë, prej të cilave 14 libra, revistën letrare-kulturore “Agmia” dhe “Trekëndëshin poetik të paqes”, edicioni i vitit 2014. Edhe këtë vit më së shumti janë botuar libra me poezi, 10 sish, pastaj 2 libra nga fusha e kritikës letrare, 1 roman, dhe 1 libër me tregime. Do t`i them nga pak fjalë për secilën prej veprave të botuara.
– Libri i parë i botuar gjatë këtij viti është “Sprova eseistike” e autorit Arsim Halili, këtij krijuesi i cili përveç si poet e tregimtar dita- ditës po dëshmohet edhe në fushën e kritikës letrare. Në këtë libër i gjejmë esetë e Halilit për vepra të gjinive e llojeve të ndryshme letrare siç janë: poezia, romani, drama, tregimi dhe kritika letrare, ese këto të shkruara me përkushtim pas një leximi të kujdesshëm të librave për të cilët shkruan.
– “Dhembje që jeton” është libri i dytë me poezi i autorit Skender Berisha. Libri i parë me poezi i këtij poeti i titulluar “Njëqind vjet të kërkoj” e pati fituar shpërblimin “Azem Shkreli”, si libri më i mirë i botuar gjatë vitit 2012. Sa i përket gjuhës poetike, ritmit, rimës , vargut… vepra e dytë është thuajse vazhdimësi e veprës së parë. Në këtë libër autori i këndon dashurisë, gëzimeve, dhembjeve dhe momenteve sublime që i sjell ajo…
– Gjatë këtij viti shkrimtari Sabit Rrustemi doli para lexuesve me dy libra poetik: “Grafite nënlëkurore” dhe “Ndezje yjesh në zemër”. Sabiti tashmë e ka krijuar individualitetin e vet, si një poet origjinal, krejtësisht i veçantë, i cili e ka pasuruar poezinë shqipe me vlera të një niveli të lartë artistik. Ai ka arrit t`i krijoj disa nga lirikat më të bukura refleksive, atdhetare dhe erotike. Kjo ka ardhur në shprehje edhe te dy librat e botuar gjatë këtij viti. Libri “Ndezje yjesh në zemër” është një përzgjedhje e poezive erotike të shkruara nga ky autor, përzgjedhje kjo e realizuar nga shkrimtari, studiuesi, profesori… Anton N. Berisha.
– Xheladin Rexhepi, autor i librit “Herbarium i bubullimave” gjatë të viteve të tetëdhjeta kishte bërë emër si autor i poezive të bukura që i publikonte nëpër revistat dhe gazetat e kohës. Megjithatë për arsye të ndryshme ky poet librin e parë me poezi e botoi tek në vitin 2015. Është ky një libër i lezetshëm me lirika të ngrohta, të shkruara me një gjuhë të veçantë poetike…
– Edhe poetit Ahmet Osmani Sh.B. “Beqir Musliu” gjatë këtij viti ia ka botuar dy përmbledhje me poezi: “Ti qenia ime e panënshtruar” dhe “Dëlirësi e lashtë”. Libri “Dëlirësi e lashtë” është një ribotim i përpunuar dhe plotësuar i librit të tij të parë me poezi të titulluar “Vargje për kalorësin” që ishte botuar në Tiranë. Te disa poezi të librit “Ti qenia ime e panënshtruar” vinë në shprehje malli dhe dhembja e mërgimtarit, ndërsa sa ju përket vlerave artistike ka avancime.
– “Vezullimë thinjash” titullohet libri i tretë me poezi i poetit Naim Fetaj, libër me poezi kryesisht të shkurtra, eliptike, me lirika refleksive, atdhetare, erotike… tek të cilat kanë ardhur në shprehje talenti, urtia dhe maturia. Është ky një libër i këndshëm me tema, ide dhe figura interesante…
– “Triumf dashurie” është romani i parë dhe vepra e tretë letrare e shkrimtares Drita Fejza. Dy të rinj Sajmirin dhe Anën i afron përpjekja e përbashkët për t`i ndihmuar njerëzit në nevojë dhe për ta dhënë kontributin e tyre në ndërtimin e Kosovës së shkatërruar nga lufta. Këta dy të rinj i bashkojnë idealet, ëndrrat dhe gjithçka që është e mirë, gjithçka që është njerëzore.
– Poeti i ri dhe i talentuar Nuhi Sadiku librin e parë poetik e ka titulluar “Si t`ia fal vetmisë pritjen për ty”. Edhe pse i ri, shtatëmbëdhjetëvjeçar, ky autor ka krijuar fruta të pjekura poetike, duke na bindur se është një talent nga i cili kemi arsye të presim shumë…
– “Prushi i bukurisë” – përsiatje poetike për artin e fjalës, titullohet libri i studiuesit të letërsisë, prozatorit, poetit dhe profesorit të shquar Anton Nikë Berisha. Vepra vitin e kaluar u botua në Itali në dy gjuhë: shqip dhe italisht dhe zgjoi interesim të madh te elita letrare italiane. Për librin shkruan, duke e vlerësuar lartë, disa nga shkrimtarët dhe kritikët letrarë më në zë të Italisë. “Prushi i bukurisë” është një poemë e veçantë dhe interesante si për nga mënyra e ndërtimit dhe figuracioni, ashtu edhe për nga çështjet për të cilat shkruan.
– “Milioneri i një testamenti” është libri i katërt i autorit Baki Krasniqi i cili më parë i ka botuar dy libra me poezi dhe një me tregime. Këtë libër e përbëjnë katër tregime dhe një novelë në bazë të së cilës është emërtuar. Kjo vepër dëshmon për evoluimin dhe zhvillimin e Krasniqit si prozator i cili posedon imagjinatë krijuese, është i motivuar dhe gjen tema të cilat e zgjojnë kërshërinë e lexuesit.
– Nexhat Rexha, autor i librit “Shtjellimi i tekstit”, tashmë është dëshmuar si poet dhe si kritik letrar. Ky është libri i tij i katërt nga fusha e kritikës letrare. Rexha është një krijues i përkushtuar, me njohuri të gjera nga fusha e letërsisë, një kritik letrar i cili së pari i lexon dhe rilexon me vëmendje librat e pastaj shkruan për to. Falë të gjitha këtyre dhe përvojës së gjertanishme, punimet e tij të sistemuara në këtë libër do t`u shërbejnë dhe do ta kënaqin kërshërinë e lexuesve.
– “Nën dritën e shpirtit tim” titullohet libri i parë i poetes Naxhije Gashani. Ky libër poetik i shkruar me një gjuhë të veçantë figurative, me figura të bukura, shpreh botën e pasur poetike të një poeteje të talentuar e cila që me librin e parë befason për të mirë. Andaj kemi arsye të presim që Naxhija shpejt do ta zë vendin e merituar në mesin e poeteve më të mira shqiptare…
Në fund mund të them se Sh.B. “Beqir Musliu” edhe në këto rrethana ka arritur ta ruaj kriterin sa i përket cilësisë, duke botuar vepra që i kontribuojnë zhvillimit dhe pasurimit të letërsisë shqipe. Librat janë punuar me përkushtim dhe profesionalizëm edhe sa iu përket aspekteve të tjera. Pra janë evituar gabimet gjuhësore, gabimet teknike, ballinat janë punuar për bukuri, është bërë realizimi i mirë kompjuterik etj. Falë të gjitha këtyre Sh.B. “Beqir Musliu” ka bërë emër të mirë, dhe produktet e saj janë duke lënë shije të këndshme tek lexuesit. /2L ONLINE/