Blerim Hajdari, një jetë dedikuar karatesë: 40 vite besnikëri ndaj KK “Drita” në Gjilan
Nga: Sylejman Ismajli
Ish-karateisti dhe tani trajneri i Klubit të Karatesë “Drita” nga Gjilani, Blerim Hajdari, i ka kushtuar një jetë të tërë sportit të karatesë. Me një karrierë të ndarë mes 10 viteve si garues aktiv dhe 30 viteve pa ndërprerje si trajner, Hajdari mbetet një nga figurat më emblematike të këtij sporti në Kosovë, duke i qëndruar besnik klubit të tij të zemrës.
Sot, në moshën 59-vjeçare, ai vazhdon të jetë i gatshëm për t’u përballur me sfidat e karatesë, duke e udhëhequr klubin me shumë sukses.
Hajdari e filloi karrierën e tij në një periudhë kur karateja po zhvillohej me hapa të shpejtë, duke dhënë tërë potencialin e tij për një dekadë të plotë si garues.
“Karrierën e fillova shumë i ri, kishim entuziazëm të madh. Sporti i karatesë në atë kohë po përparonte me të madhe dhe kishte trajnerë e karateistë të shkëlqyer. Përgjatë 10 viteve asnjëherë nuk kam munguar në asnjë paraqitje të klubit. Këtij klubi i solla medalje e trofe dhe për këtë jam shumë i lumtur që sado pak kam kontribuar dhe shumë herë e kemi vënë në piedestalin më të lartë të garave,” kujton Blerim Hajdari.
Suksesi i tij nuk u ndal në tapetin e garave. Me kalimin në rolin e trajnerit, ai dëshmoi se vizioni i tij ishte i destinuar për të krijuar kampionë. Duke mbajtur gradën ‘6 Dan’, puna e tij është vlerësuar edhe nga Federata e Karatesë së Kosovës, e cila e ka shpallur “Trajnerin më të mirë në Kosovë”.
“Përgjatë karrierës sime si trajner, 30 vjet pa ndërprerë kemi pasur rezultate tejet të mira. Nga klubi ynë kemi nxjerrë kampionë evropianë, ballkanikë e shtetërorë,” shprehet ai, duke theksuar se në KK “Drita” punohet vetëm në mënyrë profesionale. Ai nuk lë pa përmendur edhe bashkëpunëtorët e tij: “I jam mirënjohës edhe trajnerit e shokut tim të klubit, Reshat Halili, me të cilin së bashku kemi arritur deri këtu. Po ashtu, një falënderim shkon për të gjithë karateistët e klubit dhe prindërit e garuesve që kanë besuar në punën tone, dhe për kreret e Federatës së Karatesë së Kosovës, për avancimin e sportit te karatesë.
Dashuria për karatenë dhe për KK “Drita” e shtyu trajnerin të bënte sakrifica të mëdha personale. Edhe pse kishte mundësi dhe ftesa serioze për të ndërtuar një jetë më të mirë në Perëndim me punë të siguruar, ai vendosi të qëndrojë. Hajdari ishte për një vit trajner në shtetin e Gjermanisë-Ipoon Launemburg Elbe.
“Kam pasur ftesa shumë serioze nga miqtë e mi që të shkoj në Perëndim, por i kam refuzuar pa asnjë hezitim. Nuk kam mundur t’ia kthej shpinën klubit, garuesve e shokëve të mi me të cilët jam rritur. Për këtë nuk pendohem kurrë! Jam krenar, sepse zemra dhe trupi im i takojnë këtij klubi dhe për ngjyrat e tij do të jap ende më të mirën që posedoj.”
Me një përvojë të gjatë në këtë sport, 59-vjeçari thekson se niveli i karatesë në Kosovë është i barabartë me atë të rajonit, dhe në disa raste edhe më i lartë. Megjithatë, ai ngre alarmin për kushtet financiare që mund të stagnonjë përparimin e mëtejshëm.
“Karateja në Kosovë ka perspektivë të mirë, kemi trajnerë e garues tejet cilësorë dhe këtë po e dëshmojmë edhe në arenën ndërkombëtare. Por problemi kryesor nëpër klubet tona janë mjetet financiare, ku mbijetohet me shumë sakrifica,” shpjegon Hajdari.
Ai e mbyll fjalën e tij me një thirrje të rëndësishme për bizneset: “I lus donatorët që të na mbështesin. Të mos e lëmë rininë në rrugë për t’u marrë me punë të liga, por t’i afrojmë ata me sportin.”
Trajneri Blerim Hajdari mbetet një emër që respektohet kudo që paraqitet, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Qyteti i Gjilanit dhe KK “Drita” me të drejtë krenohen me një figurë që rininë e tij ia fali karatesë, duke edukuar qindra të rinj dhe duke i ngritur ata në piedestalet më të larta të sportit.
