“Biznes me Biznes” mbledh mbi 200 përfaqësues të bizneseve nga Gjilani, Shtërpca dhe Dragashi
/2L ONLINE/ – Në Gjilan sot është organizuar nga Global Consulting dhe Development Associates, në mbështetje të Komunës së Gjilanit dhe UNDP, e cila financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim, ku ka mbledhur bizneset e ndryshme nga Gjilani, Dragashi dhe Shtërpca, i cili është i pari i kësaj natyre, me qëllimin e bashkëpunimit dhe takimit edhe fizik të përfaqësuesve të bizneseve për zhvillim të mëtutjeshëm të tyre.
Me këtë rast kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, që shoqërohej edhe nga drejtorët e drejtorive komunale, ka thënë se takimi i tillë i bizneseve është në interes të vet bizneseve, por edhe në interes të regjionit të Gjilanit, si regjioni më i madh administrativ në juglindje të Kosovës.
“Bizneset nga ky regjion njihen për menaxherë të mirë dhe zot shtëpie poashtu. Në Gjilan ka shumë biznese të mëdha, të cilat edhe mund t’i vizitoni, për të prezantuar produktet e prodhuara në komunat tuaja dhe pse jo edhe bashkëpunimin konkret me biznese dhe konsumatorë të kësaj ane”, ka thënë kryetari Haziri, duke ofruar mbështetjen dhe bashkëpunimin e fuqishëm të institucioneve komunale për zhvillim të qëndrueshëm të biznesit.
Ndërsa në fjalën e tij, drejtori për Zhvillim Ekonomik, Agim Zuzaku, ka thënë se takimi “Biznes me Biznes”, është i një rëndësie të veçantë, ngase mundëson krijimin e urave të reja të bashkëpunimit dhe partneritetit për të promovuar produktet dhe kapacitetet e tyre në forma të ndryshme.
“Këto takime i hapin rrugë bizneseve për të vlerësuar nga afër kapacitetet dhe cilësinë e shërbimeve të ofruara në mes të bizneseve nga Gjilani, Shtërpca dhe Dragashi, që janë të ndryshme, por kanë një të përbashkët të rëndësishme, bashkëpunimin dhe koordinimin mes vete dhe që të tri këto komuna janë ato që kufizohen me shtete fqinje. Sot është mundësia e krijimit të lidhjeve me klientë, mundësi e reklamimit të produkteve, por edhe mundësi e krijimit të rrjetizimit”, ka thënë ai, duke potencuar se dy qendrat më të mëdha ekonomike në rajon janë Ferizaj dhe Gjilani me prodhime në tekstil, përpunim të ushqimit, industries, përpunimit të drurit, përpunim të duhanit, turizëm por edhe mundësinë e aftësimit professional në bazë të kërkesave të komunitetit të biznesit.
Ndërsa, drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Ramiz Ramadani, ka thënë se Gjilani po ecë mjaftë mirë edhe në sektorin e Agro – biznesit, ku numër shumë i madh i qytetarëve mund të punësohen.
“Gjilani mund të krenohet me Agro-biznes, sepse rreth 10 mijë ekonomi familjare merren me bujqësi në fusha të ndryshme. Jemi duke punuar përditë e më shumë në orientimin dhe përgatitjen e fermerëve për agro-biznes. Produktet bujqësore, që sot mund të bëhen në këtë pjesë, e që janë shumë të kërkuara, siç është mjedra dhe produkte të ngjashme, pavarësisht kapaciteteve, me cilësi dhe sasi të pakufizuar, mund të eksportohen në tregjet jashtë Kosovës. Ne, këtë vit do të nisim këtë mbështetje dhe do të shohim shumë shpejtë se rezultatet nuk do të mungojnë”, ka thënë ndër të tjerash, drejtori Ramadani.
Kurse organizatori i këtij takimi, Arsim Vranovci, nga Global Consulting dhe Development Associates, ka thënë se organizime të tilla do të jenë në të ardhmen e shpejtë edhe në Fier, Gostivar dhe Prizren, duke theksuar se ky organizim është me qëllim të rritjes së bashkëpunimit gjatë të ardhmes.
Ai gjithashtu ka thënë se ky nuk do të jetë takimi i parë, sepse takimet “Biznes me Biznes” janë të mirëseardhura dhe domosdoshme sepse mundësojnë promovim, zyrtarizim të bashkëpunimit mes vete, krijim të klientëve të rinjë dhe shtim të kapaciteteve në prodhime dhe produkte për të ardhmen. /2L ONLINE/
