Boll se kupa!
Shkruan: Fehmi Sylejmani
(2L ONLINE) – Në vend se dita e parë e fillimit të gjysmë vjetorit të dytë, të jetë ditë e gëzuar për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, mbase për një numër të konsideruar të nxënësve, veçanërisht atyre 9-vjeçar, do të jetë një ditë e mundimshme, e sikletshme, sfiduese dhe jo e këndshme, për shkak të detyrave të tepërta të shtëpisë.
Jo të gjithë nxënësit janë të përpiktë në kryerjen e detyrave dhe jo domosdoshmërish edhe i pëlqejnë detyrat e aq më keq për ta, në pushimet dimërore, për faktin se tashmë ky pushim siç dihet në Kosovë është dyjavor, dhe nga nxënësit konsiderohet shumë i shkurtër.
Studime të realizuara në vende të ndryshme të botës, të cilat aplikojnë sisteme jo të njëjta edukimi dhe arsimi, kanë treguar se sido që të organizohet orari i detyrave të shtëpisë, ato sërish do të mbeten ndër aktivitetet më të papëlqyera për fëmijët.
Edhe pse disa vende nëpër botë, kanë arritur të eliminojnë nga sistemi i edukimit, detyrat e shtëpisë, shumë fëmijë, e kanë ende si emërues të përbashkët “alergjinë”, ndaj detyrave të shtëpisë, ato mbeten një prej aktiviteteve më të rëndësishme në të gjithë procesin e mësimnxënies, pjesë e të cilit, nuk janë vetëm nxënësit dhe mësuesit, por edhe prindërit e më gjerë.
Një fëmijë, për këto dy javë ditë, si zakonisht në ditën e fundit ët gjysmëvjetorit të parë “bombardohet” me detyra të shtëpisë nga arsimtarët e lëndëve përkatëse. Por si gjithnjë fëmijët, pa zë e përpijnë edhe këtë “barrë të rëndë ” të detyrave.
Para se t’ju japin detyra fëmijëve, do të ishte mirë, që secili mësimdhënës para se gjithash të reflektojë, e më pastaj edhe të ketë një bashkëpunim korrekt dhe profesional me kolegët e tij, në mënyrë që mos të ngarkohen me aq shumë detyra fëmijët e moshës 11-14 vjet (klasat e VI –VIII).
Nuk duhet anashkaluar se edhe për detyra të shtëpisë ka plane të veçanta, andaj është mirë që secili mësimdhënës të ketë në konsideratë këtë plan dhe ta shfletojë paraprakisht, para se apriori të jep detyra të shtëpisë sidomos për pushim dimëror.
Mosha më e ndjeshme e një nxënësi, është ajo 11-12 vjeçare, përkatësisht klasa e gjashtë, e që me plot të drejtë cilido nxënës i kësaj moshe do të shpërthen me britmën “boll se kupa” për shkak të numrit të madh të detyrave gjatë këtyre ditëve, në fazën e pushimit dimëror.
Institucionet shkollore duhet të jenë hapësira të këndshme për nxënësit, të cilët mezi presin të vijnë në shkollë, e mos të bëhen mësimdhënësit shkaktar pa dashje për të “urryer” hapësirat shkollore. Andaj kujdes gjatë dhënies së detyrave, sidomos mësimdhënësit që kanë një eksperiencë jo të gjatë në procesin edukativo arsimor.
Detyrat e shtëpisë patjetër ndikojnë në zgjerimin e njohurive, të diturive dhe duhet të burojnë nga puna e planifikuar me plan program. Por, kurrsesi të mos rëndohen tej mase. /2L ONLINE/
