Blerina Jakupi Ramadani zgjidhet gjyqtare mbikëqyrëse në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega Viti
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në vijim të takimit të 364-të, ka emëruar gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, gjyqtaren Blerina Jakupi Ramadani.
Anëtarët e KGJK-së, sipas rekomandimit të Komisionit Vlerësues për intervistimin, vlerësimin dhe rekomandimin e kandidatëve, dhe pas zhvillimit të procesit të votimit, me votë unanime emëruan Bleina Jakupi Ramadanin në pozitën e gjyqtares mbikëqyrëse në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti.
Mandati i saj është pesëvjeçar dhe fillon nga sot.
Biografia:
Blerina Jakupi – Ramadani është gjyqtare në Departamentin e Përgjithshëm në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti. Diplomoi në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës. Pas përfundimit të studimeve universitare, në Janar të vitit 2013 përfundoi studimet master në drejtimin penalo – juridik në të njëjtin universitet. Provimin e jurisprudencës e kreu në vitin 2015. Përvoja e saj e punës ishte: sekretare juridike në ish Gjykatën Komunale në Gjilan, ndërmjetësuse e liçencuar nga Ministria e Drejtësisë, praktikante në Gjykatën Themelore në Gjilan, mësimdhënëse e lëndëve juridike në Kolegjin “ Don Bosko” në Gjilan, avokate. Me datë 21.01.2019 është emëruar gjyqtare në Gjykatë Themelore në Gjilan.
