Bodrumet e banesave kolektive në qendër të Gjilanit, në gjendje alarmante
Shkruan: Bashkim Isufi
Gjendja e hapësirave të përbashkëta dhe veçanërisht e bodrumeve në disa ndërtesa të banimit kolektiv në qendër të Gjilanit po paraqet një shqetësim serioz për banorët dhe ngre pikëpyetje për mënyrën se si po administrohen, mirëmbahen dhe mbikëqyren këto hapësira.
Problemet me higjienën, mirëmbajtjen, administrimin dhe sigurinë e hapësirave të përbashkëta nuk mund të trajtohen vetëm si çështje private e banorëve apo e bashkëpronarëve. Ato lidhen drejtpërdrejt edhe me zbatimin e detyrimeve të përcaktuara me Ligjin për Ndërtesat në Bashkëpronësi dhe me përgjegjësitë që ky ligj ia përcakton komunës.
Komuna e Gjilanit duhet të ndërmarrë veprime konkrete për evidentimin e gjendjes së ndërtesave në bashkëpronësi, kontrollin e hapësirave të përbashkëta dhe mbikëqyrjen e respektimit të detyrimeve ligjore lidhur me administrimin, mirëmbajtjen, higjienën dhe sigurinë e tyre. Në rastet kur konstatohen parregullsi apo neglizhencë në përmbushjen e këtyre detyrimeve, duhet të ndërmerren edhe masat përkatëse, në përputhje me kompetencat ligjore.
Një nga çështjet që kërkon vëmendje të veçantë është mënyra e administrimit të ndërtesave në bashkëpronësi. Neni 36 i Ligjit për Ndërtesat në Bashkëpronësi përcakton përgjegjësi konkrete për komunën në fushën e administrimit të ndërtesave në bashkëpronësi. Veçanërisht, paragrafi 5 i këtij neni përcakton se Komuna inicion krijimin e Shoqatës së Pronarëve përmes projekteve, varësisht prej mundësive buxhetore. Ndërsa në kuadër të përgjegjësive të përcaktuara me këtë nen, Komuna siguron regjistrimin dhe administrimin e ndërtesave në bashkëpronësi dhe të administratorëve të tyre në territorin e komunës.
Kjo dispozitë nuk duhet të mbetet vetëm një përcaktim formal ligjor. Krijimi dhe funksionalizimi i shoqatave të pronarëve do të mundësonte një administrim më të organizuar të ndërtesave, përcaktim më të qartë të përgjegjësive, mirëmbajtje më të rregullt të hapësirave të përbashkëta dhe adresim më efikas të problemeve që prekin bashkëpronarët.
Megjithatë, bazuar në informacionet që posedojmë, deri më tani nuk është evidentuar ndonjë iniciativë konkrete e Komunës së Gjilanit për krijimin e shoqatave të pronarëve të ndërtesave në bashkëpronësi.
Një tjetër çështje që kërkon vëmendje është mbikëqyrja inspektuese e ndërtesave në bashkëpronësi. Neni 45, paragrafi 1, i Ligjit për Ndërtesat në Bashkëpronësi përcakton se mbikëqyrjen inspektuese mbi zbatimin e këtij ligji dhe akteve nënligjore të nxjerra në bazë të tij e kryen inspektori komunal i autorizuar për banim, në kuadër të organit kompetent për inspektim.
Në kuadër të kësaj mbikëqyrjeje, ligji përcakton kompetenca të caktuara për kontrollin e ndërtesave në bashkëpronësi, përfshirë edhe verifikimin e respektimit të detyrimeve që burojnë nga ligji. Në rast të konstatimit të parregullsive, inspektori mban procesverbal dhe, në bazë të tij, nxjerr aktvendim, në përputhje me procedurat e përcaktuara me ligj. Megjithatë, deri më tani nuk janë vërejtur veprime të rregullta të inspektimit të ndërtesave në bashkëpronësi në Komunën e Gjilanit.
Në këtë pikë, kërkohet gjithashtu një sqarim nga Komuna e Gjilanit: kush është inspektori i autorizuar për banim që ushtron mbikëqyrjen e përcaktuar me nenin 45 të Ligjit për Ndërtesat në Bashkëpronësi?
Nëse këto kompetenca ushtrohen nga një inspektor i shërbimeve publike apo nga ndonjë inspektor tjetër komunal, duhet të jetë e qartë baza ligjore dhe akti përkatës me të cilin ai është autorizuar për ushtrimin e kompetencave të mbikëqyrjes në fushën e ndërtesave në bashkëpronësi. Për ushtrimin e kompetencave të përcaktuara me nenin 45 të këtij ligji, është e nevojshme që inspektori të jetë i autorizuar përkatësisht për këtë fushë, në përputhje me ligjin dhe aktet përkatëse.
Gjendja e hapësirave të përbashkëta, veçanërisht e bodrumeve, nuk duhet të trajtohet vetëm si çështje e banorëve apo e bashkëpronarëve individualë. Për aq sa ligji përcakton përgjegjësi konkrete për komunën, këto përgjegjësi duhet të materializohen përmes veprimeve konkrete institucionale.
Në fund të fundit, çështja nuk është vetëm se në çfarë gjendje janë bodrumet, por edhe nëse mekanizmat ligjorë të paraparë për administrimin, mirëmbajtjen dhe mbikëqyrjen e ndërtesave në bashkëpronësi po funksionojnë në praktikë. Banorët kanë të drejtë të dinë kush është përgjegjës, si po zbatohet ligji dhe çfarë veprimesh po ndërmerren për të siguruar që hapësirat e përbashkëta të mirëmbahen dhe të administrohen në përputhje me ligjin. /2LONLINE/
