/2L ONLINE/ – Në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore të Gjilanit, drejtuesit e saj, përuruan dy botime të reja të këtij viti, vëllimin e parë të monografisë “TRASHËGIMIA KULTURORE E RAJONIT TË GJILANIT”, përgatitur nga një grup autorësh si dhe vëllimin e dytë nga trashëgimia shpirtërore , “Stina e meseleve”, të autorit Sabit Rrustemi . Po, edhe veb faqen e kësaj Qendreje, e cila u hap ditë më parë.
Duke i përshëndetur dhe dëshiruar mirëseardhjen afro 100 pjesmarrësve në këtë veprimtari kulturore mes të cilëve edhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, zyrtarë të lartë qeveritarë e profesorë universitarë si dhe të ftuar të tjerë nga qendrat simotra nëpër Kosovë, drejtori Arton Hoxha tha se ndihet i privilegjuar që ju dha rasti që, duke shënuar funksionalizimin e Muzeut të Qytetit, t’i paraqes dhe përurojë edhe tri projekte tjera të realizuara brenda këtij viti, siç është monografia e cila përmbledh veprimtarinë 11 vjeçare të kësaj Qendreje në evidentimin, krijimin e dosjeve dhe marrjen nën mbrojtje të përkohshme të qindra objekteve nga fusha e trashëgimisë arkeologjike, arkitektonike, të objekteve të kultit si dhe të trashëgimisë shpirtërore të kësaj krahine të Kosovës që sot, pjesërisht, madje në masë bukur të mirë, shpërfaqen dhe janë në shërbim të publikut përmes këtyre dy botimeve si dhe të kësaj dritareje informative, përmes së cilës të interesuarit njoftohen saktë, shpejtë dhe me kohë për të gjitha zhvillimet e kësaj fushe që është nën përgjegjësinë tonë.
Drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sportit, znj Vjollcë Aliu, në fjalën e saj, çmoi lart angazhimin e kësaj Qendre, e cila është ndër më të mirat në nivel vendi dhe kjo, sipas saj, po dëshmohet edhe me këto tri projekte të realizuara që po përurohen këtu para nesh. Kjo punë kaq e frytshme juaja, na obligon neve që t’ ju mbështesim edhe më tepër, ku besoj, siç u shpreh zonja Aliu, nuk do të mungojë as kontributi i komunave të këtij rajoni.
Rreth Muzeut të Qytetit si dhe botimeve të reja e veçmas “Stinës së meseleve”, u përqendrua në fjalën e tij edhe drejtori i Muzeut të Kosovës, z. Skënder Boshtrakaj. Ai potencoi faktin se vjelja e thesarevetë trashëgimisë shpirtërore dhe shpërfaqja e tyre për publikun e gjerë, është interes jetik yni dhe detyrë e ngutshme jona. Shembullin e Gjilanit do duhej ndjekur dhe qendrat tjera.
Duke folur për vëllimin e parë të monografisë “Trashëgimia shpirtërore e rajonit të Gjilanit”, dr. Faik Sahiti, vlerësoi lart punën ekipore të kësaj qendreje përmbledhur brenda kopertinave të këtij libri, si i pari i këtij lloji në historinë mijëra vjeçare të kësaj krahineje të Kosovës ( Anamoravës), ku bie në sy profesionalizmi dhe saktësia në evidentimin dhe shpërfaqjen e çdo të gjeture nga kjo fushë. Një vlerësim të lartë për vëllimin e dytë, “Stina e meseleve” të autorit Sabit Rrustemi, e paraqiti edhe arkeologu i ardhshëm i kësaj ane të Kosovës, z. Sherafedin Kadriu .
Ndërsa rreth veb faqes së hapur në internet, foli z. Genc Buca, i cili potencoi se ky është një hap yni i vogël që na afron edhe më tepër afër jush për t’i parë angazhimet tona të përditshme në fushën e trashëgimisë kulturore të kësaj krahine e cila përmbledh gjithsej 12 komuna të Kosovës. Të pranishmit, më pas, vizituan eksponatet e shumta që tash janë pjesë e Muzeut të Qytetit e, që kryesisht janë dhuruar nga qytetarët anamoravas. /2L ONLINE/