Trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, ka zbarkuar në Shqipëri për të përgatitur ekipin për dy ndeshjet e radhës kundër Zvicrës dhe Qipros, nuk ka mundur t’i shmanget pyetjeve të gazetarëve për rastin Januzaj.
“Januzaj nuk e ka të lehtë të vendosë pasi është në mes Belgjika e Anglia. Këtu hyjnë në lojë dhe menaxherët. Do të bëjmë maksimumin për të marr Adnanin”, ka thënë De Biasi në konferencën për media, transmeton Tema.
Ndërkohë, ish-trajneri i disa skuadrave italiane ka konfirmuar se vetëm disa detaje të vogla e ndajnë nga vazhdimi i kontratës me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF).
“Jam në bisedime me FSHF për zgjatjen e kontratës, mungojnë vetëm disa detaje. Mund të them që jemi në rrugën e duhur, dëshira e të gjitha palëve është që të vazhdojmë së bashku. Vullneti im është që të vazhdoj këtë aventurë”, ka theksuar italiani./tema/